Grupi i Ermal Metës zbarkon në Sanremo - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

La Fame di Camilla shkon në Sanremo me këngën "Buio e Luce" të shkruar e të kënduar nga Ermali. "Errësira dhe drita janë bij të diellit" thotë kënga, për të thënë që mund edhe të fshehësh ndjenjat për dikë, por errësira nuk mund të pengojë kthimin e dritës, arsyeja nuk mund të fshijë identitetin e zemrës. Me poezinë e tekstit, melodinë ëndërrimtare, kënga të bën menjëherë për vete

Ermal Meta është 28 vjeç, jeton prej rreth 16 vjetëve në Bari ku ka mbërritur me familjen e tij nga Fieri. Në Itali ka sjellë me vete edhe pasionin për muzikën, me të cilën është ushqyer që i vogël, falë së ëmës, mësuese violine. Ermali këndon, i bie pianos dhe kitarës. Siç tregon edhe vetë i janë shumë familjarë edhe tingujt, të bezdisshëm për shumëkënd, të akordimit të një instrumenti. Ka nisur të studiojë pianon në qytetin e tij të lindjes që në klasë të parë, por rreptësia e mësuesve dhe kokëfortësia e tij nuk shkuan dakord për më shumë se dy vjet. E la studimin por nuk braktisi pasionin e tij për muzikën.

Si shumë familje shqiptare, nga mesi i viteve ’90 edhe e tija vendosi të emigrojë në Itali. Këtu rinisi studimin autodidakt të pianos, më pas edhe të kitarës, duke zbuluar kështu një botë të re, siç tregon ai. Ndërsa për zërin, rrëfen se ka kënduar gjithnjë, që i vogël. Nga mosha 16-vjeçare ka kënduar, i ka rënë pianos e kitarës sa me një grup me tjetrin. Sepse, të shpjegon, ndodh shpesh që disa muzikantë të vihen të bëjnë muzikë së bashku, e pas një periudhe të marrin drejtime të ndryshme dhe të ndahen. Kështu i ka ndodhur shpesh edhe Ermalit, e megjithatë vlerëson të gjitha eksperiencat që ka pasur, që e kanë rritur profesionalisht.

Prej vitit 2007, bashkë me tre muzikantë nga Bari, djem të rinj si ai, ka krijuar grupin pop-rock “La Fame di Camilla”, të cilit i jep jo vetëm zërin, pianon dhe kitarën por edhe tekstet e këngëve që këndojnë. Komponentët e tjerë të bandës janë Giovanni Colatorti, kitarist, Dino Rubini, basist, dhe Lele Diana, baterist. Grupi është ndër më të vlerësuarit në llojin e vet nga kritika. Tekstet e linja melodike që nga një anë të sjellin ndërmend kantautorët e mëdhenj por nga ana tjetër janë të reja e origjinale, godasin drejt e në zemër dëgjuesin. Djemtë, të takuar rastësisht, shumë shpejt nisin të punojnë së bashku në studio, të nxjerrin këngët e tyre. Në italisht e në shqip (tekstet i shkruan vetë Ermali), që entuziazmojnë publikun dhe bëjnë për vete kritikën, falë emocioneve të teksteve, poetike dhe të drejtpërdrejta njëkohësisht, falë cilësisë dhe intensitetit të koncerteve. Për të rinjtë nis një veprimtari e ngjeshur dhe e pandërprerë koncertesh live, në lokale, festivale konkurse të ndryshme. Fillimisht nxjerrin këngën e vetme “Storia di una favola”e më pas, në shtator 2009 djemtë kanë nxjerrë diskun e tyre të parë që mban emrin e grupit, ndërsa tani në shkurt do të nxjerrin një tjetër ku do të jenë këngët e të parit dhe tri të reja. Disku përmban edhe një kënga në shqip “Në dorën tënde”, të pritur shumë mirë nga të gjithë. Por nuk përdor vetëm gjuhën shqipe, por edhe tema shqiptare apo emigracioni. “Shqipëria është pjesë e tija”, të ndahet prej saj e ka të pamundur sepse nuk mund të ndahesh nga vetja.

