Energjia e skulptorit Helidon Xhixha në Museun Magi ‘900 - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

xhixhapic.gifNjë nga evenimentet më të rëndësishme kulturore të javëve të fundit është padyshim ekspozita “Energie” e skulptorit Helidon Xhixha në Muzeun Magi ‘900 - muzeu i talenteve të spikatura historike e artistike, në Pieve di Cento (Bolonjë), e inauguruar të premten më 7 maj 2010. Mund të vizitohet deri më 6 qershor 2010

 

 

 

bota_xhixha4.gifNë këtë personale Helidon Xhixha kishte sjellë mbi dyzet punime, vepra në çelik inoks e hekur të serisë “Energia” nga ku dhe kishte marrë emrin vetë ekspozita si dhe krijime të serisë “Forcë” e “Dritë”. Ndihmonin në krijimin e një kuadri me të plote të rrugës krijuese, arritjeve e projekteve në të cilat është përfshirë skulptori shqiptar kohët e fundit disa vepra monumentale të ekspozuara që në hyrje të Muzeut Magi ‘900 të cilat shoqëronin e udhëzonin vizitorin deri në sallën e ekspozimit. Për veçantinë e tyre, këto vepra në pllaka çeliku të varura në muret e sallës, me të ngriturat e të ulurat mbi këto sipërfaqe krijonin efekte vëllimi e reflekse dritash të papara ndonjëherë në ekspozimet simotra duke krijuar kështu një ambient çuditërisht të ngrohtë e që sugjestiononte publikun.

Po vëmendjen e vizitorit e tërhiqte dhe vepra e artistit e krijuar për Projektin “Le briccole di Venezia” ku në një vepër të vetme ishin bashkuar druri i shtyllave të drunjta të kanaleve të Venecias, i cili ka mbajtur në “këmbë” prej shekujsh qytetin, dhe çeliku që me reflekset e tij përfaqësonte ujin e lagunës. Është ky një projekt i Riva 1920, në të cilin janë përfshirë njëzetedy projektues me famë si bota_xhixha1.gif

Një prezantim më të detajuar të krijimtarisë së Helidon Xhixhës dhe veprave të paraqitura në këtë ekspozitë e ofronte katalogu, që e shoqëronte atë, por edhe konferenca e shtypit e organizuar me këtë rast nga Muzeu Magi ‘900, në një nga sallat e tij ku referentë ishin drejtori i Muzeut Magi ‘900, Giulio Bargellini, kritiku i mirënjohur i artit i ArteTivù Willy Montini dhe kritikja Vittoria Coen e me pjesëmarrjen e një publiku të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të autoriteteve lokale, kritikë arti, gazetarë, koleksionistë e dashamirës të artit bashkëkohor si dhe bashkatdhetarë me banim në zonat përreth.

Drejtori i Muzeut Magi ‘900, Giulio Bargellini duke shprehur kënaqesinë për këtë event, nënvizoi faktin që Muzeu vazhdon tentativat e tij në propozimin e talenteve bashkëkohore ndërkombëtare e duke folur për ekspozitën theksoi që “Xhixha është një artist i aftë të përkulë metalin sipas kërkesave të tij estetike me një rezultat që sigurisht publiku nuk mund të mos admirojë”. Ndërsa kritiku i artit Willy Montini duke përshkruar rrugën krijuese të Xhixhës evidentoi dhe arritjet duke u ndalur në evenimentet e fundit në të cilat artisti shqiptar është përfshirë si pjesëmarrjen në projektin “Le briccole di Venezia”, ekspozimet në Miart, inaugurimin e skulpturës monumentale në çelik inoks, me përmasa 12 metër të lartë në Kremona, para stabilimentit të Acciarie Averdi dhe ekspozimeve në Bergamo, Como të veprës monumentale “Renaissance of Towers” dedikuar viktimave të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, e cila pas kalimeve të saj të mëparshme në Milano, Firence, Berlin në korrikun e vitit të kaluar do të arrijë në destinacionin e saj final, në qytetin e Nju Jorkut. Duke folur për serine e punimeve të ekspozuara në Magi ‘900 Montini theksoi se këto skulptura duken të “lehta” edhe pse të krijuara në çelik, sepse mendimi që i ka krijuar i jep shpirt deri në atë pikë sa fitojnë këtë karakteristikë me të cilën na paraqiten me dy tipare: elegancë e lehtësi e kthehen në një mësim të çmuar në aspektin estetik.

magi01.gifDrejtuesja artistike e Museut Magi ‘900, kritikja Vittoria Coen, që kishte kuruar dhe katalogun e ekspozitës nënvizoi faktin që krijimi i këtyre veprave kërkon mbi të gjitha forcë mendore por dhe fizike, një impenjim i dyfishtë për artistin. Në vepra ndihet kjo forcë e mendimit që përkul e jep formë materialit qoftë çelik apo hekur, që e bën atë të satinuar apo jo, që i jep ngjyrë apo e lë në ngjyrën e tij natyrale, sikur në to me forcën fizike kërkohet të vuloset mendimi, shprehja artistike që ngjall emocione e që na bën të reflektojmë. Këto vepra të krijuara në material kaq të fortë e me peshë na prezantohen si të lehta e reflektuese të ndjenjave e emocioneve të artistit.

Ndërsa vetë Helidoni i pyetur nga ne pikërisht për këtë përzgjedhje materiali për të shprehur krijimtarinë e tij artistike thotë: “Çeliku mund të duket i fortë dhe “i ftohtë” por ka shumë karakteristika të tjera të fshehta që vetëm duke i punuar arrij t’i zbuloj, sepse kur i nënshtrohet presionit ky material çliron energji, sepse para së gjithash duhet shumë energji për ta punuar dhe nën sforcim ky material i ftohtë dhe njëkohësisht i fortë kthehet në material të cilin mund ta plazmosh e nga i cili shpërthen muzika, nga ku dalin tinguj, ngjyrë, dritë, kështu nuk është i “ftohtë” përkundrazi tepër i nxehtë,… varet vetëm prej nesh sa jemi në gjendje ta zbulojmë. Edhe në veprën “Renaissance of Towers” që po vazhdon “shtegtimin” e saj këtë vit në disa qytete në Itali derisa të vendoset përfundimisht në Nju Jork kam zgjedhur pikërisht këtë material, çelikun, për të shprehur me art, ndjenjat e mbijetesës ndaj një dhimbjeje aq të madhe sa ajo e 11 shtatorit 2001, që goditi popullin amerikan”.

magi_02.gifEkspozita “Energie” në Muzeo Magi ‘900 (magi900.com) do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 6 qershor 2010. Ndërkohë që skulptori shqiptar më 14 maj ka inauguruar një tjetër personale në Legnano (Milano) me titull “Il Peso di Legnano” e cila do të qëndroje e hapur deri më 4 qershor 2010 e ku mes veprave te tjera është ekspozuar dhe vepra në argjend “çmimi- simbolik“ i krijuar nga Xhixha, i kërkuar posaçërisht nga organizatorët e “Palio di Legnano” për fituesit e garës së sivjetme. Po kështu janë në përgatitje për këtë stinë vere ekspozime në Castel Monastero në Siena, Lulm e Forte Village në ishullin e Sardenjës, ndërsa në vjeshtë ekspozime edhe jashtë kufijve të Italisë.

Albana Temali