Monda Gjini mes finalistëve të Moneygram Award - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Agjencia e saj “Ra-Gi – Shërbime për imigracionin” ndër tre më të mirat në kategorinë e çmimeve për Përgjegjësinë sociale. Gjini: “Është kënaqësi kur të tjerët vlerësojnë punën që bën”

Romë, 13 shtator 2012 – Mbahet në Shtëpinë e Kinemasë në Romë, edicioni i katërt i çmimeve Moneygram për sipërmarrësit e huaj në Itali.

Në prani të qindra sipërmarrësve të huaj e italianë, juria e drejtuar nga Massimo Canovi nënpresident për Europën e Jugut i Moneygram International, dhe e përbërë veç të tjerësh edhe nga Natale Forlani (Ministria e Punës), Radwan Khaëatmi (themelues i Hirux International dhe fitues i edicionit të parë të Moneygram Award), Ivan Malavasi (president CNA), Franco Pittau (Drejtor i dosierit të Karitasit mbi Imigracionin), shpallën sot finalistët dhe fituesit e pesë kategorive (Rritje, Punësim, Novacion, Sipërmarrje e të Rinjve dhe Përgjegjësia Sociale) të çmimit Moneygram.

Sipërmarrësi i huaj më i mirë i këtij vitit u shpall rumuni Florin Simon, 42 vjeç që prej shtatë vjetësh ka hapur në Romë ndërmarrjen e eksport-importit Rumania s.r.l. që sjell në Itali produkte tipike rumune.

Florin Simon fitoi edhe MoneyGram Award në kategorinë e Rritjes. Ndërmarrja e tij me 34 të punësuar ka rritur në mënyrë eksponenciale xhiron e biznesit dhe për vitin në vijim parashikon një xhiro prej 19 milionë eurosh, (+34% krahasuar me një vit më parë).

Për kategorinë e Përgjegjësisë Sociale, çmimin MoneyGram e mori Elsa Javier, 55 vjeç nga Peruja, që në Romë ka ngritur “Semilias Latinas” shoqatë që ka për qëllim përhapjen dhe njohjen e produkteve ushqimore të Amerikës Latine.

Njëra nga tre finalistët e kësaj kategorie, 52 vjeçarja Monda Gjini, e lindur në Lushnje dhe e ardhur në Torino nga viti 1998, ku jeton edhe sot me të shoqin e dy djemtë e saj. Në vitin 2007 ka hapur agjencinë “Ra-Gi – Shërbime për emigrantët” që u ofron asistencë emigrantëve, familjeve dhe sipërmarrësve të huaj në marrëdhëniet me administratën publike dhe burokracinë italiane. Monda, bashkë me dy djemtë e saj 22 dhe 25 vjeç, çojnë me sukses përpara agjencinë: jo vetëm ofrojnë falas informacione mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me emigracionin por ndjekin hap pas hapi praktikat pranë administratës publike.

“Klientët tanë janë privatë të huaj por edhe familje që punësojnë të huaj, çiftet e përziera apo ndërmarrje imigrantësh – thotë Monda Gjini për shqiptariiitalise.com – Shqiptarët? Janë thuajse gjysma e klientelës, dhe kjo e fundit është rritur gjithnjë nga viti në vit. Njerëzit kanë besim në punën time. Agjencia ka listën e çmimeve për çdo praktikë, por të gjithë e dinë që e çojmë punën që na besohet deri në fund, përndryshe u kthejmë paratë mbrapsht qytetarëve. Publiciteti më i mirë për ne ka qenë ai që na kanë bërë vetë klientët”.

“Për sanatoren e vitit 2009 ndoqëm mbi 200 praktika – tregon Monda me një shembull punën e agjencisë Ra-Gi – që të gjitha praktikat përfunduan me lëshimin e lejes së qëndrimit për të  huajt, edhe ato pak që kishin ndonjë problem, i ndoqëm deri në fund dhe i zgjidhëm. – vazhdon ajo - Kështu për sanatoren e këtij viti kemi akoma më shumë kërkesa, ndaj edhe duhet të marr trenin më të parë e të kthehem në Torino”.

E kënaqur për çmimin që sapo ka marrë? “Është gjithnjë kënaqësi kur të tjerët vlerësojnë punën që bën”, thotë e qeshur Monda.

Për kategoritë e tjera fituesit e këtij viti janë: Moneygram Award për Punësimin, është fituar nga dy gra. Sandra Aparecida Gouveia (nga Brazili) që në vitin 2004 ka hapur në Ascoli Piceno qendrën estetike Akos Benessere, me 18 të punësuar. Fituesja tjetër është rumunia 45-vjeçare Anisoara Marin, që në vitin 2001 ka hapur në Romë ‘Kooperativën sociale Risvolti’ që ofron asistencë për të moshuarit dhe u jep një mundësi pune grave të huaja në vështirësi. Numëron 18 të punësuar.

Moneygram Award për Novacionin, Lishuang Hu, 46-vjeçar kinez i ardhur në Preganziol të Trevisos në vitin 1984 që sot ka katër restorantë me kuzhinë orientale me mbi 130 të punësuar.

Moneygram Award për Sipërmarrjen e të Rinjve e merr 32 vjeçari Muhammad Ajmal Shahid që në Porto Recanati të Maceratës ka themeluar në vitin 2006 “Impresa Service” kooperativë shërbimesh që u ofron ndërmarrjeve krah pune të kualifikuar. Nëdrmarrja e tij numëron sot 31 të punësuar dhe parashikon një rritje vjetore të xhiros me 10% për vitin në vijim.

Vitin e shkuar mes finalistëve të çmimit MoneyGram Award nuk kishte asnjë shqiptar ndërsa në vitin 2010 ishte mes finalistëve edhe një sipërmarrës shqiptar, rritësi i lepujve, Kel Gjondrekaj.

Keti Biçoku