Kledi Kadiu pritet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Sot, më 16 qershor, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti artistin e njohur shqiptar dhe Ambasadorin e Kombit, Kledi Kadiu, të shoqëruar nga një grup produksioni i Radio Televizionit Italian “RAI 5”.

Në takim u diskutua mbi rolin e kontributin e diasporës shqiptare që jeton e  punon në Itali, duke veçuar figurat më të dalluara të artit dhe kulturës shqiptare. Ministri Haxhinasto diskutoi mbi mundësinë e hapjes së “Shtëpisë së Shqiptarëve”, në Romë, e cila mund të realizohet në bashkëpunim dhe me kontributin e shqiptarëve në Itali. Kjo shtëpi do të jetë në rolin e një qendre kulturore për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Qendra gjithashtu mund të shërbejë si pikë referimi për qytetarët italianë të cilët kërkojnë të informohen mbi kulturën, historinë, artin, arkeologjinë e turizmin shqiptar.

Ministri Haxhinasto theksoi gjithashtu, se po punohet me qeverinë italiane për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për emigrantët, me qëllim që këtyre të fundit t’u njihen vitet e punës si në shtetin amë ashtu dhe në vendet ku aktualisht punojnë.

Ministri Haxhinasto njoftoi se në datën 26 maj 2011, Italia ka tërhequr rezervat e paraqitura deri tani ndaj Republikës së Shqipërisë lidhur me Konventën e Hagës për Vulën Apostile, ç’ka do të thotë që të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në MPJ e Shqipërisë, me Vulën Apostile pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo Konsullatat në Vlorë dhe Shkodër. Ashtu si dhe të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet italiane do të legalizohen vetëm në institucionet e autorizuara nga pala italiane, me Vulën Apostile pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën e Shqipërisë në Romë apo Konsullatat tona në Milano dhe Bari.

Në takim u diskutua edhe për projekte të  tjera kulturore, për të cilat Ministri Haxhinasto shprehu mbështetjen e plotë. Ai ritheksoi se një nga prioritetet e politikës së jashtme është nxitja e figurave më të njohura të diasporës për një rol më aktiv në fushat ku kontribuojnë për promovimin e vlerave kombëtare të popullit shqiptar dhe të imazhit të Shqipërisë.

Kledi Kadiu vlerësoi mbështetjen e shtetit shqiptar dhe ofroi angazhimin e tij për të bërë të mundur realizimin e projekteve kulturore.

Kledi ndodhet në Shqipëri për të realizuar një dokumentar dedikuar shkollës shqiptare të baletit dhe balerinëve të saj më të njohur të cilët performojnë në skenat e teatrove më të shquara, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën.

Dokumentari televiziv i cili po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të shfaqet në kanalin prestigjioz italian “RAI 5” dhe synon të përcjellë një imazh pozitiv për Shqipërinë, akademinë e shkollës artistike shqiptare dhe artistëve të saj kudo ku ndodhen, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën.