Majlinda Agaj: “Krenare për prejardhjen” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

 

agaj_majlinda-pic.gif“Herën e parë që hipa në një skenë ka qenë kur ndihmoja time më të shuante dritat e teatrit pas një spektakli, ... ai vend ka qenë një pjesë e zemrës sime”. Kështu nis të tregojë pasionin e saj Majlinda Agaj, artistja e re shqiptare, që ka interpretuar disa role si protagoniste në teatër, kinema dhe në disa seriale televizive italiane.

E ardhur në Itali në moshë të njomë, na rrëfen për dashurinë e saj për artin dhe Shqipërinë, për rrugëtimin e saj artistik, për vështirësitë që ka hasur për shkak të prejardhjes së saj, dhe për dëshirën për t’u afruar me kinematografinë shqiptare

 

 

Ke ardhur në Itali kur ishe e vogël. Ç’kujtime ke nga vitet e para në Itali?

Në Itali kam ardhur me familjen në moshën 10-vjeçare, isha në klasë të katërt. Vitet e para kanë qenë shumë të vështira për arsye nga më të ndryshmet. Nuk njihja mirë gjuhën , zakonet, mendësinë piemonteze. Besoj se mund të flas edhe në emër të gjithë familjes sime po të them që integrimi është një proces shumë i vështirë dhe i gjatë, veçanërisht për më të rriturit.

Karakteri im i ndrojtur dhe shumë fëmijëror, mosha ime e re dhe dashuria e prindërve besoj se kanë qenë themelore për të mos ndier dallimet thelbësore mes vetes dhe fëmijëve të tjerë italianë.

Për më tepër, mësuesit më kanë ndihmuar shumë në shkollë, dhe ato pak herë që ndonjë shok më shante pse isha shqiptare, të them të drejtën nuk rrija duarkryq por i përgjigjesha siç e meritonte Megjithatë, nuk kam pasur probleme të veçanta për shkak të kombësisë sime. Ndonjëherë më qëllon të dëgjoj ndonjë batutë të shëmtuar, por asnjëherë nga persona inteligjentë, dhe konstatimi i këtij fakti më qetëson nga çdo “ligështim shpirtëror”. Problemi është kur pohime të caktuara i dëgjon në emisionet e lajmeve, apo dalin nga goja e ndonjë ministri, ... atëherë po, që fyem, nxehem dhe vuaj sepse racizmi dhe diskriminimi janë problem i rëndë dhe i rrezikshëm.agaj_majlinda2.gif

Ç’lidhje ke me vendlindjen? Me të afërmit e tu në Shqipëri?

Kam lindur në Fier por familja ime është nga Vlora. E kam merak ta saktësoj, sepse jam shumë krenare për prejardhjen time.

Kam shumë të afërm në Shqipëri, duke filluar nga gjyshërit nga anë e babait. Verën e shkuar, mbaj mend që kam folur shumë me gjyshin tim ish partizan për komunizmin. Isha bashkë me një mikeshë timen daneze dhe kishim vendosur të shëtisnim jugun e Shqipërisë. Bëmë një lloj On the road trip. Ia kaluam shumë bukur, diskutuam me shumë e shumë njerëz, e më duhet të them që ne shqiptarët jemi një popull vërtet shumë mikpritës dhe i respektueshëm.

Ndërsa gjyshi tjetër, nga anë e nënës, ka qenë gjeneral i ushtrisë shqiptare dhe përveç karrierës ushtarake ka edhe 2 diploma universitare. Ndërsa gjyshja, gjithnjë nga mami, ka mbaruar universitetin për ekonomi dhe është një kompjuter i gjallë, por për fatin tim të keq unë dhe ekonomia jemi dy botë paralele që nuk afrohen praktikisht kurrë. Me gjyshërit flasim për shumë argumente. Madje i kam intervistuar për tezën time, dhe ata më kanë dhënë edhe një film shqiptar, shumë të bukur “Ballë për ballë” mbi krizën me rusët. I kam gjyshërit të pasionuar pas kinemasë!

Kam edhe kushërinj në Shqipëri. Të tjerë në Greqi e të tjerë akoma në Itali. Jemi shpërndarë nga pak gjithandej, kështu që e kemi ca të vështirë por sidoqoftë, me ca akrobaci arrijmë të takohemi ndonjëherë. Miqtë më vënë në lojë sepse po t’u prezantoj një bashkatdhetar, më pyesin menjëherë nëse e kam kushëri.

Si të lindi dëshira për të recituar?

Ime më ka qenë për tetë vjet portiere në Teatrin Milanollo të Seviglianos dhe unë mund të hyja e të shihja provat e spektakleve që jepeshin. Kështu u dashurova me teatrin dhe u regjistrova në kurse të ndryshme që gjeja në lice apo me të dëgjuar, gojë pas goje. U njoha kështu me Grazia Isoardin, të parën mësuese timen të vërtetë të teatrit për vite me radhë. Ajo më këshilloi të provoja testin e pranimit në Teatro Stabile të Torinos, ku hyra në vitin 2003. në vitin 2006 dola nga Stabile dhe pas një viti poshtë e lart mes Torinos dhe Romës, vendosa të qëndroj në Romë për punën. Përpara se të ndiqja Teatro Stabile isha regjistruar në Shkenca politike në Torino dhe tani po mbroj tezën pranë universitetit La Sapienza të Romës me temë Historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BRSS-së gjatë viteve 1945-1960. Më interesojnë faktet, ngjarjet, që sollën afrimin e Shqipërisë me bllokun sovjetik dhe më pas largimin prej tij.

agaj_majlinda3.gifHera e parë në skenë për të recituar? Ç’emocione ndien herën e parë?

Herën e parë që kam hipur mbi skenë ka qenë kur ndihmoja time më të shuaja dritat e teatrit pas një spektakli. E ndihmoja të mbyllte. Të përjetosh teatrin bosh është diçka magjike, është një privilegj që pakkush e ka. Edhe kam fjetur mbi atë skenë. E kam ngrënë, pirë, qarë e qeshur. Jam dëshpëruar. Kam bërë shumë gjëra në skenën e Milanollos, ishte pjesë integruese e shtëpisë sime, ai vend ka qenë një copë e zemrës sime. Tani prindërit e mi kanë blerë një shtëpi, po aty në Savigliano, por shpesh kur jam atje e më duhet të shkoj në shtëpi, ngatërroj rrugë e pa e kuptuar gjendem përpara teatrit Milanollo. Provoj një trishtim të madh kur shoh që kanë hedhur poshtë apartamentin tonë, shihet dhoma ime, por shpirti, teatri është gjithnjë aty. Qëndroj pak aty përballë teatrit, marr frymë thellë, e përshëndes e pastaj largohem. Shuarja e dritave të teatrit ka qenë për mua emocioni i parë i madh në skenë. Diçka e mrekullueshme!

Aktori yt i preferuar italian e ndërkombëtar?

Aktori italian është Gian Maria Volonté ndërsa i huaji, hyjnorja Meryl Streep. E kam adhuruar në të gjithë filmat ku ka lozur. Të gjithë pa përjashtim.

Shpesh për të ecur përpara nuk mjafton vetëm aftësia dhe kompetencat por duhet edhe shumë vendosmëri. Ç’mund të thuash për veten në këtë aspekt?

Besoj se kam karakter të fortë e të vendosur, e mbi të gjitha shumë vullnet. Nëse duhen përveshur mëngët, nuk e kam fare problem, punoj si mushkë. Ndoshta kjo është cilësia ime më e rëndësishme. Sigurisht falë saj kam rezultate në jetë, por në këtë fushë nuk mjafton për t’ia dalë mbanë. Duhet ushqyer një dashuri e thellë për recitimin. Ka çaste kur ndihesh e refuzuar, të tjera kur të duket se prek qiellin me dorë, e sërish të nesërmen ndien që bie në depresionin më të errët. Pikërisht për këtë arsye, sipas meje, pjesa më e madhe e aktorëve janë njerëz me depresion.

Nuk janë njerëz të çmendur, por është puna më e paqëndrueshme që mund të ekzistojë, paratë që mungojnë gjithnjë, kryesisht për teatrin, kryesisht për aktorët. Ndonjëherë duket sikur nuk duhet shpërblyer, sikur është e çuditshme të pretendosh që të konsiderohet njësoj si çdo punë tjetër. Ka më shumë para për televizionin, por edhe aty nuk kanë munguar shkurtimet.

