Mili, mjeshtri i kornizave - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Xhemil Sali, për miqtë Mili, jeton prej 22 vjetësh në Romë e ka një dyqan kornizash në zemër të kryeqytetit. “Në Itali kam kuptuar përditë e më mirë që kush është i ndershëm e sillet mirë, çan përpara e bën miq kudo që të jetë. Sot mund të them që kam hasur plot njerëz të mirë që më kanë dhënë një dorë”

Në zemër të Romës aristokratike, në Parioli, pranë Corso Trieste-s, në një dyqan të vogël buzë rruge ka laboratorin e tij të kornizave Xhemil Sali, që miqtë italianë e njohin me emrin Emilio, ndërsa ne shqiptarët e thërrasim akoma më shkurt, Mili.

Prej disa vjetësh Mili është sipërmarrës i vogël, bërës dhe shitës kornizash, dyqanin e ka të vetin dhe kur ka shumë punë “punëson” kunatin. Nuk është rasti i këtij viti: “Puna ka rënë goxha. – thotë – Bile sa më shumë bie puna aq më shumë po na rriten dhe taksat”. Por megjithatë, gjatë kohës që flasim në laboratorin e kornizave të Milit, hyjnë e dalin disa klientë, kush merr kornizat e porositura e kush porosit të reja për foto apo pikturë që sjell me vete. Bie në sy që me shumicën e klientëve Mili shkëmben më shumë se dy fjalë. Ka edhe nga ata që kalojnë në rrugë, ndalen e përshëndesin e vazhdojnë. “Jetoj prej 20 vjetësh në këtë zonë. I njoh e më njohin të gjithë. Ua njoh edhe huqet shumë prej klientëve të mi. Di kush është grindavece e ngecet për hiçgjë e kush është njeri i urtë” shpjegon.

Mili ka ardhur në Romë në vitin 1990, është ndër të parët e emigracionit të ri shqiptar në Itali. Ka ardhur me një vizë  për turizëm, por i bindur për të mos u kthyer më. “Isha 29 vjeç kur në Shqipëri filluan të jepnin pasaportat e vizat merreshin lehtë nëpër ambasada. Vendosa të nisesha e kam ardhur këtu me avion, me mendjen për të qëndruar. Ndihmën e parë ma ka dhënë Mentor Çoku, një atdhetar në Itali prej vitit 1944, që ka bërë shumë për shqiptarët, veçanërisht ato vitet e para të nëntëdhjetës e të cilin shumë prej nesh e kujtojnë sot me mirënjohje”. Lidhur me Mentorin e familjen e tij tregon: “Nuk kam për ta harruar asnjëherë, udhëtimin e kam bërë me të bijën e nipin e Mentorit që për herë të parë vinin në Itali dhe e takonin. Ishin si të mpirë gjatë gjithë udhëtimit. E bija nuk e kish parë asnjëherë të atin nga çasti kur ai iku, kishte jetuar për 30 vjet në internim, tre fëmijët e saj kishin lindur atje dhe më në fund i jepej mundësia të takonte babanë. Sot jetojnë thuajse të gjithë në Romë dhe i kam miq të mirë”.

Profesionin e bërësit të kornizave Mili e ka marrë në moshë të rritur. “Më pëlqen zanati im, është gjë e bukur t’i japësh formë copave të drurit, t’ua përshtatësh sa më mirë pikturave apo fotografive, por edhe të jesh në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Në Shqipëri punoja si kaldajist, – tregon Mili – kur erdha në Romë nisa punë në një dyqan që shiste materiale druri. Më pas fillova të bashkëpunoj me zotërinë që kishte dyqanin që kam sot e mora zanatin. U tregua njeri i fjalës, kur doli në pension më la laboratorin e tij, hapa partitën IVA e ja ku jam akoma sot që bëj korniza. Të them të vërtetën këto 22 vjet në Itali kam kuptuar përditë e më mirë që kush është i ndershëm e sillet mirë, çan përpara e bën miq kudo që të jetë. Sot mund të them që kam hasur plot njerëz të mirë që më kanë dhënë një dorë”.

Në Romë jeton me familjen, gruan e dy fëmijët. “U martova në vitin 1992, dhe sot kemi dy fëmijë, djali 18 vjeç e vajza 8. Të gjithë kemi marrë tashmë edhe shtetësinë italiane. Një sërë problemesh të rënda shëndetësore në familje e kanë detyruar gruan të mos punojë, është shtëpiake, rrit fëmijët. Djali sapo ka mbaruar të mesmen, mori patentën dhe këtë verë ka nisur punë pranë një punishteje akulloresh. Le të mësohet njëherë me punën pranë dikujt që i kërkon llogari pastaj me të parë e me të bërë”. Për një gjë është krenar, kur e pyet a flasin shqip fëmijët të përgjigjet: “Shumë mirë. Në shtëpi flasim gjithnjë shqip, në Shqipëri shkojmë çdo vit”.

Sa për Shqipërinë, Mili thotë se e ka zët politikën, “në Tiranë kudo që të shkosh flasin vetëm për politikë e politikanë, të gjithë, unë mundohem të mos përzihem asnjëherë”. E si të duket Tirana? “U ambientuam këtej, e në Tiranë e kam ca të vështirë. Nuk takon më një të njohur, është rritur shumë e shumë vendalinj janë larguar e kanë ardhur të tjerë. Por në përgjithësi ajo që më vret në Shqipëri janë disa sjellje që nuk i kapërdij dot: policët që të ndalojnë ndonjëherë për hiçgjë, vetëm pse shpresojnë të të zhvatin ndonjë lek. Apo mos mbajtjen e një qëndrimi nga ana e qeverisë për të gjitha ato që u ndodhin shqiptarëve në kufirin me Greqinë. Jam çam dhe në këtë pikë prekem lehtë”.

Në Tiranë e ke të vështirë, po këtu në Romë? “Jam si në shtëpinë time. Kam një grup të madh miqsh nga Tirana me të cilët mblidhemi shpesh. Për festa e sebepe familjare bëhemi edhe 30 apo 50 vetë bashkë e kënaqemi”. E ndërsa largohem, Milin vijnë e takojnë dy miq të tij, Mondi dhe Edi, e të tre bashkë shkojnë të marrin diçka për t’u freskuar.

Keti Biçoku