Gaia Sokoli në ShBA për të marrë pjesë në Midwest International Piano Competition - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Një sfidë e re për pianisten e talentuar italo-shqiptare

Është edhe Gaia Sokoli mes konkurrentëve në Midwest International Piano Competition në Iowa të Shteteve të Bashkuara. Konkursi ndërkombëtar i përdyvjetshëm i pianos i organizuar nga University of Northern Iowa School of Music do të mbahet nga 5 deri me 11 qershor 2016. Nga 94 kandidatët e paraqitur nga 14 vende të botës, mes 35 të përzgjedhurve për kategoritë Senior e Junior është edhe Gaia Sokoli.

Ajo ka lindur në Erba në vitin 1998 e jeton në Alserio të Comos bashkë me familjen që ka emigruar në Itali që në fillim të viteve ’90.

Gaia ka nisur të marrë leksione në vitin 2006, kur ishte vetëm 8 vjeç, nga profesoresha e njohur në ambientin e mësimdhënies Claudia Boz. Nën drejtimin e saj ka ndjekur Konservatorin e Mantovës si privatiste ku u diplomua në moshën 16 vjeçare me notat më të larta. Tani, prej tre vjetësh studion me Prof. Leonid Margarius në akademinë për Piano “Incontri col Maestro” të Imolas.

Që kur ka nisur të marrë leksionet e para në piano e deri me sot, Gaia ka marrë pjesë e thuajse gjithnjë ka fituar vendin e parë në dhjetëra konkurse për piano ndërkombëtare dhe ka dhënë koncerte recital në Itali, Francë, Zvicër, Shqipëri, Rumani, Rusi, ShBA.

Kjo në Iowa, është sfida e radhës që jemi të sigurtë se do të dijë të fitojë. Suksese/In bocca al luppo Gaia Sokoli!