Egi Cenolli, studentja që do të përfaqësojë shqiptarët në Komisionin e Padovas - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

“Pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve në zgjedhje mund të shpjegohet me faktin që edhe pse të shumtë në numër, nuk përbëjmë një komunitet të mirëfilltë dhe se jemi disi indiferentë”

Romë, 29 nëntor 2011 – Quhet Egi Cenolli, e reja shqiptare që do të përfaqësojë komunitetin shqiptar të  Padovës në Komisionin e Përfaqësisë së shtetasve të huaj. Është 25 vjeç, jeton prej dy vjetësh në Padova, ku ndjek dyvjeçarin e specializimit për Shkenca politike-Marrëdhënie ndërkombëtare. Ka mbaruar studimet trevjeçare në Tiranë, pranë universitetit Zoja e Këshillit të Mirë, dhe tani ka nisur atje edhe një tjetër fakultet, atë të drejtësisë.

Cenolli tregon për shqiptariiitalise.com se ka vendosur të kandidojë, edhe pse studente, sepse falë  studimeve që po bën është e prirë të kuptojë dhe t’u japë zgjidhje problemeve të emigrantëve në përgjithësi.

“Nuk jam emigrante e mirëfilltë, këtu kam ardhur për studime, por njoh mirë problemet që kanë studentët e  huaj si bursa apo konvikti. Gjatë fushatës më ndihmuan shqiptarë të tjerë që jetojnë në Padova prej më shumë se dhjetë vjetësh, kështu u njoha edhe me problemet e hallet e familjeve të huaja në përgjithësi. Në fakt, shumica e atyre 70 vetëve që më votuan janë të gjithë familjarë, emigrantë shqiptarë, që arrita të bëj për vete”. Por a nuk janë pak, vetëm 70 vota? “Po shumë pak janë, po të mendosh që jetojnë në Padova mbi 1800 shqiptarë. Sipas meje arsyet e pjesëmarrjes së ulët të shqiptarëve janë një lloj indiferentizmi ndaj këtyre zgjedhjeve dhe fakti që ne shqiptarët nuk përbëjmë një komunitet të mirëfilltë. Është vërtet për të ardhur keq”. Ndoshta informacioni ishte i paktë, jo të gjithë dinin që mbaheshin këto zgjedhje? “Jo, mund të them që komuna i ka publicizuar mjaft zgjedhjet për Komisionin e të huajve, me pankarta nëpër qytet, me mbledhje të hapura ku mund të merrnin pjesë të gjithë për të dëgjuar mendimin e kandidatëve. Është bërë fushatë elektorale për rreth një muaj”. Por duket se të gjitha këto kanë mjaftuar për të çuar në qendrat e votimit as 100 shqiptarë.

Çfarë mendoni të çoni përpara në Komision? “Para së gjithash dua të them që në Komision, secili prej nesh  nuk përfaqëson vetëm komunitetin të cilit i përket por të huajt në përgjithësi. Të gjithë bashkë duam të ngremë zërin për shtetësinë e fëmijëve të imigrantëve. Nga ana tjetër, do të përpiqemi që këto zgjedhje të jenë hapi paraprak drejt njohjes të së drejtës së votës për zgjedhjet administrative. Natyrisht do t’u japim zë bashkatdhetarëve tanë edhe për çështje të tjera të komuniteteve të huaja në territor, si problemet me shtëpinë, punën etj. Duam të punojmë të gjithë së bashku për integrimin e vërtetë në qytetin ku jetojmë”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Padova. Imigrantët zgjedhin përfaqësuesit e tyre