Kabatronics, Fanfara Tirana takon Transglobal Underground - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Qarje të klarinetës e tinguj etno-techno, herë melankoli e trishtim e herë hare e ironi. Janë ndjesitë që të mbeten pasi dëgjon 14 këngët e albumit Kabatronics, kaq të ndryshme nga njëra tjetra por që të gjitha me një gjurmë të fortë shqiptare. Është albumi që Fanfara Tirana ka realizuar me grupin etno-techno Trans­global Underground me qendër në Londër, i famshëm për aftësinë e përzierjes elektronike të ritmeve e stileve të ndryshme muzikore.

Fanfara Tirana, pjesë e Bandës Frymore të Ushtrisë, bashkë më ikonën e folkut shqiptar, Mjeshtrin e Madh Të Arteve, Hysni Zela, sot ka një histori të pasur dhe prestigj të njohur në arenën e muzikës botërore. E lindur si për shaka, falë muzikës së mrekullueshme dhe një menaxheri të ri, të aftë e mendjehapur, është projektuar drejt të ardhmes, duke njohur botën me një pjesë të kulturës thellësisht shqiptare. Përmes tingujve të tunxhtë e isos, ka arritur të përçojë nëpër sheshet evropiane muzikën më të mirë shqiptare e madje të elektrizojë turmat që e perceptojnë atë si një risi, jo vetëm në sferën e përgjithshme muzikore por edhe në vetë llojin e muzikës etnike.

Sot Fanfara Tirana me këngëtarin Hysni Zela mund të konsiderohet pa frikë i vetmi projekt muzikor shqiptar që eksportohet me sukses në skenat më prestigjioze të Europës.

Pesë vjet më parë, doli disku i parë i Fanfarës, Albanian Wedding, që bëri për vete e korri sukses të jashtëzakonshëm mes të pasionuarve të muzikës, duke zënë vend në top-listat muzikore mbarëbotërore.

Në shkurt të këtij viti, mbërrin albumi i fundit. Një hap i madh përpara, qoftë në përmbajtje qoftë për cilësi realizimi. Quhet Kabatronics dhe është fryt i një bashkëpunimi tejet të veçantë: i Fanfarës Tirana me Transglobal Underground (TGU) të Londrës, grup etno-techno i specializuar në shkrirjen e stileve muzikore perëndimore, lindore e afrikane.

Albumi përmban 14 këngë, 14 “takime të përkryera” mes Kabasë dhe Reggae-s, mes tunxheve dhe elektronikës, mes polifonisë e tingujve të sitarit, zërit ikonë të folkut shqiptar Hysni Zela dhe zërit të zi të Tuup. Folklori shqiptar apo ballkanik përbën bazën e diskut. Është kabaja, e qara e klarinetës, blues-i e jazz-i ynë antik ballkanik rreth të cilës ndërhyn me delikatesë, respekt e ndrojtje Transglobal Underground të Londrës. Rezultati: një muzikë që mund të konsiderohet zhanër më vete dhe që të lë gojëhapur.

Albumi ka një shumëllojshmëri ritmesh e melodish, aq sa po t’i dëgjosh këngët më vete nuk e imagjinon se janë të gjitha pjesë të të njëjtit disk. Por nëse i dëgjon ato të gjitha bashkë, kupton se janë pjesë e një të tëre. Përshkohen të gjitha nga një frymë ballkanike apo orientale, që është pikërisht ajo që kemi absorbuar gjatë pesë shekujve nën perandorinë otomane e që Fanfara Tirana ka ringjallur e rivlerësuar e shoqëruar nga tingujt e Transglobal Underground të një atmosfere herë mesdhetare e herë indiane.

Albumi, “martesë” e shkëlqyer mes antikes ballkanike dhe alkimive moderne elektronike të Londrës, është prodhuar në nivelin më të mirë të mundshëm që nuk ka ç’t’u ketë zili produksioneve të etiketave të mëdha muzikore. E menjëherë tërheq vëmendjen e vlerësimet e kritikës ndërkombëtare, edhe pse në Shqipëri kalon në hije. Ka arritur në Top 5 në renditjen World Music Chart; ka marrë vlerësimin më të lartë (5 yjet) nga Manifesto në Itali e Mondomix në Francë; vlerësohet me katër yje nga The Times, The Guardian, The indipendent, Rumore, Rolling Stone, e dhjetëra revista e gazeta mbi muzikën në mbarë botën, nga Kanadaja në Japoni, nga Kolumbia në ShBA.

Albumi është një eveniment që nuk duhet humbur. Kush të mundet le të ndjekë live turneun evropian veror “Fanfara Tirana meets Transglobal”, data e parë e të cilit është 12 korriku në Villa Ada të Romës.