Në janar grupi “La Fame di Camilla” u përzgjodh për të marrë pjesë në festivalin e Sanremos në kategorinë e brezit të ri, mes qindra konkurrentëve. Për Ermal Metën nuk është herë e parë pasi ka marrë pjesë në Festivalin më popullor të muzikës së lehtë italiane edhe katër vjet më parë me një tjetër grup ku bënte pjesë asokohe, Ameba4 për fundin e të cilës flet pa keqardhje edhe pse e vlerëson si një përvojë të dobishme. Në Sanremo shkojnë me këngën “Buio e Luce” të shkruar e të kënduar nga Ermali, e cila mund të dëgjohet prej një muaji edhe në faqet internet të Festivalit. “Errësira dhe drita janë bij të diellit” thotë kënga, për të shpjeguar që mund edhe të fshehësh mendimet për dikë, por errësira nuk mund të pengojë kthimin e dritës, arsyeja nuk mund të fshijë identitetin e zemrës. Me poezinë e tekstit, rokun, melodinë ëndërrimtare, kënga të bën për vete sa e dëgjon për të parën herë.

E takuam Ermalin në fund të janarit, në Romë, teksa regjistronte bashkë me grupin e tij diskun e ri. Të bën përshtypje se me sa pasion flet për muzikën. Dhe kur e pyet nëse janë të katërt kështu, tregon se ky pasion është në themel të grupit dhe duke qeshur shton: “Unë e mbaj pak veten, ata janë edhe më keq se unë”. (Ke.Bi.)

Intervista

Urime, grupi yt është përzgjedhur për të marrë pjesë në Sanremo, në kategorinë e të rinjve, dhe nuk e ke për herë të parë. A je i emocionuar?

Mua më duket sikur marr pjesë për herë të parë. Këtë radhë shkoj në Sanremo me një këngë të shkruar dhe të kënduar nga unë. Kënga mbart emocionet e mia, në tekst e në muzikë. Sot bëmë provat me orkestrën e Sanremos e ndihem vërtet shumë i emocionuar. Është shumë më ndryshe se herën e parë, jam shumë herë më i emocionuar se herën e parë edhe pse zakonisht ndodh e kundërta, herë e parë është e paharrueshme. Kënga titullohet “Buio e luce”.

Edhe Sanremo i këtij viti është disi ndryshe nga të tjerët. Këngët nga do të përzgjidhesh dhjetë për të marrë pjesë në kategorinë e të rinjve mund ishin të gjitha në sitin e RAI-t, në faqet dedikuar festivalit, dhe kushdo mund të dëgjonte këngët e dërguara për konkurrim. U përzgjodhëm ne, i vetmi grup, dhe nëntë këngëtarë të tjerë.

Kush janë pjesëtarët e grupit tënd?

Grupi ynë përbëhet nga katër vetë, unë këndoj dhe luaj në kitarë e piano, dhe tre djem nga Bari: Giovanni Colatorti kitarist, Emanuele (Lele) Diana baterist dhe Dino Rubini basist. Të tre djemtë kanë vite të tëra studimesh mbi shpatulla, praktikisht unë jam anëtari i grupit që ka studiuar më pak.

Grupi ka lindur para tre vjetësh, fare rastësisht. U takuam në një dyqan veglash muzikore ku punonte njëri prej nesh ku, domosdo, shkonim gjithmonë. Aty në dyqan filluam të flisnim me njëri-tjetrin dhe kuptuam që idetë tona muzikore kishin shumë pika takimi. Menjëherë vendosëm të bëjmë një provë në studio live për të kuptuar nëse vërtet mund të funksiononim së bashku. Qe diçka që as vetë nuk e prisnim: shkoi shumë shumë mirë. Nga prova e parë punuam në studio së bashku e pas dy muajve dhamë koncertin e parë. E që atëherë nuk jemi ndalur më, kemi bërë gjithnjë koncerte. E kam parë vërtet shumë pak shtëpinë këto dy vitet e fundit. Të gjithë anëtarët e grupit vinim me një eksperiencë të gjatë mbi shpatulla, prandaj edhe ia dolëm që të jepnim thuajse menjëherë koncerte, pasi e dinim se ç’ishte muzika live. Të kompozosh e të regjistrosh është një gjë, por të vësh në skenë këngën është tjetër gjë. Duhet respektuar një kohë, duhet interpretuar, duhen dhënë ngjyrimet e duhura, nuk mjafton të luash me saktësi pjesën në kitarë apo bas apo bateri. Duhet që të katërt të jemi në sintoni të plotë, si një trup i vetëm. Për të bërë këtë ose ke shumë eksperiencë ose je shumë me fat. Dhe unë mendoj që fati nuk ka të bëjë fare me rastin tonë.

