Merkatoja e dimrit shton futbollistët shqiptarë në Itali - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Shkodran Mustafi vesh fanellën e Sampdorias, e lë atë të Evertonit anglez. Ndërsa Agon Mehmeti lë Malmoe të Suedisë për klubin e Palermos

Shkodran Mustafi vesh fanellën e Sampdorias

Klubi i Sampdorias ka blerë ditët e para të janarit Shkodran Mustafin, kosovar i lindur e rritur në Gjermani, mbrojtës që ka luajtur së fundi me klubin anglez Everton. Më 2 janar ai ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me Sampdorian dhe ka nisur tashmë stërvitjen në skuadrën e tij të re.

Futbollisti i ri, i lindur në vitin 1992 në Gjermani nga prindër shqiptarë, është mbrojtës i majtë dhe mund të luajë edhe si qendërfushor. Është rritur në skuadrën e të rinjve të Hamburgut.

Mustafi është shquar gjatë ndeshjeve ndërkombëtare me kombëtaret gjermane të fashave të ndryshme të të rinjve (2 ndeshje me Under 17, 4 me Under 19 dhe 4 me Under 21). Falë talentit dhe fuqisë fizike, konsiderohet një prej mbrojtësve më të rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares gjermane.

Mehmeti: “Më pëlqen të bëj karrierën e Ibrahimoviç-it”

“Më frymëzon loja e Ibrahimoviç, por mos më krahasoni me të, ai është futbollist i madh, unë jam vetëm në fillim të karrierës sime. E vetmja gjë që na bashkon është fakti se kemi luajtur të dy te Malmoe (Suedi)”, - shprehet futbollisti kosovar Agon Mehmeti, 22 vjeç, i sapoblerë nga Palermo. Por i riu kosovar ka edhe modele të tjera: “Më pëlqejnë si luajnë sulmues inteligjentë si Inzaghi e Milito”.

“Kam luajtur si anësor te Malmoe. Më pëlqen të luaj shumë gjatë dhe në qendër të sulmit. ‘Super sub’ (super zëvendësues)? Është një nofkë e lindur nga fakti që kam realizuar shumë gola, duke hyrë si zëvendësues gjatë lojës. Tani mendoj vetëm për Palermon, dua të luaj e të rritem profesionalisht me skuadrën. Dua të jap maksimumin për të arritur të gjitha objektivat”, - thotë Mehmeti.