“Më thërrasin Giuseppe...” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

“....por emri im është Josif”. Duket një parafrazë nga aria e Mimi-së së Bohemës pucciniane litania që Josif Gjipali (tashmë për të gjithë Giuseppe Gipali) duhet t’u përsërisë kolegëve të tij të huaj në skenat e ndryshme të operistikës botërore ku prej kohësh është shndërruar në një prej tenorëve më të njohur. “Shqiptari i Italisë” e takoi në Romë pas triumfit me bis në Tosca-n e Puccinit

Quhet Josif Gjipali, por në art ka parapëlqyer të bëjë si disa kolegë të tij e të italianizojë emrin, për t'u njohur si Giuseppe Gipali.
Është ndër emrat më të njohur të operistikës shqiptare sot, me një jetë si shumë kolegë të tij ndërkombëtarë të shpërbërë kryeqyteteve kulturore botërore. Por ka ruajtur një identitet të plotë të qytetit të origjinës, Vlorës, që depërton gjithandej në theks, të folur, e personalitet. Emri i tij i lidhur ngushtë me një repertor të gjerë e të ngjeshur rolesh ku natyra  prej tenori e vendos në rolet më të spikatura të muzikës operistike, si në Trovatore, rolin e Alfredos tek Traviata, e Mario Cavarodossit tek Toska etj, renditet krahas personaliteteve më të larta të kësaj fushe e dirigjentëve e regjisorëve po aq prestigjiozë që kushdo prej kolegëve të tij më pak shëtitës do të ëndërronte.
Muajve të fundit ka qenë i pranishëm edhe në Romë, me Tosca-n ku luante rolin e Cavaradossit, një rol virtuoz që përveç suksesit të zakonshëm në Teatro dell'Opera me solemnitetin e gjithë shfaqjeve që zhvillohen në qendrën operistike romane, i dhuroi  tenorit shqiptar edhe kënaqësinë e një bis-i për arien më të famshme e më shpërthyese të operës së madhe pucciniane "Lucevan le stelle".
Dhe në fund të spektaklit pikërisht Gjipalit i janë dedikuar fjalët e regjisorit të shfaqjes të madhit Franco Zeffireli që ka thënë "Nuk e dija se në Shqipëri mund të kishte njerëz që këndojnë kështu" duke i dedikuar homazhe të veçanta përpara publikut roman tenorit shiqptar. Ishte një sukses Tosca romane, me bileta të mbaruara muaj e muaj para shfaqjes. U pa nga pothuaj 22 mijë spektatorë, me më shumë se 1 milion euro të fituar. Është cilësuar një "Tosca rekord" nga administratorët e Teatrit të Operas në Romë. Sepse ka qenë një rekord numri i spektatorëve, shuma e fituar ka arritur - shkruhet në websiten e teatrit - një rekord që prej kohësh asnjë shfaqje nuk arrinte. Dhe e gjithë kjo në sajë të emrave më në zë të operës ndërkombëtare sot, ndër të cilët edhe Josif Gjipali. 
Kjo është vetëm një etapë e vogël e veprimtarisë së tij të muajve të fundit. Ndërsa në qershor Gjipali do të shihet në rolin e Alfredos në operën Traviata që do të shfaqet në një tjetër teatër edhe më prestigjioz, në La Scala. Pastaj vijojnë programe të tjera po aq ambicioze ë të tjera qytete të Italisë ku Gipali përqendron pjesën më të madhe të punës së tij, por edhe në Paris, Barcelonë, Zvicër etj.
Por  rrugëtimin e tij e ka nisur nga Vlora, qyteti ku ka lindur në vitin 1973, dhe ku ka filluar të hyjë në botën e muzikës, me studimin e violinës por që nuk ishte momenti vendimtar për profesionin e jetës së tij. Përkundrazi duket se ka pësuar të njëjtën çoroditje të shumë shqiptarëve që u duhej të zgjidhnin një profesion të qetë e të sigurt në momente ndryshimesh të mëdha si ato të fund-sistemit në Shqipëri. Dhe kështu nga bankat e një gjimnazi të përgjithshëm Gjipali ka kaluar në ato të fakultetit të inxhinierisë elektrike ku kaloi tre vjet të jetës së vet pa u ndier në shtëpi. Deri sa vendosi në vitin 1996 t'i hynte asaj rruge për të cilën askush nuk mund të thoshte se nuk kishte dhunti. Edhe pse në konkursin e Akademisë së arteve herën e parë u cilësua si i papërshtatshëm, ndërsa herën e dytë, si rëndom ndodh në Shqipëri, nuk u paraqit thjesht me talent e me shpresë përpara syve të rreptë të artistëve akademikë shqiptarë, por edhe me një tufë parash nën dorë që e futën në akademi pa një pa dy. Prej andej filloi pastaj ngjitja e shpejtë në operën shqiptare e nga 2003 edhe në atë ndërkombëtare.
Ka qenë Italia porti i parë i Gjipalit, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, duke qenë se është Italia atdheu i Operës, i Verdit që Gjipali këndon më lehtësisht por edhe afërsia gjeografike, orientimi kulturor i Vlorës bregdetare me Italinë përballë. Dhe ka zgjedhur Italinë që duke qenë atdheu i operës është edhe terreni më i vështirë për të konkurruar por është e qartë se kjo për Gjipalin nuk ka qenë problem. Kanë qenë të shumta çmimet prestigjioze, ndër të cilët edhe çmimi Placido Domingo që është një objektiv i denjë e i vështirë për çdo  këngëtar lirik.

