Medalje heroit modest Blerim Shkrepi - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Vlerësim i lartë për vlera qytetare të riut shqiptar që në dhjetor të vitit 2008 shpëtoi një fëmijë nga flakët. “Do ta kish bërë kushdo”

Romë, 9 shtator 2011 – “Me ndjenjë të lartë altruizmi dhe i vetëdijshëm për rrezikun, nuk hezitoi të futej në dhomat e mbytura nga tymi të një shtëpie ku kish rënë zjarri, duke shpëtuar një fëmijë të ngërthyer mes flakëve. Shembull i pastër solidariteti dhe virtytesh të shquara qytetare”.

Është ky motivimi i dëshmisë që shoqëron medaljen e argjendtë për vlera qytetare të dhënë të martën, më 6 shtator, Blerim Shkrepit, që tre vjet më parë në Arona të provincës së Novarës shpëtoi një fëmijë nga flakët. Në ceremoni kanë marrë pjesë kryebashkiaku i qytetit të vogël, prefekti i Novarës dhe shumë miq e të afërm. Shkrepi, i emocionuar për vlerësimin e lartë, thotë për shqiptariiitalise.com se nuk e priste aspak këtë medalje pasi sipas tij “kushdo do të kish bërë të njëjtën gjë”.

Atë natë të fundit të dhjetorit 2008, ishte në një dyqan duke punuar kur dëgjoi njerëz të shqetësuar që kërkonin ndihmë. Doli jashtë e pa që në një vilë përballë kish rënë zjarri. Një grua thoshte se brenda i kish mbetur i biri 6 vjeç dhe i shoqi kish hyrë për ta kërkuar. “Nuk e zgjata fare, dhe hyra në vilë. Ishte errësirë dhe duke ecur ngadalë me duart përpara papritur preka djalin, Niccolò. E mora në krahë e dola jashtë”. “Ishte rastësi që e gjeta unë dhe jo i ati” shton duke i ulur vlerën gjestit të tij.

Pasi u sigurua që fëmija ishte mirë, dhe duke mos menduar se kish bërë një gjest të veçantë mori furgonin e tij dhe iku në shtëpi. “Vetëm më pas mora vesh që gazetat e televizionet po flisnin për mua. Isha bërë heroi i ditës, gazetarët më kërkonin për intervista, njerëzit në rrugë më përgëzonin”.

Blerimi sot është 27 vjeç. Jeton në Galliate nga viti 2002, kur në moshën 18 vjeçare u largua nga Shqipëria e erdhi të jetojë në Itali ku kishte vëllezër e motra. Në fillim u mbështet tek ta, deri filloi të punojë e të jetojë më vete. Sot punon privatisht, bashkëpunon me një ndërmarrje mobiljesh. “Kam një furgon dhe dorëzoj e montoj mobilie në shtëpi”.

Ke hasur vështirësi si i huaj? “Jo, jo – thotë – Nuk them se s-kam ndier asnjëherë racizmin, por kur nuk ia vë veshin e shkon në rrugën tënde e ke më të lehtë. Unë kam bërë gjithnjë kështu”.

Po sot ndihesh hero? “Kush unë? E ç’kam bërë? Askush nuk do të qëndronte indiferent përpara një shtëpie në flakë! Ndoqa instinktin: hyra brenda, gjeta Niccolò dhe e nxora jashtë. Vetëm kaq!”.

Nga ceremonia e dhënies së medaljes ka vetëm një pishman: “Do të më kishte pëlqyer të ishin të pranishëm edhe djali që shpëtova e prindërit e tij. Por ndoshta kanë harruar t’i ftojnë”.

Keti Biçoku