Fundim Gjepali, mes të ftuarve nga FAO për takimin në Ditën Botërore të Ushqimit - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Ushqimit 2013, që këtë vit i dedikohet luftës kundër shpërdorimit të ushqimit, në Eataly në Romë më 16 tetor do të mbahet një cooking-happening me tre shefa kuzhine ndërkombëtarë. Njëri prej tyre, Fundim Gjepali, shef ekzekutiv i restorantit Antico Arco në Romë

Romë, 15 tetor 2013 – “Humbjet dhe shpërdorimet ushqimore globale: nga reduktimi te parandalimi për një sistem ushqimor të përballueshëm” është tema e kuvendit ndërkombëtar të organizuar nga ministria e Jashtme Italiane dhe FAO, që do të mbahet të mërkurën më 16 tetor në selinë e kësaj të fundit në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Ushqimit 2013. Në kuvend do të marrin pjesë disa ministra e zëvendësministra të qeverisë Letta, nga Emma Bonino te Maurizio Martina, drejtori i përgjithshëm i FAO-s dhe presidenti i IFAD-it, që të dy organizma të Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të BE-së dhe profesorë universitarë.

Në vazhdim, në selinë e Eataly brenda stacionit Ostience të kryeqytetit, nga ora 18 deri në orën 22, do të mbahet takimi sensibilizues me temë “Para së gjithash mos shpërdoro” gjatë të cilit do të tregohen receta që kanë si kriter bazë mos-shpërdorimin dhe rikuperimin e ushqimeve.

Në Eataly do të zhvillohet edhe një cooking-happening që ka për qëllim të tregojë sa e mundshme është të mos shpërdorohet ushqimi. Ndër tre shefat e thirrur nga FAO, organizatore e këtij  aktiviteti, edhe Fundim Gjepali, shef ekzekutiv i Antico Arco, një prej restoranteve më të mira të Romës. Do të gatuajnë para publikut nga një pjatë të thjeshtë e me lëndë të para të ashtuquajtura “të varfra”.

“Jam i lumtur që jam thirrur për këtë festë. – tregon Gjepali për shqiptariiitalise.com – Mos-shpërdorimi i ushqimit është ndër vlerat me të cilat jam ushqyer që i vogël në Shijak, ku jam rritur. Edhe sot që jam shef ekzekutiv i një restoranti me emër në Romë, përpiqem jo vetëm të gjej lëndët e para më të mira për recetat që përgatisim, por edhe të mos çoj dëm asgjë”.

E nesër çfarë do të përgatisësh? “Një pjatë të thjeshtë e të shijshme me disa gjëra që mund të na kenë mbetur në fund të dollapit apo të frigoriferit. Si domate shumë të pjekura, gjizë (italiane) e kripur dhe bukë e ndenjur dhe e forcuar”.

Keti Biçoku

In italiano:
Fundim Gjepali: Da piccolo contadino a Executive Chef

Lexo edhe:
Fundim Gjepali, kuzhinieri shef

Receta kuzhine nga Fundim Gjepali:
Biskota me petale drithërash
Gjeli i detit me gështenja