Shqiptari i Italisë: Si ndodhi që Josif Gjipali, u bë Giuseppe Gipali? Cila është arsyeja?

Josif Gjipali: Në këtë zanat është normale, që përdoren emra arti ngaqë edhe unë fillova në Itali, dhe nga Josif në Giuseppe nuk është ndonjë ndryshim i madh është i njëjtë emër sidoqoftë.

Nuk ishte ca më interesant Josif se sa Giuseppe, tingëllonte disi më ekzotik...

Kur erdha në Itali më thanë në fillim pse nuk e bën emrin Giuseppe sepse për ne italianët është më lehtë, dhe ngeli që atëherë, megjithatë për mua të gjithë e dinë, kudo që të shikosh fjalia e parë është " lindur në Shqipëri në 1973".

E them sepse ka shumë provincializmat të shqiptarëve në Greqi që nuk mund të çajnë dot përpara pa u greqizuar... Nuk më duket se ju jeni në të tilla kushte.
Jo kjo nuk ka lidhje me zanatin tim, kështu është zakoni që nga Di Stefano, nga Kallas, etj që ishin shumë më të mëdhenj e më të rëndësishëm se unë, nuk ka lidhje as me personaliteti as me mohim të ndonjë gjëje. Sidoqoftë fjalia e parë që shkruhet është që jam shqiptar. Kur flitet për mua e dinë të gjithë që jam tenor shqiptar.

Si ka ndodhur hyrja juaj në botën operistike italiane?
Kam ardhur në fund të 2002, kam bërë një konkurs, ku fitova, pastaj në 2003 fitova konkursin Placido Domingo. Italia është vendi ku ka lindur opera dhe është fusha më vështirë për të gjithë. Në gjithë botën, edhe njerëzit që nuk marrin vesh shumë nga lirika por tu thuash lirikë, mendja u vete menjëherë tek Itlaia, të thonë menjëherë La donna è mobile, edhep ër ne ka qenë kështu, Pavarotti, pastaj tenorët më të mëdhenj nromalisht kanë qenë hisotrikisht shumica në mos90% italianë.
Më ra rasti të vija këtu. Në vende të tjera është më e lehtë pa dyshim. Megjithatë siç thotë shprehja: c'è chi ce la fa e chi non ce la fa. Në të vërtetë nuk jetoj në Itali. Jetoj ku kam punë, një muaj diku një muaj diku tjetër, siç e ka ky zanat. Por jam shtetas shqiptar. Në profesionin tim nuk ekziston një punë fikse, ata që kanë një vend fiks janë në një lloj mënyre të kategorisë së ulët, ndërsa unë jam profesionist i lirë, punoj me kontratë për çdo muaj,. Mund të jem një muaj në Itali, një muaj në Francë, një muaj në Spanjë, një muaj në Angli.

Ku bazoheni për zgjedhjen e roleve tuaja?
Unë kryesisht këndoj role të Verdi-t, që nga Rigoletto, Un ballo in maschera, Simon Boccanegra, Trovatore, etj. Varet nga të dhënat vokale nga të dhënat teknike. Roli im i preferuar është Riccardo nga Un ballo in maschera, Duka në Rigoletto, Mario Cavaradossi  tek Tosca të cilin e kam kënduar edhe së fundmi në Romë me regji të De Firellit.