Keni prodhuar edhe një disk...

Po në shtator kemi dalë me një disk e tani dalim me tjetrin që përmban disa këngë nga disku i parë por edhe disa të reja, e mes këtyre të fundit edhe këngën e Sanremos.

la_fame_di_camilla.jpg

Disqet e grupit tuaj janë që të dy me Universal?

Po, po. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë: ata kanë besim tek ne si artistë dhe ne kemi shumë besim në punën e tyre. Punojnë shumë mirë, janë të gjithë të rinj, kuptojnë nevojat e artistëve të rinj, i dinë mirë se cilat janë vështirësitë e fillimit ndaj na ndihmojnë jashtë mase.

Nuk kemi trokitur shumë dyerve për të prodhuar diskun e parë. Kemi pasur fat që dera e parë të ishte ajo e duhura. Ishim në një festival, ku kishim shkuar jo për të dhënë koncert por për të tërhequr një çmim, dhe aty njohëm një person që më vonë zbuluam se kishte të bënte me diskografinë. Ajo çoi diskun tonë te Universal dhe atyre u pëlqeu. Kur më morën në telefon gati më ra infarkt. Fillimisht nuk e besova, kujtova se dikush po bënte shaka me mua. Pastaj pashë prefiksin 02 të Milanos dhe fillova ta besoj. Prefiksi 02 paralajmëron diçka të rëndësishme. Mund të jetë lajm i mirë ose i keq por është gjithnjë diçka shumë e rëndësishme.

Diskografia, në përgjithësi, nuk po kalon një çast të mirë...

Jo aspak, muzika ka një deficit shumë të madh nga shkarkimet nga interneti. Por nga ana tjetër interneti u bën një shërbim shumë të madh artistëve, pasi falë tij arrin menjëherë kudo. Por kjo marrëdhënia muzikë-internet duhet zgjidhur në një farë mënyre nga ana ekonomike, sepse çdo gjë është ekonomi, edhe muzika është ekonomi. Interneti nuk përbën problem për muzikantin por për atë që investon mbi muzikantin. Artisti ka nevojë për internetin por interneti dëmton diskografinë. Por diskografia ka nevojë për artistin, sepse pa të nuk do të ekzistonte. Me një fjalë është si ai qeni që kafshon bishtin e vet. Sot për sot, pirateria në kompjuter po krijon shumë më tepër probleme se pirateria e thjeshtë e shitjes së disqeve pa të drejtat e autorit. Sot shiten shumë herë më pak disqe se më parë. Nëse mendon që deri para 10-15 vjetëve diskun e artë ta jepnin me 100-150 mijë kopje të shitura, sot ta japin me 35 mijë. Kanë ndryshuar shumë proporcionet.

Sot janë të paktë artistët që shesin 800 mijë, 1 milion kopje të një disku: Vasco Rossi, Ligabue, Jovanotti me diskun e fundit, këta janë.

A është ndonjë prej tyre miti yt, o të paktën ka qenë kur ishe në Shqipëri?

Jo, jo. As kur kam qenë në Shqipëri nuk kam pasur mite italiane. E ndieja që atëherë që nuk ishte drejtimi im, muzika që doja të bëja. Më pëlqejnë grupe italiane si Afterhours, Marlene Kuntz, Subsonica, apo kantautorja Cristina Donà. Janë artistë të shkëlqyer por jo shumë të njohur nga publiku i gjerë. Ndërsa për të ashtuquajturit italian top artists nuk kam ndonjë simpati të veçantë. Ndoshta synoj të bëhem unë vetë një italian top artist por do të mbetesha sidoqoftë albanian e prapë do të niste lufta për të kuptuar se ç’emër duhet të më vënë (qesh)...

