Ylli i The voice of Italy quhet Elhaida Dani - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

20-vjeçarja nga Shkodra,  e preferuara absolute e publikut të gjerë, arrin në finalen e The voice of Italy

Elhaida Dani është në finalen e The Voice of Italy. Fitoi mbi Mattia Lever që e mbaroi më 23 maj aventurën e tij në The Voice. Kështu vendosi Cocciante që i dha Elhaidës 60 nga 100 pikët e tij, ndërkohë që publiku vlerësoi thuajse njësoj dy këngëtarët e tij.

Skuadra e Cocciantes u ngjit në skenë e treta, pas asaj të Piero Pelù-së dhe Raffaella Carrà-së.

I pari këndon Mattia Lever “Le tasche piene di sassi” të Jovanottit, që me interpretimin e tij ka emocionuar Coccianten. Pak minuta pas orës 23, në skenë hipën Elhaida Dani. Këndon “I believe I can fly”. Ashtu si një javë më parë (me interpretimin e ndier të Adagio-s ku dha maksimumin e saj, ngriti peshë publikun në sallë), edhe këtë radhë e përfundon performancën e përlotur, me publikun sërish në këmbë  që e duartroket dhe thërret “Akoma, akoma!”. Në këmbë duartroket edhe profesori i saj Cocciante: “Talent i mrekullueshëm. Elhaida është emocion dhe teknikë”. “Krijon një atmosferë shumë të bukur” për Noemin. Piero Pelù nuk përmban lavdërimet për 20vjeçaren shqiptare: “Elhaida është shumë e zonja. Kontrollon të gjitha lartësitë e zërit të saj. Është këngëtare e kompletuar”. “Do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë Cocciante” thotë Carrà duke lavdëruar kështu të dy të rinjtë e sjellë në gjysmëfinale nga kolegu i jurisë.

Cocciante zgjedh t’i japë asaj 60% të votës së tij, 40% Mattias. Publiku voton thuajse njësoj: 50% për Mattian e po aq për Elhaidën. E kaq mjafton për ta çuar 20 vjeçaren nga Shkodra në finalen e 30 majit.

Elhaida triumfon edhe me “When love calls your name” (me muzikë të Riccardo Cocciantes), këngën e padëgjuar ndonjëherë që prezantoi ashtu si secili prej shtatë finalistëve të tjerë.

Kush do të jetë The Voice i këtij viti do ta mësojmë më 30 maj. Deri tani Elhaida Dani ka mrekulluar të gjithë, publik e anëtarë jurie: për shtrirjen e jashtëzakonshme dhe kontrollin e përkryer të zërit. Pa dyshim e preferuara e publikut gjithnjë e më të gjerë. Prej javësh e kurorëzojnë fituesen e këtij edicioni, mendim që përforcohet pas çdo performance të vajzës. “Zëri i Whitney Houstonit, ëmbëlsia e Celine Dionit, në skenë siguria e Madonnas dhe hovi i Tina Turnerit... Të gjitha këto në një vajzë të mrekullueshme 20vjeçare. ELHAIDA” kështu e përkufizon Marco Conti, një prej mijëra admiruesve të saj në Facebook.

Shqiptari i Italisë

In italiano: Elhaida Dani vola in finale con "I believe I can fly"