Si e jetoni të qenët një tenor shqiptar në Itali?
Më duket se duhet të jesh më i zoti se të tjerët që t'ia dalësh. Dihet, e dinë gjithë shqiptarët, është kotë që ta përmendësh. Nuk do të thotë asgjë fakti që është elitar, sepse sa më elitar të jetë aq më e madhe është konkurrenca, aq më e vështirë bëhet për të gjithë. Pastaj si elitar si jo elitar ne shqiptarët e kemi emrin tonë ngado që të vemi, me të mirat e të këqijat tona, po më shumë me të këqijat me të mira s'kemi ofruar shumë. Nuk mund të thuhet se është mposhtur paragjykimi. Sidoqoftë kjo nuk lidhje në këtë drejtim. Këtu flitet kur të kanë nevojën të japin oferta kur nuk ka të tjerë që ia dalin si ty. Është e thjeshtë fare. Duhet të jesh më i zoti  se tenorët që kanë këtu.

Është më e lehtë në Itali apo në Francë apo diku tjetër ku ju keni debutuar?
Do të thoja se, në vende të tjera janë më të hapur por unë kam debutuar më shumë në Itali, në shtatë -tetë produksione që kam unë në vit të paktën tre ose katër i bëj në Itali. Gjë që është arritja më e vështirë por edhe më e rëndësishme, nga pikëpamja profesionale, veçanërisht për repertorin tim. Është pak a shumë sikur të vijë dikush në Shqipëri e të këndojë muzikën popullore shqiptare. Pastaj shumica e këtyre operave flasin për psikologjinë italiane, është edhe çështje shijesh, janë të shkruara në mentalitetin e tyre, kulturalisht  e kështu me radhë. Unë ndihem në sintoni me këtë lloj kulture.

Duke qenë se ju jeni formuar në Shqipëri, mendoni se ndihet disi shkolla shqiptare, ekziston ndonjë lloj stereotipi i shkollës shqiptare prej nga ju vini?
Nuk di në çfarë konsiston shkolla shqiptare se në Shqipëri nuk kemi traditë opere. Këtu kanë shkruar opera me të cilat jeton gjithë bota, ka plot si unë që vijnë nga gjithë vendet e botës, në Shqipëri në '60 a në '70 është themeluar  teatri i operës. Çfarë mund të them unë tani, nga ato tridhjetë vjet të operës shqiptare. Nuk mund të shes mendtë këtu. Nuk  më duket me vend kjo pyetje.

Po kuptoj, që operistika shqiptare është disi modeste, dhe nuk ka shumë për të ofruar, por ju keni mësuar të këndoni në Shqipëri e jo gjetkë - këtë nënkuptoj me gjurmët e shkollës shqiptare. Për shembull njihet prestigji i shkollës së baletit të Tiranës, nuk i referohem aspak emisioneve televizive...
Nuk di si t'i përgjigjem kësaj lloj pyetjeje. Nuk e kuptoj ku doni të dilni... Në këto lloj zanatesh gjithçka varet nga një talent natyror dhe një intuitë personale. Unë kam studiuar në akademinë e Arteve, për kanto natyrisht. Për sa i përket mësimdhënies që bëhet në Shqipëri teknikisht nuk mund të them se është e keqe, ka një farë niveli, por flasim për materiale apo një art të ngritur mbi një psikologji të caktuar histori, është zanat që ka lindur në Itali, nuk mund të them unë se kam studiuar në Shqipëri më mirë se ç'studiohet në Itali. Merret një farë rruge por nuk ka shumë lidhje, e kemi parë si janë... Ka një horizont shumë më të gjerë, duhen të tjera gjëra dhe nuk mund të flitet aspak për traditë të jashtëzakonshme. Këtu ka njerëz që kanë bërë historinë e këtij zanati, kurse në Shqipëri si mund të quhen kur ata njerëz që i këndonin ato opera i këndonin gjysma gjysma sepse kështu donte sistemi. Kur bëhej Traviata këndohej pjesërisht, këndonin gjysmën për shembull, tani si mund të thuhet se mësova prej tyre më mirë se ç'mësova në Itali. Nuk ka asnjë lloj logjike. Nëse them se kam ardhur në Itali kam punuar me Riccardo Mutin, me dirigjentët më të mëdhenj të botës që kanë bërë historinë e këtij zanati, nuk mund të them se mësova në Shqipëri. Nuk dua të merrem me kritika, por nuk mund të them që është më mirë në Shqipëri apo që unë mësova kushedi se çfarë.
Ky lloj zanati është shumë i veçantë, ka njerëz që bëjnë këtë zanat që nuk kanë bërë as shkollë as absolutisht asgjë, janë dhunti, janë gjëra të këtij lloji. Nuk mund të thuhet se ne kemi kaq shumë shqiptarë që ia kanë dalë në këtë zanat që këndojnë në nivele të mira, por me dy tre veta nuk mund të thuash se kemi një shkollë për tu marrë në konsideratë. Janë vetëm tre-katër veta.

