Klaudia Pepa, nga ‘Gjeniu i vogël’ mes ‘Miqve’ të Maria De Filippit - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Dëshiron që një ditë të interpretojë në një musical në Broadway, tani po provon të fitojë edicionin e 14-të të Amici-t

Në vazhdën e kolegëve të saj Anbeta, Leon, Klajdi, Olsi e të tjerë, as në këtë sezon të ‘Amici’-t nuk mungon ballerina shqiptare. Është Klaudia Pepa. Vjen nga Tirana ku njihet si balerinë e parë e televizionit Klan dhe që është vlerësuar shumë mirë nga stafi i profesorëve të shkollës së Maria De Filippit, mes të cilëve bën pjesë edhe Kledi Kadiu.

Balerina e bukur me fytyrën engjëllore është 23 vjeçe dhe ka nisur baletin qysh e vogël. Në vitin 2004 ka fituar (në kategorinë e baletit) edicionin e parë të konkursit të talenteve të reja “Gjeniu i Vogël”. Në moshën 15 vjeçare është bërë pjesë e trupës “Albi Nako Dance” e drejtuar nga kolegu e sot bashkëshorti i saj Albi Nako. Dhe vitet e fundit, të dy bashkë ishin balerinë të parë të televizionit Klan.

“Amici” të Maria De Filippit, Klaudia deklaron se e ndjek prej vitesh, dhe se prej kohësh dëshironte të merrte pjesë në të. “Jetoj me vallëzimin e ky është momenti im”. Dhe vërtet, këtë sezon të Amici-t, Klaudia mund të arrijë të bëhet e njohur edhe në Itali ashtu si në Shqipëri. Pse jo, më pas të realizojë edhe ëndrrën e saj të madhe: “Dua të punoj një ditë në një musical në Broadway”.

Me talentin e lindur, trupin e saj të bukur, zhdërvjelltësinë e sensualitetin e lëvizjeve ajo ka bërë për vete profesorët dhe fitoi me meritë një vend në program. Fiton të gjitha sfidat që paraprinë fazën finale të “Amici”-t. Dhe të shtunën e shkuar, kur ky edicion nisi transmetimin në mbrëmje ishte në skuadrën e bardhë të drejtuar nga Emma. Fiton edhe sfidën e radhës me një interpretim të mrekullueshëm nën tingujt e “Una furtiva lagrima” (romancë e operës “L’elisir d’Amore” e Donizettit), e meriton fjalët e mira të jurisë, të profesorëve madje edhe të Elisës, drejtueses së skuadrës kundërshtare. 

Talentit të lindur e zotësisë së fituar në vite e vite pune, urojmë që “Amici” t’i sjellë Klaudia Pepës edhe fat. Mbështetja e ngrohtësia e publikut të gjerë, veçanërisht atij shqiptar në Itali, nuk i mungon. E dëshmojnë edhe qindra komentet me përgëzime në rrjetet sociale nga italianë e shqiptarë. “Grande Klaudia … che emozione mamma mia ... spacca tutto”, “Questa ballerina fa sognare...la guardo e mi incanto vedendola ballare veramente WOW” shkruajnë në faqen facebook të Amici-t admiruesit e saj. Madje, ndonjëri nuk e vë në dyshim: “Quest'anno vince lei!”.

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

In italiano: Klaudia Pepa, il “piccolo genio” albanese che danza ad Amici

Per Klaudia non solo una coreografia ma un importante messaggio. Ha saputo comunicare con la sua performance?

Posted by Amici di Maria De Filippi on Sabato 11 aprile 2015