Emri i grupit “La fame di Camilla” nga vjen?

Nga një koncept filozofik i Feuerbach-ut që thotë “njeriu është ajo çka ha”. Dhe me siguri nuk e kishte fjalën për ushqimin në kuptimin e parë të fjalës por për diçka më të gjerë për atë që ushqen shpirtin, botën e brendshme të njeriut. Ne kemi uri për muzikën, që është gjithçka: është ushqim, është helm, është gjëja më instinktive që ne kemi. Mendo një fëmijë, çdo gjë që i bie në dorë e fut në gojë, e ka instinkt. Ashtu është muzika për ne. Ndërsa Camilla sepse në shprehjen “la fame di Camilla” po t’i bashkosh gërmat të gjitha e të marrësh ato nga germa M e fjalës fame gjen fjalën “medicami” (la faME DI CAMIlla), më kuro, më mjeko. E për ne muzika është kurim e sëmundje, shërim e sëmundje në të njëjtën kohë.

Disku i parë ka edhe një këngë shqip, “Në dorën tënde”, që për një grup italian rock-u nuk është diçka e zakontë...

Jo, jo gabohesh, grupi është italo-shqiptar. Sidoqoftë, për një grup rock-u në Itali është gjë e veçantë e megjithatë ajo këngë u prit shumë mirë. Edhe në koncerte kënga pritet vërtet shumë mirë. Publiku shijon tërësisht muzikalitetin e këngës pa e kuptuar tekstin, e më vonë ndoshta më nisin mesazhe e duan të dinë se ç’them në këtë këngë. Por në shumicën e rasteve nuk u përgjigjem pasi nuk dua t’u them për çfarë flet kënga. Është diçka që dua të mbaj për vete, po ta nxjerr jashtë nuk ka më vlerë. “Në dorën tënde” më erdhi shumë natyrshëm në gjuhën shqipe dhe u prit shumë mirë nga shokët e grupit. Madje ata më shtyjnë gjithmonë të shkruaj në shqip. Dhe në të vërtetë, kam shkruar këngë të tjera në gjuhën shqipe që ende nuk kanë dalë.

Jo vetëm shkruan në gjuhën shqipe por edhe mbi tema shqiptare. Ke shkruar një këngë për shembull për bashkatdhetarët që humbën jetën në det më 28 mars 1997.

Më shumë se “humbën jetën” do të thosha “i vranë” por kjo është tjetër gjë. E ndieja se duhet të shkruaja diçka për atë ngjarje jo pse isha i detyruar ta bëja por sepse doja të nxirrja një dhimbje që më mundonte brenda. Dhe e vetmja mënyrë që unë njoh për ta bërë është muzika. Dikush bën një pikturë, dikush tjetër skulpturë, kurse unë bëj muzikë. U dhashë formë ndjenjave e mendimeve të mia me atë këngë.

Jam shumë i lidhur me Shqipërinë, herë me tema e herë me gjuhën, ajo është shpesh në këngët e mia. Nuk kam si i ndahem Shqipërisë, është si t’i ndahesha vetes.

Po pjesëmarrjen në Festivalin e Sanremos 2006 si e ke përjetuar.

Ishte një eksperiencë që më zbaviti shumë dhe më rriti profesionalisht, siç të rrit profesionalisht edhe të këndosh përpara një njeriu të vetëm, sepse diçka i shton vetes. Por nga ana emocionale është krejt ndryshe nga sot. Emocioni i atëhershëm ishte i pakontrolluar dhe më dëmtonte, do të thosha nga ana emotive. Sot e përjetoj ndryshe. E kuptoj më mirë, e vlerësoj më shumë pjesëmarrjen time këtë vit. Për ta thënë ndryshe: në 2006-tën ishte zjarr që më digjte, sot është zjarr që më ngroh.

Në Itali ke ardhur në moshën 13-vjeçare. A kishe studiuar muzikë në Shqipëri, apo e nise këtu nga e para?