Po në Shqipëri ndodh edhe të flitet për largimin e këngëtarëve operistikë që preferojnë të këndojnë në skena jashtë Shqipërisë...

Këngëtarë që këndojnë në këto nivele janë dy-tre jo më shumë, pastaj muzikantë e të tjerë që punojnë nëpër orkestra e kështu me radhë ka, por popullsitë e tjera janë shumë më tepër. Edhe në balet kë kemi në balet? Nuk kemi...

Po ka, janë disa që kërcejnë për kompani të njohura...

Ku kërcejnë këta, kërcejnë në La Scala, në Covent Garden? Në Metropolitan? Nuk ka! Balerinë të mirë që të bëjnë balet të mirëfilltë në skenat më të rëndësishme të botës nuk ka. Kemi ndonjë që kërcen në Metropolitan, në Madrid, në Berlin, kemi ndonjë? Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për asnjë. Di që është Inva Mula, unë, nuk di të ketë të tjetër. Tani ky lloj zanati, këto që quhen artet e kultivuara janë të ndara nga televizioni, janë tjetër gjë. Edhe baleti është diçka tjetër ai lloj baleti që ne quajmë balet, edhe pse unë jam shumë krenar për ata që shoh në televizor. Unë nuk njoh shqiptarë, nuk më ka thënë ndonjë herë "ka ardhur një shqiptar këtu e ka kërcyer".

Po në Shqipëri debutoni?
Jo, në Shqipëri që kur jam larguar nuk kam debutuar më, që në 2003. Jam kthyer në koncertin e tre tenorëve në një edicion me Kastriot Tushën dhe me Gaqo Çakon, kam bërë një koncert me time shoqe, që është soprano, ka qenë këngëtare në Teatrin e Operas dhe Baletit, por që tani nuk interes sepse nuk mbahet dot familja po të punojmë të dy. Kam bërë vetëm gjëra të vogla. Jo se nuk jam i interesuar por nuk kam kohë të lirë edhe sikur të dua. Në teatrin e operës më kanë bërë oferta dhe unë mund të shkoj të këndoj kur të dua ose të paktën kështu më kanë thënë. Në momentin kur kam ikur kam ikur sepse filluan të më kërkonin llogari , probleme të psikologjisë shqiptare.

Por jeni nisur nga skena shqiptare ku keni punuar deri në 2003.
Kam studiuar edhe ca vjet inxhinieri elektrike. Siç ishte koha atëherë në Shqipëri. Deri në klasë të tetë kisha studiuar violinë, pastaj mbarova gjimnazin Ali Demi, gjimnazin e përgjithshëm. Me kalimin e kohës fillova të kuptoja se bëhesha një teknik si gjithë të tjerët kuptova se kisha të dhëna për kanton lashë inxhinierinë elektrike dhe fillova akademinë e arteve. Gjithmonë me konkurs, vitin e parë madje nuk e fitova konkursin, një nga ata që mbahen si këngëtarët e mëdhenj në Shqipëri, tha "ky çdo gjë bëhet, mund të këndojë muzikë të lehtë çfarëdolloj gjëje, por vetëm opera  nuk bëhet." U futën të tjerë në shkollë që ndoshta tani shesin banane, nuk e di nuk kam informacion për ta. Dhe vitin si e pashë prapë të ndërlikuar punën, im atë ka paguar 500 mijë lekë të vjetra. Pastaj aty kam studiuar me profesor Buran Spahiun.
Kam qenë solist në teatrin e Operës dhe Baletit , kam qenë edhe para një viti për 45 -vjetorin e orkestrës së Radio-televizionit shqiptar. Në koncertin e RTSH-së kam vajtur pa lekë fare, as biletën e udhëtimit nuk pranova që të më paguanin. Kam qenë i detyruar të këndoja, kam kënduar që nga opera Norma, Cosi fan tutte, Traviatën. Të bësh këtë lloj arti në Shqipëri do të thotë të jesh zero me xhufkë, do të thotë të paktën për përvojat që kam pasur unë do të thotë të të drejtojnë injorantë që nuk kanë lidhje me këtë zanat, të të kërkojnë llogari njerëz që nuk e kanë haberin se nga bie ky zanat. Ndërsa ti ke investuar gjithë jetën për mësuar diçka dhe ajo që ke mësuar është shumë modeste sepse është nga ato zanate që nuk mbarojnë kurrë. Por kjo ka qenë shtysa kryesore dhe arsyeja se pse unë jam larguar nga Shqipëria.

