Helidon Xhixha, çmim karriere në Novara - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Më 10 tetor 2009, Bashkia e qytetit Novara i ka akorduar skulptorit shqiptar Helidon Xhixha dhe piktorit italian Enrico Colombotto "Çmim për Karrierë".

Ceremonia e dhënies së çmimit u organizua në Salone Arengo del Broletto, në praninë e përfaqësuesve t autoriteteve lokale, kritikeve, galeristëve, gazetarëve e dashamirësve t artit e miq t artistit e bashkëpunëtorë të tij.

Kjo ceremoni ishte planifikuar dhe u realizua n ditën e inaugurimit të Edicionit të 9-të të Ekspozitës kombëtare për Pikturë e Skulpturë në Novara, një aktivitet ky që konsiderohet si një nga vitrinat më të rëndësishme të ofertës kulturore novareze dhe përbën një moment për t'u "takuar" me qytetin e Novarës dhe pasurinë e tij artistike e kulturore.

xhixha4.gifSkulptori nga Durrësi, Helidon Xhixha, i adoptuar nga Novara, arriti te ky çmim falë studimit, punës krijuese e kërkuese dhe nivelit të lakmueshëm bashkëkohor të arritur, por në të njëjtën kohë edhe falë aftësisë e shkallës së integrimit në jetën sociale e kulturore të vendit ku ka vendosur të ndërtojë të ardhmen e tij si artist e si qytetar. Novara, ku artisti jeton e punon prej vitesh mban në sheshet e saj skulpturat e tij. Bashkia e qytetit i ka dedikuar një hapësirë të veçantë ekspozimi në një nga parqet më të frekuentuara nga qytetarët. Skulptura të tjera monumentale apo basorelieve të punuara në çelik të paoksiduar ndodhen "me qëndrim të përhershëm" në sheshin "El Alamein", në sheshin para Bashkisë apo para Kuesturës Novara. Por, skulpturat e Helidonit i gjen edhe në rajone të tjera të Italisë, në Emilia Romagna, në Maranello, ku tashmë të gjithë e njohin "Kalin Kas" që ndodhet para Stabilimentit Ferrari (afër autodromit të garave të F1-shit) i cili dominon sheshin me 6 metrat e gjysmë të tij, apo skulptura të tjera monumentale në Stressa, në Palazzola e në LungoMare.

Gjithnjë në kërkim të rrugëve të reja shprehëse, kohët e fundit ka realizuar serinë e punimeve "Energjia nëpërmjet ngjyrës", e cila tërhoqi vëmendjen e kritikës e galeristëve në ekspozimet ndërkombëtare të artit bashkëkohor si ajo e MIART dhe ARTVERONA.

Në fazë përfundimi është edhe projekti i nisur vite më parë për vendosjen e skulpturës monumentale "Rilindja e Kullave " në Nju Jork, pas itinerarit ekspozues në disa qytete në Europë si në Firenze, Milano, Stressa, Como, Berlin.

Të njëpasnjëshme dhe ofertat për ekspozim, ndër më të fundit në ditën e inaugurimit të stinës së 9-të Simfonike 2009/2010 dhe të projektit "from Columbus to Columbus" në Sallën Verdi të Konservatorit të Milanos, më 14 Tetor 2009, ndërkohë që sapo ka dalë nga shtypi katalogu zyrtar i artistit shqiptar, me botues Skira - një pasqyrë e plotë e krijimtarisë artistike të Xhixha e ku fjala e kritikës është ajo që përcakton të ardhmen e krijuesit e mbetet gjithnjë pikë referimi për specialitë të artit.

Për më shumë informacion mund të vizitoni edhe sitin xhixha.it

Albana Temali

Shqiptari i Italisë i muajit nëntor 2009