Emila Markgjonaj{br}Tirana në sytë e mi - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

I do sytë e mi?-më pyet një shitëse bionde në një librari në qendër të Tiranës. Ka sy të kthjellët si deti, dhe më vjen natyrshëm t'i përgjigjem se do i doja sytë e saj, për ta parë botën me konture qielli. Qeshim teksa më jep librin e Emila Markgjonaj, me titullin "I do sytë e mi?"

Ky ishte kontakti i parë me librin e sapobotuar të Emilës. Mbaja mend një intervistë që kishim bërë para shumë vjetësh, atmosferën e trishtuar që u krijua mes nesh; folëm gjatë për punën e saj si psikologe, kur merrej me gratë viktima të trafikimit.

Por sot intervista jonë është krejt ndryshe, bukuria e librit që ajo ka shkruar, nuk lë vend as për trishtim as për mërzi. Përkundrazi. Faqet e librit, rrëfimet plot ironi, janë një kaleidoskop ku ngjyrat e kujtimeve ndizen e përthyhen, duke krijuar figura të mrekullueshme.

Ka ditur të prekë telat më të thellë të zemrës, ka hyrë atje si duke luajtur, me hapa të pambuktë e me shikim të dlirë fëmijëror, duke e bërë lexuesin që të ndihet mirë, si në shtëpinë e vet.

Pantallonat me stof kombinati, rrëfimi i versionit komik të Lilo Labes në filmin "Malet me blerim mbuluar", loja me peta, çelësi në qafë, shkolla. Copëza jete të spërkatura me tisin vezullues të fëmijërisë, një brymë e hollë mbi kujtimet që marrin jetë dhe vijnë emocionues nga faqet e këtij libri kaq të veçantë.

Bota Shqiptare: Pse ky titull?

Emila Markgjonaj: Titulli është një lloj ftese për lexim. Nga ana tjetër dua të transmetoj tek lexuesit subjektivitetin dhe modestinë. Ndoshta jo gjithkush ka parë ose shikon atë realitet në të njëjtën mënyrë. 

Libri është i mbushur me detaje shumë të imëta, bile në shumë gjëra ne, lexuesit që i përkasin brezit tënd, e gjejmë vetveten. Si shpjegohet kjo aftësi për të kujtuar këto elementë në mënyrë kaq të saktë?

Vendosa të shkruaj këtë libër kryesisht për veten time, domethënë vendosa të shkruaj për veten. Pak nga pak këto shkrime morën formën e një libri dhe më pas mendova ta botoj. Më mjaftoi të kujtoj disa episode të fëmijërisë, kisha një lloj nevojë të kthehesha në atë kohë për të kuptuar, për t'i dhënë përgjigje shumë gjërave që nuk kisha pasur kurrë kohë të ndaloja e t'i kuptoja siç duhet. E pa kuptuar se nga vijmë, cili është ambienti e rrethanat ku jemi rritur e ndërtuar nga ana e personalitetit, e kemi të vështirë të kuptojmë dhe vetveten. Detajet erdhën vetë, natyrshëm, nuk pata asnjë lloj sforcimi për të kujtuar. Mendja i depoziton të gjitha kujtimet dhe mjafton një lëvizje e vogël që ato të dalin në pah. Pastaj më kanë ndihmuar edhe bisedat e shpeshta me të afërmit apo miqtë e mi.

Në libër ka shumë elementë nga jeta e familjes suaj. Si e kanë pritur të afërmit e tuaj nxjerrjen e "sekreteve" të shtëpisë?

Më thënë të drejtën unë nuk desha të bëj një libër autobiografik. Por të gjithë ata që e kanë lexuar janë të bindur se është një autobiografi, por mund të siguroj lexuesit që ngjarjet më të rëndësishme të jetës sime dhe të familjes sime nuk janë pasqyruar në libër. Ngjarjet që tregoj janë të vërteta, e mbase kjo është diçka që vlerësohet, por janë histori që kanë të bëjnë dhe me persona të tjerë, nëpërmjet të cilave unë kam dashur të sjell sa më të gjallë ambientin, rrethanat, periudhën, Tiranën e asaj kohe. Jo, familja nuk pati asnjë problem. Nëse e keni fjalën për filxhanët e thyer që tregoj në libër, janë "trauma të kapërcyera tanimë.. (qesh)

Me qenë se ra fjala tek Tirana, a gjeni gjëkundi ndonjë element të Tiranës së dikurshme kur shkoni tani, të atij qyteti që rrëfeni në libër?

Ndihem pak e humbur në Tiranën e sotme. Më qëllon të kaloj pranë godinës së RTSH. Në fund të asaj rruge ka qenë një park shumë i vogël, aty ku tani ngrihet hotel Rogneri. Ndërsa aty ku sot është një institut kërkimi, i ndërtuar që në ato vite, ishte një kamp sportiv. Zërat e të rinjve që stërviteshin më ngjallnin pothuajse një lloj ndjenje mirëqenieje dhe normaliteti. Ndoshta ishte e pashmangshme që Tirana të ndryshonte kaq shumë ashtu siç është e pashmangshme që të ndjej mall për ato objekte që shënonin largësinë nga shtëpia dhe që ishin të lidhura me kujtime personale.

Keni mbi 20 vjet që jetoni larg Shqipërisë. Megjithatë kjo duket se nuk ka ndryshuar të qenit tuaj shqiptare, thelbin e asaj që gjithsecili prej nesh, do apo nuk do, e ka brenda vetes.

