Irma Kurti, fituesja e parë shqiptare e çmimit “Universum Donna” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Çmimi u jepet nga Universum Academy në bashkëpunim me Universitetin e Paqes në Lugano të Zvicrës 10 grave që janë shquar në fusha të ndryshme të jetës

Romë, 16 tetor 2013 - Irma Kurti nderohet me çmimin “Universum Donna” Edizioni IX, 2013, nga Universum Academy në bashkëpunim me Universitetin e Paqes në Lugano të Zvicrës. Ky çmim u jepet çdo vit 10 grave që kanë spikatur në fusha të ndryshme si në art, letërsi, shkencë, biznes etj dhe që kanë lënë gjurmë konkrete me aktivitetin e tyre duke respektuar në mënyrë të veçantë principin e paqes e vëllazërisë.

Ceremonia e dhënies së çmimeve u zhvillua në 13 tetor në Lugano (Canton Ticino) në prezencën e autoriteteve të botës së kulturës, akademike, politike e fetare. Merrnin pjesë dhe sekretari i parë i Ambasadës Shqiptare në Bern, zoti Kastriot Noli si dhe sekretarja e dytë në Misionin e OKB në Gjenevë, Mira Bregu.

384 kandidaturat iu nënshtruan vlerësimit kompetent e me profesionalizëm të lartë të Jurisë Ndërkombëtare të Çmimit “Universum Donna” nën drejtimin e princeshës Ranzie Mensah. Fitueset e këtij viti vinin nga Zvicra, Italia, Amerika, Anglia, Ukraina e Siria.

Çmimi “Universum Donna” që deri në vitin 2010 njihej si “Donna dell'anno” (Gruaja e Vitit) për herë të parë i jepet një shqiptareje.

Përveç tërheqjes së targës e diplomës për çmimin “Universum Donna”, Presidenti i Universitetit të Paqes së Zvicrës Italiane, Valerio Giovanni Ruberto u dorëzoi 10 fitueseve dhe fashën, medaljen e diplomën e “Ambasadores së Paqes”, emërtim ky i vlefshëm për të gjithë jetën.

Në motivacionin e jurisë për Çmimin Ndërkombëtar “Universum Donna- IX Edizione 2013” akorduar shkrimtares Irma Kurti për seksionin e letërsisë shkruhet: “Për kontributin në shërbim të kulturës e për meritat që rrjedhin nga kurrikulumi i saj personal, ku evidentohet në mënyrë të qartë aktiviteti i pasur që synon në arritjen dhe afirmimin e idealeve më të larta të jetës”.

Irma Kurti, që sot jeton në Bergamo, ka filluar të shkruajë që në moshën 10 vjeçare; në 1980 poezia e saj “Për ty Atdhe” është vlerësuar me çmim të parë më rastin e 35- vjetorit të Revistës “Pioneri.” Me një karrierë të gjatë  krijuese ajo njihet nga publiku i gjërë si autore e teksteve të  këngëve në  Festivale ne RTSH e koncerte pranvere. Kurti ka botuar nëntë libra në gjuhën shqipe në poezi, prozë e publicistikë si dhe tre në italisht.

Kurti ka fituar dhjetëra çmime nëpër konkurse ndërkombëtare për poezitë, tregimet apo për librat e saj: Çmimin e parë në Konkursin “Napoli Cultural Classic 2011” në seksionin e autorëve të huaj, çmimin e kritikës në Konkursin “Integrimi Kulturor për një botë më të mirë” 2011 në Milano, çmimin e parë në Konkursin Kombëtar ”Lago Gerundo” 2011 në Paullo, Milano, çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi” 2012 në Pontedera(Pisa), çmimin e tretë në Konkursin “Città di Recco” 2012, çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar “Europa” 2013 në Lugano, çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar “Andrea Testore 2013” në Toceno (Piemonte) etj.

Poezitë e Irma Kurtit janë përfshirë në disa botime të Librarisë  Ndërkombëtare të  Poezisë  në  Maryland të  USA si në Antologjitë: “Të thëna përgjithnjë”, “Poezitë dhe poetët më të mirë, 2007” etj. Vargjet e proza e saj bëjnë pjesë në antologjitë: “Il Federiciano” publikim i  "Aletti Editore", "Diffusione Autori" 2011, “Napoli Cultural Classic  2013“, “Racconti delle donne straniere 2012/2013”, “Enciklopedia Universale e Autorëve Italianë” etj.

Redaksia Shqiptari i Italisë