Leart Dhrami, bukëpjekës i zoti dhe sipërmarrës i suksesshëm - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Leart Dhrami është sipërmarrësi fitues i kategorisë së Rritjes së Fitimit në edicionin e fundit të Moneygram Awards. "Mësova zanatin duke parë e duke pyetur. Nuk jam dorëzuar përpara asnjë lloj vështirësie. Me gjithë punën e përnatshme, me gjithë mundin dhe lodhjen, gjithnjë kam shkuar përpara”

Për Leart Dhramin zilja bie në orën 20.30. Darka me familjen, një kafe pa sheqer për të hapur më mirë sytë e më pas shkon në punë. Qepeni i furrës ngrihet e nga ai çast punohet pa pushim deri në mëngjes: Learti përgatit dhe pjek një pas një tava me bukë dhe herët në agim nis xhiron e dorëzimit sipas porosive.

Leart Dhrami me profesion bukëpjekës, në edicionin e fundit të Moneygram Awards, - çmimet e përvitshme kushtuar sipërmarrësve të huaj në Itali, - fitoi çmimin në kategorinë e Rritjes së Fitimit.

Kur u ngjit në skenë për të marrë çmimin ishte shumë i emocionuar. Si sipërmarrës, nuk foli për vështirësitë që ka pasur aktiviteti i tij, por për zgjidhjet që gjeti e si arriti të kapërcejë krizën ekonomike. “Gjithçka e përballova me mbështetjen e personave që punojnë me mua dhe t familjes sime. Në darkë kur ke djalin që t përqafon e të thotë “Të dua babi”, mërzitja e lodhja kalon”.

Leart ka lindur në Tiranë e sot është 44 vjeç. Për të parën herë, në Itali erdhi vern e vitit 1989 sepse prindërit e tij punonin në ambasadën shqiptare në Romë. Të mesmen e mbaroi në Shqipëri në shkollën ushtarake Skënderbej dhe në Itali vinte vetm në verë për të ndenjur me familjen. Zgjedhja e shkollës ushtarake ishte e detyrueshme për Leartin sepse i garantonte edhe konviktin ku Learti (me familjen larg) mund të qëndronte për gjithë kohëzgjatjen e mësimit.  

Vera e vitit 1992 ishte vendimtare: të kthehej në Shqipëri me prindërit pasi ata e kishin mbaruar mandatin e tyre në Ambasadë dhe të vazhdonte studimet universitare në Shkollën e Bashkuar Ushtarake apo të qëndronte në Itali. “Nuk doja të kthehesha në Shqipëri, nuk doja të ndiqja atë universitet vetëm sepse kështu ishte vendosur nga rrethanat, dëshiroja të qëndroja në Itali. Për mua, e rëndësishme ishte të gjeja një punë e të isha i pavarur në mënyrë që të mund të zgjidhja vetë rrugën time” tregon Learti.

“Në Itali e nisa si punëtori i një bukëpjekësi që u çon porosinë klientëve në adresë të tyre. Por në verë kur bukëpjekësi shkonte me pushime më linte gjithçka mua mbi shpatulla. Mësova zanatin duke parë e duke pyetur, pastaj kur pashë që picat i bëja edhe më mirë se furrtari, e kuptova që isha i prirur”.

Nga ai çast deri në 2005-n, duke ndërruar disa punëdhënës, Learti fitoi aq shumë përvojë sa u bë bukëpjekës profesionist. Në vitin 2006 nisi aventurën e tij me “La Spiga d’Oro” në lagjen Fidene të Romës.

“La Spiga d’Oro” është furrë që ofron bukë, pica, ëmbëlsira, të gjitha produkte artizanale të përgatitura nga persona me kualifikim të lartë. Me kalimin e viteve, edhe furra e ka ndier krizën ekonomike. “Në vitin 2013, me gjithë vështirësitë ekonomike vendosa të investoja për të hapur një bar të vogël. Ç’ka më mirë se të pish një kafe a kapuçino të shoqëruar nga brioshe të sapodalë nga furra?” tregon Learti. “Por kaq nuk mjaftoi për të mëkëmbur ndërmarrjen. Mendova, nëse klientët nuk vijnë në dyqan, do të shkoj unë tek ta. Pasi u dhashë të provonin çfarë bëja, nisa bashkëpunime me disa hotele të rëndësishme të Romës. Nuk jam dorëzuar përpara asnjë lloj vështirësie. Me gjithë punën e përnatshme, me gjithë mundin dhe lodhjen, gjithnjë kam shkuar përpara”.

Shkruar në italisht nga Amarilda Dhrami për PiùCulture ku mund të lexoni shkrimin në origjinal: Leart Dhrami, da fornaio a imprenditore di successo