Gjashtë futbollistë shqiptarë, në fushë me skuadrat e Serisë A - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Skuadra “më shqiptare” është Lazio me drejtor sportiv Igli Taren

Nisi fundjavën e fundit të gushtit kampionati italian i futbollit i kategorisë më të lartë, Serisë A. E siç jemi mësuar këto vitet e fundit, edhe në ndeshjet e para të këtij kampionati nuk munguan futbollistët shqiptarë. Plot gjashtë, katër luajtën, dy të tjerë – që të dy portierë – mbetën në stol për të 90 minutat. Që të gjashtë i bashkon një fakt: skuadra e asnjërit nuk arriti të fitojë.

Skuadra më shqiptare e kampionatit konfirmohet Lazio e kryeqytetit, ku drejtor sportiv i klubit është Igli Tare. Në fushë kundër Milanit zbritën Lorik Cana e Etrit Berisha, që janë edhe kapiteni dhe portieri i kombëtares shqiptare. Në stol të Lazios edhe Thomas Strakosha, 19 vjeçari portier (edhe i kombëtare U21), i cili prej vitit 2012 është në radhët e Lazios. Thomas është i biri i Foto Strakoshës, ish portier i kombëtares shqiptare në vitet 1990-2005. Asnjë gëzim për shqiptarët e Lazios për këtë ndeshje të parë të kampionatit, skuadra e tyre u mund në San Siro të Milanos me rezultatin 3-1.

Me Chievon ka zbritur në fushë qendërfushori Përparim Hetemaj, 27 vjeçar që luan me kombëtaren finlandeze. Edhe pse ndeshjen e parë kundër Juventusit kampione e Italisë, skuadra e tij e ka humbur, Hetemaj mund të jetë i kënaqur në këtë periudhë: para pak ditëve, Chievo i ka zgjatur kontratën që do t’i skadonte në vitin 2015 edhe për tre vjet të tjerë. 

Me Empolin ka luajtur Elseid Hysaj, mbrojtës 20-vjeçar. Skuadra e tij, e sapoardhur nga Seria B, është ndëshkuar këtë ditë të parë të kampionatit nga dy gola të njëpasnjëshëm të Di Natales së Udineses.
Elseid Hysaj, jeton me familjen në Empoli që i vogël dhe ka lozur gjithnjë me të njëjtin klub, fillimisht me të rinjtë e tani me të rriturit. Nga shkurti 2013 vesh fanellën kuqezi të kombëtares shqiptare.

I vetmi të cilit fati i ka buzëqeshur deri minutat e fundit të ndeshjes, Samir Ujkani, portieri në stol i Palermos. Skuadra e tij ka shënuar në minutën e shtatë të pjesës së parë, por Sampdoria ka arritur të barazojë rezultatin në minutën e 46-të të pjesës së dytë. Ujkani luan në kampionatin italian nga viti 2007, në skuadrën e Palermos që e ka alternuar me Novarën dhe Chievon. Ujkani është ndër ata që pasi ka përfaqësuar Shqipërinë për disa vjet, nga 2 marsi 2014 mbron portën e përfaqësueses kosovare.

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)