Emiliano Biraku, kryetari i qarkut PD të Qendrës historike të Venecias - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
31vjeçari nga Çorovoda mbulon tashmë një detyrë të rëndësishme në PD lokale

Romë, 23 shkurt 2016 – 31 vjeçari Emiliano Biraku është zgjedhur të dielën kryetar i qarkut Vivian të Partito Democratico që mbulon qendrën historike të Venecias, qarku me më shumë anëtarë i qytetit.

Në Itali prej vitit 2003, Emiliano jeton sot në Venezia me familjen e tij, të shoqen dhe vajzën e vogël. Ka mbaruar universitetin Ca' Foscari për Ekonomi e sot, bashkë me të vëllanë, është pronar i dy restoranteve në qytet, “Ali D'oro” dhe “Da Gigi”.

Prej dy vjetësh është anëtar aktiv i PD në Venecia. Edhe pse akoma nuk ka shtetësinë italiane, ka mbuluar detyra të rëndësishme si, për shembull, kryetar i komisionit provincial PD për bilancin e aktivitetet prodhuese. “Statuti i PD-së – sqaron ai për Shqiptariiitalise.com – u lejon edhe imigrantëve të japin kontributin e tyre në organizmat e partisë, pa asnjë lloj penalizimi”.

Tashmë, nga e diela, falë përkushtimit e seriozitetit të tij në punë, kongresi i jashtëzakonshëm i mbledhur pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, e zgjodhi edhe kryetar të qarkut Vivian. “I falënderoj të gjithë për besimin që treguan se kanë tek unë. Uroj e shpresoj të bëj më të mirën për qytetin që më adoptoi, ku kam ngritur familjen e rris vajzën time” thotë.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)