Olsi Sulejmani: “Kabatronics, një album i ri në tinguj, koncept e mesazh” - Intervista

Elementi i padukshëm i sukseseve të Fanfarës Tirana, përfshirë edhe diskun e fundit Kabatronics quhet Olsi Sulejmani. Është themeluesi i agjencise muzikore Ballkan World Music Management me qendër ne Pesaro dhe Ferrara. Menaxhon me dhjetëra artistë të mirënjohur të muzikës etnike nga e gjithe bota, prodhon e organizon koncerte dhe festivale në gjithë Europën.

Shqiptari i Italisë: Si lindi projekti Kabatronics?

Olsi Sulejmani: Kur në vitin 2007 Fanfara Tirana regjistroi albumin e parë Albanian Wedding, hasëm në ca probleme. Megjithëse albumi u prit mirë, e dinim që nuk ishte i nivelit të Fanfarës, që ajo mund të bënte shumë më tepër, ndaj me të nxjerrë atë album, Fanfara nisi menjëherë punën për një të ri. E kjo zgjati plot katër vjet. Duke mos qenë të sigurt se ç’album donim të nxirrnim në treg: një të bazuar mbi Kabanë e jugut, apo të shkonim drejt Ballkan beat, fillimisht regjistruan 20 pjesë, praktikisht dy albume nga të cilat më pas zgjodhëm me kujdes vetëm 14.

Si producent i Fanfarës Tirana dhe i shumë artistëve e grupeve të tjera ndërkombëtare, kisha ndërmend një bashkëpunim mes tyre, apo më mirë një shoqërim të Fanfarës. Mora materialet e regjistruara dhe nisa t’ua tregoj disa artistëve e grupeve, mes tyre edhe Transglobal Underground që duhet të bënin atë që në muzikë quhet featuring, praktikisht të ishin "guests" dhe të regjistronin veglat me perkusion e të miksonin albumin.

E provuan, në mënyrën e tyre, me “Qaj Marò”, me delikatesë pa e përmbysur origjinalin. Kur e dëgjuam, mbetëm të mahnitur të gjithë dhe atë këngë nuk e prekëm më. Kështu nisi bashkëpunimi me dëshirën e të dyja palëve, mes Fanfarës Tirana e Transglobal apo e thënë ndryshe, Tim Whelan, në kitarë, bas, kampionament e tastierë e Hamilton Lee, bateri, kampionament e kitarë.

Një bashkëpunim i guximshëm por i mrekullueshëm, i lumtur për nga rezultati që u arrit.

Cila ishte metoda e punës për përzierjen e kabasë së Fanfarës Tirana me tingujt multietnikë TGU?

Histori më vete edhe kjo. Të katërmbëdhjeta këngët, pjesët që përmban albumi shkonin poshtë e lartë nga Tirana në Londër e nga Londra në Tiranë.

Pas “Qaj Marò” u nis me përpunimin e këngëve të tjera. Fillimisht me modifikime të vogla nga TGU, e më pas, me nxitjen e Fanfarës, – të cilës eksperimenti filloi t’i pëlqente shumë – me ndërhyrje më të thella. E në zinxhir, idetë e reja që vinin nga Londra, nxisnin Fanfarën të pasuronin me tinguj e melodi të reja pjesët ekzistuese dhe Hysni Zelën të regjistronte materiale të reja apo të ndryshonte diçka në versionet origjinale.

Këngët e regjistruara pak nga pak po ndryshonin, po merrnin një formë të re, pa humbur asnjëherë origjinalitetin dhe pa u larguar nga tradita.

A hasët probleme në kombinimin e elektronikës me instrumentet muzikore tradicionale, apo të kabasë shqiptare me ritmin trip-hop?

Diskut iu deshën vërtet katër vjet për të ardhur në jetë por gjatë dy të parëve Fanfara Tirana punoi më vete, vetëm gjatë dy të fundit hyri në valle edhe Transglobal Underground.

Vështirësi? Sa të duash, si në çdo eksperiment, siç ndodh sa herë i hyn një rruge të pashkelur më parë. Por ishte një punë ndjellëse e që sillte entuziazëm. Fanfara dëfrehej me ritmet e reja, TGU i shihte si sfida ritmet ballkanike që ofronte Fanfara e donte t’i kapërcente me çdo kusht.

“Kabatronics”, për shembull, që i jep edhe titullin albumit. U desh një kohë e gjatë për përpunimin e saj. U bë e u shbë mbi dhjetë herë sa arriti një pikë dhe TGU e la mënjanë për nja tre muaj, sepse nuk ishte i bindur se mund të funksiononte. Por me këmbëngulje, u arrit të realizohet një këngë super, ndoshta ajo që përfaqëson më mirë nga të gjitha bashkëpunimin mes kabasë shqiptare dhe tingujve underground londinezë.

Çfarë i frymëzon këngët e albumit?

