Lorena Ikonomi, një konsulente për diasporën - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Pas 13 vjetëve studimesh dhe pune në mbrojtje të të drejtave të konsumatorit në Itali, kthehet në Shqipëri për të dhënë kontributin e saj si konsulente ligjore e jashtme pranë Agjencisë Kombëtare të Diasporës

 

Lorena Ikonomi është një prej hyrjeve të reja të Politikës së Diasporës Shqiptare. Siç na tregon, prej disa muajsh punon në Tiranë si konsulente ligjore e jashtme pranë Agjencisë Kombëtare të Diasporës, institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën. Kompetencat e punës së re i ka fituar pas një qëndrimi 13-vjeçar në Romë për studime në fushën juridike e punë gjithnjë si konsulente ligjore në një nga shoqatat e konsumatorit më të mëdha në Itali.

Lorena transferohet në kryeqytetin italian në vitin 2006. Atëherë sapo ka mbyllur gjimnazin dygjuhësh Faik Konica në Korçë. Në Romë i hyn edhe masterit shkencor në Fakultetin e Jurisprudencës në universitetin “La Sapienza”. E mbyll në 2012-tën, me një tezë mbi Abuzimin e Pozicionit Dominues në të drejtën e Antitrustit. Bëhet fjalë për shkeljen e parimeve të konkurrencës së ndershme nga ana e një ndërmarrjeje, shkelje që i jep asaj një avantazh tregtar të padrejtë ndaj konkurenteve dhe ndaj konsumatorit. Teksa përmendim këto dy të drejta e pyesim nëse të drejtës shqiptare (të cilën ajo e njeh edhe sepse prej 2014-s rezulton e regjistruar si avokate edhe në atdhe) i mungon diçka për t’iu afruar asaj italiane ose evropiane. Pohon: “Mendoj se legjislacioni shqiptar është i pasur me ligje te ngjashme me ato italiane por problemi më i madh qendron ende te ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre në momentin që keto të drejta shkelen. Kjo ndodh edhe nga mosbesimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në këtë aspekt është thelbësore reforma në drejtësi, e cila ka si qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit, veçanërisht nga ndikimi politik dhe çlirimi i tij nga korrupsioni dhe paaftësia”.

Lorena i hyn botës së punës profesionale menjëherë pas masterit shkencor. Për dy vjet ka kryer praktikën për avokate në një studio ligjore prestigjioze në Romë, kohë në të cilën nis të ndjekë seancat gjyqësore në gjykatat e Romës. Ndërkohë nis studimet për doktoraturë në Universitetin Tor Vergata. Këtu në 2017-tën merr titullin Doktore shkencash me një tezë që trajton mbi marrëveshjet e paligjshme midis shtëpive farmaceutike për të vonuar hedhjen në treg të produkteve farmaceutike me çmime të ulëta. 

Ka nisur ndërkohë të punojë si konsulente ligjore tek CODACONS, ent i njohur si mbrojtës i të drejtave të konsumatorëve. Aty është specialiste në fushën e të drejtës së shëndetësisë: përgatit praktikat ligjore kundër spitaleve e mjekëve që kanë përgjegjësi profesionale në rastet kur janë prekur të drejtat e pacientëve. Në 2016 Lorena ndërmerr një veprim në mbrojtje të emigrantëve jokomunitarë, që pa të drejtë kishin paguar taksën mbi lejen e qendrimit.

Në 2018 përzgjidhet për të bashkëpunuar – gjithnjë si konsulente ligjore – me Agjencinë Kombëtare të Diasporës. Bashkë me familjen kthehet në Tiranë. Puna aktuale është në dobi të institucioneve të Ministrit të Shtetit për Diasporën. Kontributi i saj kryesor profesional është në fushën e projekteve. 

Na tregon: “Jemi duke përgatitur projekte të ndryshme ndërkombëtare, te cilët kanë si synim përfshirjen e diasporës shqiptare në ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe zhvillimin social ekonomik të Shqipërisë nëpërmjet diasporës. Institucionet e reja për diasporën kanë si qëllim fuqizimin e diasporës dhe migrantëve si faktor të zhvillimit të Shqipërisë, nëpërmjet kapitaleve të dijeve dhe vlerave që ata zotërojnë. Krijimi i besimit dhe përfshirja e kontributit të diasporës shqiptare nëpërmjet përfitimit reciprok, lehtësimit me një politikë mbështetëse e cila ndryshon cilësinë e marrëdhënieve dhe forcon lidhjen e shqiptarëve kudo që ndodhen me njëri tjetrin dhe vendlindjen janë objektivat e punës sonë të përditshme”.

Gjergji Kajana
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)