Klaudio Curumi qytetar nderi i Trevisos. “E dua këtë qytet, jeta ime është këtu” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
12-vjeçari, djalë i një çifti shqiptar, është ndër 62 fëmijët që dje mori qytetarinë e nderit nga kryetari i Komunës së Trevisos dhe europarlamentarja Kyenge. Rritet me byrek me qumësht e bën tifozllëk për Juventusin

Romë, 31 maj 2014 – Klaudio është 12 vjeç. Ka lindur në Treviso nga prindër shqiptarë dhe është pjesë e atij brezi që Italia rrit si të huaj për shkak të ligjit mbi shtetësinë. Dje bashkë me 61 vogëlushë të tjerë mori qytetarinë e nderit të Trevisos, një akt simbolik që shumë komuna po ndërmarrin për të nxitur politikën të ndryshojë ligjin e shtetësisë, në veçanti për brezat e dytë, fëmijët e të rinjtë të lindur apo të ardhur të vegjël në Itali, që rriten e edukohen me të njëjtin shkollim e kulturë të bashkëmoshatarëve të tyre italianë.

Klaudio Curumi sot ndjek shkollën tetëvjeçare Carduci të Trevisos, po këtu ka lindur, ka shkuar në çerdhe e kopsht. Ka origjinë shqiptare vërtet, por për Tribuna di Treviso që e ka intervistuar thotë me të drejtë se ndihet italian.

Në shkollë ka rezultate shumë të mira. Mes lëndëve që i pëlqejnë më shumë është gjeografia. Thotë se nëse do të zgjidhte në glob një vend ku të jetonte, do të ishte padyshim Treviso. Thotë edhe përse: “Treviso më pëlqen si qytet, më pëlqejnë shokët e klasës, komshinjtë e shokët e skuadrës së futbollit. Në fakt, Klaudio luan edhe futboll me skuadrën e Santa Bona-s e është tifoz i Juventusit, pasion që ndoshta një ditë do të ndjekë në nivel agonistik. I pëlqen shumë edhe kuzhina. Pjata e tij e preferuar, thotë se është byreku me qumësht. Madje gazetarit që e interviston i tregon edhe si bëhet: “Përgatitet shumë lehtë. Merr petë të holla si fletët e muzikës, i lyen me përzierje qumështi, vezësh dhe gjalpi, i vë njëra mbi tjetrën dhe i fut në furrë. Bëhet si një fokaçë e trashë dhe e butë. Është shumë shumë e mirë dhe u pëlqen edhe shokëve të mi”.

Për qytetarinë simbolike të nderit që po i njihej thotë se është një gjë shumë e bukur që i jep kënaqësi. Dhe uron që në festën që pasonte t’i shkonin edhe shokët e klasës. E ashtu ndodhi vërtet, në auditoriumin e Fondacionit Cassamarca, ku u zhvillua ceremonia, ishin të shumta edhe familjet e shokëve italianë të 62 fëmijëve që morën qytetarinë simbolike të nderit nga komuna.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)