Ermonela Jaho vlerësohet me medalje nga kryeministri Rama - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në përpjekje për të bërë atë që mund të bëjmë e që mund të bëj për të shprehur gjithë kënaqësinë, krenarinë dhe respektin, nuk gjeta gjë më të madhe sesa medaljen ekskluzive që Kryeministri ia jep vetëm kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të shteteve të tjera” u shpreh Rama duke i akorduar sopranos me famë botërore medaljen.

Tiranë, 5 prill 2014 – Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho mori të shtunën vlerësimin më të lartë të kryeministrit Edi Rama që i akordoi medaljen ekskluzive që ai mund t’u japë vetëm presidentëve dhe kryeministrave të shteteve të tjera. Në përpjekje për të bërë atë që mund të bëjmë e që mund të bëj për të shprehur gjithë kënaqësinë, krenarinë dhe respektin, nuk gjeta gjë më të madhe sesa medaljen ekskluzive që Kryeministri ia jep vetëm kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të shteteve të tjera” u shpreh Rama duke i akorduar sopranos me famë botërore medaljen.

Për dhënien e kësaj medaljeje në ambientet e Kryeministrisë u organizua sot një ceremoni e veçantë, ku në prani të kryeministrti Edi Rama, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, u mblodhën artistë e dashamirës të artit.

“Nuk ka emocion më të madh e një kënaqësi më të rrallë, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim” – u shpreh sopranoja që këto ditë ndodhet në Shqipëri për Madame Butterfly me të cilën pas shtatë vjetëve është kthyer në skenën e TKOB.

“Mendoj që vlerësimi për njëri-tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrjeje. Këtë gjë e kam provuar me ardhjen time, me rolin e Madam Butterfly në Teatrin e Operës e Baletit. Gjithmonë kemi menduar, dhe flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, se e kemi shumë të vështirë të vlerësojmë e të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, respektojmë, vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ne shqiptarët bëjmë mrekulli. – vazhdoi sopranoja – Ajo mrekulli, siç ndodhi kur bashkuam të gjithë zemrat, të gjithë artistët, me operën Madam Butterfly dhe qe ai rezultat që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por të ndjerë diçka të vërtetë, diçka të sinqertë që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne, gjithë artistët shqiptarë. Ju falënderoj shumë dhe ky është hapi i parë i detyrës që duhet të bëjë një artist për vendin e tij”.

Duke dhënë vlerësimet më të larta për Ermonela Jahon, kryeministri i vendit ka thënë me krenari “Diva e skenave të botës së sotme operistike është një shqiptare”.

“’E fuqishme dhe e brishtë, një heroinë që rikthehet dhe tingulli i saj, i mbështjellë me pëlhurën prej fijesh të holla nate, sikur përfshin dhe përkul kohën’. Unë nuk gjeta fjalë më të goditura se këto të gazetës The Independent, për ta nisur këtë fjalë mirëseardhjeje dhe nderimi, kaq të merituar, për Ermonela Jahon, të cilën kemi fatin ta kemi sot, këtu mes nesh” ka nisur ai fjalën e tij.

“Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën si rrallë do na e kishte zili çdo vend me fuqi dhe nam shumë më të mirë sesa i yni. Ambasadore që na bën krenarë dhe na jep besim dhe kurajë, për të bërë të pamundurën që edhe zëri i Shqipërisë të tingëllojë bukur, një ditë, në skenën e Europës, në rolin  modest të një vendi të vogël si i yni, por, sidoqoftë, të respektuar për zërin e vet”  - ka vazhduar Rama. - Arti nuk ka atdhe, por artistët kanë”, thotë një shprehje e njohur. Unë vetë, sot jam shumë i lumtur dhe krenar që Ermonela Jaho, një artiste që i takon sot, gjithë botës, Atdhe ka Shqipërinë dhe është sot, këtu me ne, si për të na dhënë kurajë dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë krah për krah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares sonë të madhe”.

Në fjalën e saj, ministrja e Kulturës, Kumbaro, theksoi se “Ermonela Jaho i fal publikut shqiptar gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje të rralla zemre”.

“E kam ndier si të rrihte zemra, sepse skena jonë të tërhiqte me një tjetër emocion të veçantë atë të vendit ku kuptove sa e zonja je, emocionin e mësimit të parë, të sfidave të para, por edhe të dëshirës për ta zmadhuar vetë këtë skenë, jo vetëm për vete por sidomos për të rinjtë e Shqipërisë duke u dhënë atyre modelin e suksesit me atë çka ti vetë je dhe çdo fjalë më shumë do t’ia zbehte shkëlqimin”.