Nuk arrij ta quaj veten aktore, nuk më pëlqen ta bëj sepse ka një hendek të thellë mes asaj që kam studiuar në akademi dhe asaj çka është realiteti i tregut.

Kryesisht recitoj në fiction për televizionin dhe ndonjëherë më vjen turp për çka nxjerr nga goja, por nuk kam familje që të mund të më mbajë dhe unë kam besim te e ashtuquajtura “gavetë”, edhe për faktin se është e vetmja rrugëdalje për mua.

Shpresoj që herët a vonë gaveta të shpërblejë mundimet e mia, po të mos më ketë masakruar e zhgënjyer plotësisht, por një gjë është e sigurt që nuk do të recitoj kurrë në soap opera. Nëse nuk do të arrij t’ia dal mbanë, do të tërhiqem e do të përpiqem të përdor planin tim B: diplomën universitare në shkenca politike. Shpresoj të udhëtoj shumë falë saj. Por për këtë i jap kohë vetes deri në ... 35 vjeç, apo është e tepruar?

Fakti që je shqiptare të ka sjellë probleme?

Në fillim origjina të dallon nga aktoret e tjera sepse njeh më shumë gjuhë se ato (edhe se në filmat televizivë ku flisja shqip sajoja gjëra të çuditshme, të paktën dëfrehesha pak), por duhet të bësh kujdes që të mos lejosh që të të etiketojnë. Në fakt, tani nuk pranoj më role të huajash.

Nuk e di se sa prejardhja ime ndikon në përzgjedhjen për ndonjë rol, por shpesh në RAI jam refuzuar me justifikimin se kam fytyrë tepër shprehëse krahasuar me standardin “acqua e sapone” që vlerësojnë shumë në tv. Për fat ky problem nuk shtrohet në kinema, ndaj ndonjëherë e marr me të qeshur kur më refuzojnë për këtë arsye.

majlinda-agaj-film.gif

Cili nga rolet që ke interpretuar të ka pëlqyer më shumë?

Nuk ekziston, nuk më pëlqen shumë vetja, më pëlqejnë projektet ku marr pjesë, regjisorët me të cilët punoj, ndaj do të thosha “Hotel Meina” i Carlo Lizzanit sepse për një muaj kam parë një Zotëri të kinematografisë të punojë me përulësi dhe dashuri të jashtëzakonshme për realizimin e diçkaje ku besonte.

Do të thosha Alessandro Capone, që është një nga të paktët regjisorë të televizionit që më ka treguar si të veproja në skenë, me një gjuhë të kuptueshme për një aktor, dhe jo sikur t’i drejtohej teknikut të dritave me shprehje të tipit “shko djathtas, pastaj atje”. Do të thosha edhe Marcos Villasenjor që është një regjisor i ri spanjoll për të cilin bëj tifozllëk.

Projektet për të ardhmen? Ndonjë pjesëmarrje në kinematografinë shqiptare?

Kisha një projekt për më 19 prill. Do të shkoja në Tiranë në Teatrin e Operës, me një spektakël të Teatrit Stabile të Torinos. Kishim programuar edhe një monolog në shqip por fatkeqësisht për shaka të resë vullkanike nuk u nisëm dot.

Shpresoj të recitoj në gjuhën shqipe në ndonjë pelikula për kinemanë, edhe se situata e sotme në Shqipëri nuk më duket ndër më frytdhënëset.

Dy fjalë për të rinjtë shqiptarë në Itali që duan të ndjekin ëndrrën tënde?

Bashkatdhetarëve të mi dua vetëm t’u them që të kenë guxim, që është e njëjta gjë që i them vetes çdo ditë sapo hap sytë në mëngjes, sidomos tani që po përgatis tezën që po më streson. Optimizëm, sepse pa të nuk shkohet gjëkundi dhe shumë dëshirë për të shkuar përpara me punë e mund. Asgjë nuk na dhurohet, por gjithçka mund ta arrijmë me forcat tona.

Intervistoi Leonora Memia

Bota shqiptare 236 - 16 maj 2010