Albumi bazohet në kabanë e jugut, që është diçka unike në botë. Është qarje e klarinetës e bazuar në improvizim. Legjenda thotë se lindi si qarja me instrument e një klarinetisti për të shoqen që po vdiste. Nis e trishtë por nga fundi bëhet ritmike, e gëzueshme, merr jetë, frymezohet dhe merr nga optimizmi i lindur i shqiptareve. Mund të konsiderohet blues apo jazz ballkanik.

Por mbi kabanë, Fanfara Tirana e Transglobal kanë eksperimentuar shumë, me guxim do të thoja.

Në disk ka bashkëpunime me emra të mëdhenj si Johnny Kalsi, Frank London, Marko Markovic, Dr Das, quanto è stato importante il loro contributo?

Johnny Kalsi është perkursori, mes themeluesve të të gjitha bandave në Angli që janë frymëzuar në indian beat (do të jetë edhe në turneun veror “Fanfara Tirana meets Transglobal” që nis këtë muaj. Frank është gjeni i muzikës klezmer e përzier me jazz-in njujorkez. Marko është padyshim trombetisti më i mirë në Ballkan. Dr. Das, basisti i Asian Dub Foundation na ka dhuruar një miksim të shkëlqyer e aspak komercial.

“Qaj Marò” është një këngë e pastër e traditës shqiptare, çfarë i ka sjellë TGU?

E vërtetë, është këngë e jugut tonë ku orkestrat zakonisht kanë klarinetë, violinë fizarmonikë, lahutë e def. Pa i hequr asgjë nga tradita, Transglobal Underground i shtoi sitarin dhe e ka sjellë në shekullin XXI.

Dua të them dy fjalë për Hysni Zelën. Ai është vërtet element i vyer i Fanfarës. Jo vetëm për zërin e mrekullueshëm që nuk ka nevojë për komente por edhe për idetë e pashtershme falë njohjes së gjerë të folklorit. “Qaj Marò” me zërin e tij, kabanë e klarinetës e kabanë e sitarit ndërthuren mrekullisht. Për mua është kryevepra e albumit.

"Weeping Willow Tree" përzien ritmet 7/8 tipike të Shqipërisë me ato reggae. Si është arritur?

Vetëm falë gjenialitetit të TGU dhe Tuup-it. Ishte e bukur të sodisje fytyrën e shtrembëruar të Hysni Zelës ndërsa dëgjonte këngën e tij të transformuar në reggae. Por tani i pëlqen shumë edhe atij. Di që provat e fundit për spektaklet live të turneut po shkojnë më së miri.

"No Guns To The Wedding" është sa ballkanike aq edhe më pranë kordave të Transglobal Undergound…

Është kënga më “komerciale” e albumit e të dyja palët janë kënaqur duke vënë në lojë stereotipat ballkanikë. Preken probleme sociale si armët në dasma, dhuna në familje por me ironi e autoironi. Në fakt video-klipi i këngës, që përfaqëson në një farë mënyre të gjithë albumin, kopertina e albumit dhe manifesti i turneut është shumë pulp. Sepse Ballkani është i tillë e qoftë Fanfarës qoftë TGU u pëlqente ideja...

Videoja e kësaj kënga është pëlqyer shumë. Skuadra e Kuviomakaroni që e ka realizuar ka ditur të kapë sugjerimet tona e të shtojë gjenialitetin e vet. Sa për arranxhimin, BJ Nevenko pati për qëllim ta bënte vërtet komerciale dhe duket se të gjithë janë të kënaqur me suksesin e jashtëzakonshëm që po korr.

Cili është çelësi i suksesit të këtij disku?

Mund të them që sekreti i suksesit të Kabatronics qëndron në faktin që nuk është vetëm një disk. Është një projekt që kapërcen kufijtë e zhanrit. Është një album i ri në tinguj në koncept e në mesazh. Është Kabatronics.

Nga ana tjetër, albumi është edhe teknikisht shumë i arrirë. Jemi përkujdesur në maksimum qoftë në Tiranë qoftë në Londër, pa lënë pas dore videoklipin, dhe paraqitjen e diskut.

Sot kritika dhe dëgjuesit kapërcejnë pritshmëritë tona e jemi shumë entuziastë e shumë të kënaqur sepse nuk lamë as më të voglin element në dorën e fatit. 

Këto ditë nis turneu?

Po, të gjitha datat do të jenë live e do të zgjasin rreth dy orë. Të dyja bandat në skenë, nga fillimi në fund. Do të sjellin edhe këngë që nuk janë në album, të riarranxhuara. Provat e fundit lënë të parashikohen mbrëmje shpërthyese.

Turneu parashikon rreth dhjetë data në verë nëpër festivalet e mëdha evropiane. E para më 12 korrik në Romë, në Villa Ada, e dyta më 13 korrik në Russi të Ravennas. Në vjeshtë turneu do të vazhdojë në Angli, Finlandë, Norvegji, Suedi, Danimarkë e vende të tjera europiane.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Dasma apokaliptike e fanfarës Tirana