Si e vlerësoni nivelin e operës shqiptare?

Më mirë mos ma bëj këtë pyetje. Nuk më takon t'i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ka lënë pasojë mbyllja shumë e gjatë. Nuk është një sport ku njeriu stërvitet dhe arrin sukses. Kërkohet kulturë histori etj. Kur në Itali dirigjonte Toscanini ne po mundoheshim akoma të bënim shtet. Në bazë të kontakteve që kam unë me miqtë e mi ka disa raste të vogla por në vitet e fundit që është edhe krizë në tërë botën kanë filluar ngado të shkurtojnë fonde. Imagjino tani në Shqipëri. Opera del me humbje nuk del asnjëherë me fitim. Këto janë profesione që kanë nevojë për shumë investim, në Shqipëri nuk ka mundësi dhe as mund të pretendojmë shumë duke qenë se kanë shumë halle të tjera.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Pas Traviatës në La scala shkoj në Macerata për Attila, pastaj në shtator në Madrid për Un ballo in maschera, pastaj jam në trataktiva me La Scalën për një kontratë tjetër pastaj duhet të shkoj në Marseille në Paris, në Barcelonë,  në Zvicër.

Gjithmonë me role verdiane apo të ndryshme?
Më shumë me role verdiane. Kam kënduar në Napoli, Romë, Milano, Bolonja, Palermo, kudo disa herë të ndryshme.

Keni një larmi rolesh, shpesh tenorë të ndryshëm përsërisin herë pas here të njëjtin rol.
Po është normale, por nuk janë shqiptarë ata. Mua ndere të mëdha nuk më bëjnë, më japin ato role që nuk i bën dot askush tjetër, ose që ka pak veta që ia dalin t'ia bëjnë dhe kështu ka për të qenë kam përshtypjen gjatë gjithë kohës. Në skenë nuk ka role të lehta, këto janë role të një vështirësie maksimale, por janë role që vërtetë lodhesh por edhe paguhesh mirë Kurse role si Alfredo tek Traviata vërtetë lodhesh por nuk të paguar për vështirësinë e merituar. Bëri bis me Lucivan le stelle, të Toskës në Romë
Si e pritët çmimin Placido Domigno?
Çmimi më i rëndësishëm për këngëtar është Placido Domingo, e ka fituar edhe Inva Mula. Unë kisha vajtur për të fituar. Kjo ishte më e bukura, madje ia thashë personalisht Domignos, që unë kam ardhur për të fituar. Kemi bërë edhe një debat të gjatë para fazës finale sepse nga që kishte dy tenorë të tjerë që ishin pothuaj studentët e vet donte që njëri të paktën të kalonte para meje patjetër. Unë kisha vënë në program Trovatoren që është një nga materialet më të vështira për tenor dhe gjithë tenorët që kanë bërë këtë rol gjithmonë kanë ngelur në histori. Unë kisha përgatitur edhe arien me kabaletën e famshme "Di quella pira" , dhe unë të paraqitesha vetëm me njërin prej tyre, faktikisht nuk janë dy materiale janë një. Dhe unë i thashë: po nuk më le t'i bëj të dyja unë iki në shpi dhe nuk paraqitem në finale fare sepse unë kam ardhur për të fituar. Sepse e dija që po të bëja vetëm njërën nuk e fitoja dot. Nuk kishte çfarë të bënte dhe më la që t'i këndoja të dyja. Nuk ishte një triumf i papritur, sepse në këto zanate nuk ka të tilla gjëra, janë investime, punë që vijnë gradualisht. Nuk mund të pretendohet që menjëherë dikush të dalë në majë. Duhet eksperiencë dhe punë. Kur ishim në Shqipëri gjithmonë kishim ëndrra, nuk dukej  lehtë por nga dita në ditë kupton se sa e vështirë është. Në Shqipëri janë akoma me atë mentalitet se tjetri nuk po bën ndonjë gjë të madhe. Në vitet '90 në Shqipëri dëgjohej shpesh pas Kallasit vjek x, pas këtij vjen Y, pa kriter, kurse me kalimin e kohës duke ardhur këtu, e duke parë të tjera përvoja, merret vesh se nuk bëhet fjalë për një vit karrierë por për një karrierë të rëndësime, ka njerëz që kanë bërë nga 40 vjet karrierë.

Marjola Rukaj, Shqiptari i Italisë qershor 2008