Unë mendoj se të jesh shqiptar, aq më shumë për ata të brezit tim, është diçka që të kushtëzon që në djep. Mund të kalojnë shumë vjet, mund të jetosh kudo në botë, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë në të qenit fëmijë të lindur dhe të rritur në një diktaturë. Ne jemi ndryshe nga të tjerët, pa dashur të them që jemi më mirë apo më keq. Marr një shembull: fakti që ne arrijmë të mimetizohemi në çdo lloj ambienti, nuk është pasurim nëse më parë nuk e pranojmë veten për atë që jemi.

Ka vite që gjithnjë e më shumë shkrimtarë shqiptarë me banim në Itali, shkruajnë në italisht, ose më mirë ekskluzivisht në italisht. Me librin tuaj sikur i jepni jetë një tendence krejt të kundërt, shkruani një libër në shqip pas 20 vjetësh të kaluar në Itali.

Asgjë nuk ishte e qëllimshme, as shkrimi i librit në vetvete nuk ishte një projekt më vete. Libri lindi shqip, flet për një periudhë të caktuar të Shqipërisë, nuk mund ta mendoj që të mos ishte shqip. Është një libër shqip. Mund të përkthehet më pas, nëse do të vendos ndonjë ditë që ai të dalë në një treg të jashtëm. Por ky libër i drejtohet një lexuesi shqiptar, unë jam shqiptare dhe shkruajta për veten time, do më dukej diçka artificiale futja e një gjuhe tjetër që nuk ka të bëjë fare as me mua në atë kohë, as me lexuesin që unë shpresoj që të gjejë veten në libër.

Libri mbyllet me një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, me ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Është një ditë që ju e tregoni me harè dhe gëzim. 

Ka qenë ngjarja që unë besoja se do na ndryshonte jetën të gjithëve, rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Shumë gjëra nuk ndryshuan. Por unë preferoj të ndalem në atë çast, të ndal atë ndjesi të mrekullueshëm, atë besim dhe entuziazëm që kisha në atë moment.

Ju keni dy fëmijë, besoj të rritur shumë ndryshe nga si jemi rritur ne. Ndonjëherë me qëllon t'i shoh si zogj të mbyllur në kafaz, kurse fëmijëria jonë, e përshkruar aq ngrohtë dhe në librin tuaj, ishte me shumë liri, por me varfëri. Keni dhe ju të njëjtën ndjesi?

Hera e parë që më është dashur të bëj një reflektim të këtij lloji ka qenë në aeroport, një nga herët e para që merrja avionin për të shkuar diku. Megjithëse ishte dimër, më qëlloi të shoh një grup të rinjsh, me siguri nga Europa Veriore, të nxirë nga dielli, me shapka llastiku që ktheheshin kushedi se nga cili vend i ngrohtë i rruzullit. E di që nuk është ndjenjë fisnike por me thënë të drejtën ndjeva zili, zili për një mungesë të rinisë sonë, të pariparueshme me kalimin e kohës. U lehtësova vetëm kur imagjinova fëmijët e mi si udhëtare e njohës të botës, si persona të lire të thithin gjithçka ju ofrohet. Nëse i krahasojmë të dyja përmasat me duket se ekuilibri anon shumë më tepër nga zgjedhja e tanishme. Vërtet ky është një vizion pak i idealizuar, e kuptoj shumë mirë se për çfarë vështirësish e keni fjalën kur flisni për fëmijë si të mbyllur në kafaz, më vjen keq edhe mua që fëmijët e mi nuk arrijnë dot as t'u venë emra kukullave dhe lodrave të tyre jo më të afeksionohen si ne. Por mendoj se ia vlen. Jam e sigurt që e ardhmja e tyre ofron shumë më tepër mundësi se sa na ka ofruar ne. Varet nga ata, dhe nga ne, nëse do të dinë t'i shfrytëzojnë për të mirën e tyre dhe të të tjerëve.

Një prej thënieve të famshme në Itali është ajo që përdorej pas periudhës së fashizmit: "Ishim më mirë kur ishim më keq". Edhe sot në Shqipëri ndihet një lloj ringjalljeje e nostalgjive (e njëjta gjë po ndodh dhe në vendet e tjera ish-komuniste). Për shembull, një prej elementeve që thuhet se shoqëria shqiptare po i humbet është ai i lidhjeve personale, miqësitë e forta, pa interes. Ju në roman na sillni pikërisht këtë frymë, kur flisni për fqinjët, apo dasmat në lagje. Sipas jush është e vërtete që ky element ka humbur ose po humbet?

Për sa i përket lidhjeje familjare e shoh të vështirë që të humbasin në një vend ballkanik si i yni. Tashmë është një sistem më i rafinuar, më i maskuar por familja, rrethi shoqëror vazhdojnë të mbeten pika referimi të forta për individët. Italia është vendi tipik ku, me gjithë mirëqenien dhe zhvillimin, dimensioni i familjes nuk ka humbur aspak. Të paktën mua që kam dy fëmijë më qëllon shumë shpesh të shoh gjyshërit që merren me nipat e mbesat e tyre. Ndërsa për ringjalljen e nostalgjisë për atë kohë, me pak vështirësi, por ndoshta arrij të kuptoj nostalgjikët edhe pse nuk i justifikoj dot. Për asnjë arsye në botë nuk është e drejtë që në këtë bote, ku vijmë të barabartë, njeriu të persekutohet, të vritet, të masakrohet nga njeriu. Për mua ky është thelbi i atij regjimi, çdo lloj argumenti tjetër mund të jetë një mënyrë për t’u kapur me thonj në një të shkuar që në një farë mënyre përcaktonte identitetin e personit (shef kuadri, hetues, sekretar partie) dhe një lloj bindjeje që ky lloj identiteti mund të ngrihej me ndershmëri, kur në bazë të sistemit që i shërbehej ishte vendosur dhunimi i gjithanshëm i të drejtave me elementare të njeriut.

Irida Cami – Bota Shqiptare 261, 16 qershor 2011