Kam filluar muzikën që i vogël, në qytetin tim të lindjes, në Fier. Unë kam lindur mes muzikës sepse ime më ishte mësuese violine. Të të tregoj një episod: sot kur hymë në studion e RAI ndiheshin tingujt e akordimeve të violinave. Për shumëkënd është diçka e bezdisshme, ndërsa për mua është diçka shumë familjare, më pëlqen shumë pasi që kur isha në barkun e mamasë i dëgjoja këta tinguj. Më emocionuan është këta tinguj.

Kam filluar të studioj piano që në klasë të parë kur isha gjashtë vjeç, në shkollën Jakov Xoxe. Por për pak kohë, vetëm për dy vjet, pasi kisha probleme me disiplinën. Mësuesit ishin shumë të rreptë ndërsa unë me kokëfortësinë time nuk arrija të bëja siç donin ata. Kështu e lashë muzikën, ose më mirë studimin e saj sepse brenda meje e kam pasur gjithnjë.

Pastaj e rifillova këtu në Itali, jo në shkollë por vetë. Bleva një piano dhe fillova t’i bija. Më pas bleva një kitarë sepse theva këmbën duke lozur basketboll e duhet të rrija dy muaj në krevat. Po mërzitesha shumë e mora një shok në telefon dhe i thashë: “Më sill një kitarë se po mërzitem shumë, nuk ia dal dot kështu, po vdes”. Më solli kitarën e tij të vjetër që nuk arrija as ta akordoja dot. E aty zbulova diçka të re, një botë të re sepse kitara është krejt ndryshe nga pianoja.

Sa për të kënduarit, e kam bërë gjithmonë, që i vogël. Bridhja nëpër lagje duke kënduar e mamaja më bërtiste “vetëm zëri yt dëgjohet”. Dhe më ka ngelur zëri...

Kur ke dalë për herë të parë përpara publikut?

Kur isha 16 a 17 vjeç këtu në Bari. Isha në një grup ku vetëm këndoja. Kishim një pianist shumë të zotin dhe dy kitaristë. Që atëherë nuk jam ndalur më. Kam kënduar, e i kam rënë pianos apo kitarës me grupe të ndryshme, pasi e nis me njërin por pas një pike të caktuar e sheh që jo të gjithë shkojnë në të njëjtin drejtim e grupi prishet. E lidhesh me të tjerë... Por që të gjithë kanë rëndësinë e vet.

Ke ardhur në Bari me familjen, je ai që quhet “emigrant i brezit të dytë”. Të ka rënduar ndonjëherë të qenit i huaj, shqiptar.

Mua nuk më ka peshuar asnjëherë, ndonjë tjetri ndoshta i ka rënduar që unë jam shqiptar. E me habi më ka pyetur : “Ti je shqiptar?”. Por s’kam bërë ndonjë krim ndaj ndihem i qetë. Me këtë dua të them që natyrisht racizmin e kam ndier ndonjëherë, por unë jam kokëfortë e krenar, racizmi nuk më vë poshtë. Ndaj në këtë drejtim, me mua, është si t’i biesh murit me kokë, do të thyesh kokën. Në këtë këndvështrim jam tamam mur, nuk më thyen dot.

Ke Shqipërinë në mendje, në zemër, në këngët e tua. A shkon shpesh atje?

Po, po, shkoj. Këta dy vjetët e fundit jo sepse kam qenë shumë i zënë por sa herë mundem shkoj, kam edhe të afërm atje. Por më shumë se për ta shkoj për tokën, kam një lidhje të veçantë me vetë tokën. Shqipëria është për mua një burim frymëzimi. Sa herë që kthehem nga Shqipëria, shkruaj e shkruaj pa fund.

E ndjek jetën artistike në Shqipëri?

Jo nuk arrij ta ndjek. E kam të vështirë që këtu pasi më duhet të ndjek, dhe me shumë kujdes, zhvillimet artistike në Itali. Me sa kam dëgjuar në Shqipëri nuk ka një shkollë të mirëfilltë rock-u, të muzikës rock-pop. Nuk e di, por më duket se atje ka shumë rap, shumë muzikë popullore. Më duket se muzika e sotme shqiptare është më shumë për zbavitje, sesa një formë arti. Të gjitha këngët që kam dëgjuar flasin vetëm për dashurinë. E vërtetë që “bëni dashuri e mos bëni luftë” thonë, por edhe kjo tema e dashurisë është si punë e mjaltit, pas pak të velit.

