Eduart Pashuku, arbitri më i mirë në Castelli Romani - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Pashuku, 23 vjeçar, i lindur në Shkodër, vitin e kaluar fitoi trofeun "Broccolo d’Oro", një çmim për arbitrat që jepet në Castelli Romani. "Desha të bëhesha futbollist, por nuk kisha talent..."

Ndërsa koret raciste mbushin stadiumet dhe gazetat, arbitri më i mirë i vitit 2012  quhet Eduart Pashuku. Të paktën në Albano Laziale, ku 23-vjeçari me origjinë shqiptare ka fituar çmimin Broccolo d’Oro, një vlerësim për arbitrin më të mirë të sezonit.

Brenda shumë pak vitesh Pashuku kaloi nga kategoria e të rinjve në atë kombëtare, që përfshin ndeshjet e serisë A për femra,  Ekselencën e kampionatin kombëtar të të rinjve. I lindur në Shkodër në vitin 1988, Eduarti jeton në Itali që kur ishte njëmbëdhjetë vjeç. Banon  në Nemi, pranë Romës, dhe pas një diplome për gjeometër, është regjistruar në fakultetin e shkencave politike.

Që nga viti 2008 ka filluar karrierën e tij si arbitër. "Kjo qe më shumë zgjedhje, jo ndjekja e një pasioni. Kuptova që nuk kisha talent si futbollist, por s’desha të braktis  ëndrrën për të qëndruar në fushë, e kështu vendosa të bëhem arbitër. Po, duhet të pranoj se kjo ishte një zgjedhje e dytë, por u ndjeva mirë me atë uniformë".

Edhe pse emri mund të shkaktojë buzëqeshje, , "Il Broccolo d'oro" (Lulekakra  e Artë) është një çmim prestigjioz mes arbitrave të Castelli Romani. "Çmimin ma kanë dhënë sepse jam dalluar në mënyrë të veçantë në arbitrimin e ndeshjeve në kategorinë e Ekselencës dhe për mua ishte një emocion i madh kur e mora, aq më shumë sepse ma dorëzoi Kryetari i Shoqatës së Arbitrave Italianë, Marcello Nicchi."

"Të jesh arbitër – tregon ai – sigurisht që nuk është më pak e lodhshme se të jesh futbollist, duhet një përgatitje e mirë fizike, stërvitja duhet të jetë e  vazhdueshme. Kur universitetit dhe punës në darkë si kamarjer në restorant, i shton dhe ndeshjet, nuk është e lehtë. "

Gjithçka ka filluar me një kurs 5 mujor dhe marrjen e diplomës si arbitër. "Prindërit e mi fillimisht ishin kundër, preferonin që të përqendrohesha tek studimet, por kur panë rezultatet e para,  filluan të më jepni mbështetjen e tyre”.

E ndoshta do të jenë krenarë për djalin e tyre që do të drejtojë ndeshjen Itali-Shqipëri, që do të luhet më 16 janar në Lariano. Turneu “Roma Caput Mundi” që sjell në kryeqytetin italian 17 skuadra europiane, bashkon në fushën e gjelbër dy skuadra, që si për ironi të fatit kanë pikën e përbashkët tek arbitri, shqiptar i rritur në Itali.

Eduarti është arbitri i parë "i huaj" i  aktivizuar në Lazio dhe është i pari “shqiptar" në kategorinë kombëtare. Ndryshe nga lojtarët, arbitrat e lindur jashtë vendit janë ende të paktë.

Samia Oursana

In italiano: Eduart Pashuku, il miglior arbitro dei Castelli Romani