Nuk kritikoj askënd, thjesht po them ç’mendoj në këtë aspekt. Duhet të ketë një reformë kulturore, por jo reformë në kuptimin e diçkaje të vendosur me ligj apo nga shteti. E kam fjalën për një reformë që duhet të nisë nga vetë muzikantët. Duhet të eksperimentojnë. Të kenë guximin e të bëjnë eksperimente muzikore, tingujsh. Jo vetëm rap apo hip-pop apo muzikë popullore. Të mos keqkuptohemi, muzika popullore më pëlqen shumë: me grupin tim nisim të gjitha koncertet me muzikë popullore shqiptare. Pa hipur në skenë, e nisim koncertin duke lëshuar një këngë popullore shqiptare. Quhet “Shenjti perëndi”, këndohet nga një kor burrash e grash me rreth 40 zëra. Është e mrekullueshme. Unë jam shumë i lidhur me muzikën popullore shqiptare, është shumë e bukur dhe e vlerësuar, si polifonia për shembull. Por bota shkon përpara, ndonjëherë bëhet edhe ciklike. Tani po kthehen tingujt e viteve ’60. Po kthehen Beatles, Pink Flloyd. Ajo shija vintage kthehet gjithmonë. Me përjashtim të Amerikës që shkon gjithnjë në drejtime që unë nuk aprovoj fare. Si muzikant, flas, pasi nga ana e biznesit, ndoshta ata kanë gjetur çelësin e duhur, në kuptimin që dinë të bëjnë muzikë komerciale, por paraja dhe arti, jo gjithnjë shkojnë paralelisht.

Por në Shqipëri mund të fillojë të lëvizë diçka, sepse ka ferment, ka muzikantë e shumë prej tyre janë të aftë. Do të më pëlqente sikur të niste një eksperimentim qoftë në tekste qoftë në muzikë. Dhe shkolla në këtë drejtim nuk mund të bëjë shumë. Dhe nuk është problem shkolle. Shkolla është shkollë. Nëse është shkollë është akademi, nëse është akademi është klasike. Duhet të të japë bazat. Je ti vetë që vendos, pasi merr njohuritë bazë muzikore, ç’drejtim të marrësh. Janë vetë muzikantët që duhet të provojnë rrugë të reja.

Njeh artistë të tjerë shqiptarë në Itali?

Po kam njohur personalisht një grup në Firence që bënin rap, nuk di nëse janë akoma bashkë. Ishin një përzierje shumë interesante, shumë e bukur: kitaristi ishte maroken, dy këngëtarët shqiptarë dhe bateristi argjentinas, dhe bashkë krijonin diçka shumë të bukur, mbresëlënëse.

Elsa Lila është, për shembull, këngëtare shumë e mirë, nga ana teknike është e shkëlqyer dhe ka një zë që më pëlqen shumë. Por unë kam shije të tjera artistike.

A mendon të shkosh të këndosh një ditë në Shqipëri?

Do të shkoj patjetër. Tani për tani kemi një datë, 16 majin në Durrës por ende nuk është e sigurt pasi duhen zhvilluar disa detaje teknike. Duhet një punë e madhe organizative, nuk është e thjeshtë pasi çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet. Të ishte për mua merrja kitarën e shkoja, por është një strukturë e tërë që duhet të funksionojë. Besoj se koncerti është në brendësi të një festivali, që zgjat për 2-3 ditë.

Po për në festival të Tiranës a mendon të shkosh, në mos për të kënduar, për ta prezantuar siç kanë bërë Elsa Lila apo Alban Skënderaj?

Jo, jo, jo (qesh me të madhe). Nuk jam i zoti as të jap një intervistë jo më të prezantoj një festival të tërë.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 229 - 1 shkurt 2010

http://www.youtube.com/watch?v=YvN7HdG8cOw&feature=related

embed video plugin powered by Union Development