Nga klandestin në prift. Don Bledar Xhuli mallëngjen Papa Françeskun me historinë e tij - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Bledar Xhuli ka ardhur në Itali në vitin 1993 kur ishte 16 vjeç. Nga viti 2010 është prift në Firence. Ishte e tija një prej tre dëshmive të rrëfyera dje në Katedralen Santa Maria del Fiore që prekën thellë Atin e Shenjtë  dhe të gjithë delegatët e Kuvendit Kishtar Italian, me temë “Në Krishtin, humanizmi i ri” të mbajtur në Firence.

Bledar Xhuli tregon arsyet largimit nga Fieri e vështirësitë e kohëve të para në Itali: “U ndala në Firence, ku një bashkatdhetar më tha se kishte mundësi për të ngrënë e për të fjetur gratis: në të vërtetë flinim nën një urë të gjatë “Mugnone” dhe hanim në mensën e Karitasit. Vija rrotull gjithë ditën duke kërkuar punë, por pa dokumente, ishte e pamundur. U bija veglave në kisha për të kërkuar lëmoshë e ndihmë. Shpesh, natën, nuk flija dot nga të ftohtët e lagështira, por edhe sepse gjendesha në një situatë më të keqe se më parë e nuk mund të kthehesha mbrapsht, për shkak të parave të marra borxh për të kaluar detin. Fshehtas nga të tjerët, natën qaja e bërtisja i dëshpëruar. Zoti e dëgjoi zërin e të dëshpëruarit”.

Më pas pati fatin të njihte don Giancarlo Setti-n: “Më la të hyj e të banoj në shtëpinë e tij si të isha i biri, jo për një ditë o një muaj, por për gati 10 vjet, deri në vitin 2002, kur vdiq pas një sëmundjeje të rëndë. Një bujari e mikpritje, që më lanë pa mend. E më bëri të kuptoj një të vërtetë të madhe: isha klandestin, por jo keqbërës. Qe takimi i parë me Krishtin, pavarësisht se nuk isha i vetëdijshëm për këtë”.

Falë priftit fiorentin, Bledari gjeti punë, nisi shkollën e mesme, më pas u regjistrua në fakultetin e Shkencave Politike. E duke banuar në famulli afrohet me fenë: ndjek meshat, bën katekizëm çdo mbrëmje pas punës e shkollës së natës dhe Natën e Pashkëve të vitit 1994 merr Pagëzimin, Krezmimin dhe Kungimin, sipas ritit për të rriturit. “Zbulova gradualisht se Pagëzimi ishte një fillim i ri. Fillimi i një udhe shpirtërore, e cila, duke kaluar përmes studimit e punës, më bëri të zbuloj thirrjen për meshtari gjatë Jubileut të vitit 2000”. Pas mbarimit të universitetit, duke ndjekur këshillën e don Setti-t që ndërkohë ishte ndarë nga jeta Bledari hyri në seminarin dioqezan ku jetoi për 7 vite të mrekullueshme me lutje, studim e vëllazërim, siç thotë ai vetë.

Nga 11 prilli i vitit 2010 është meshtar i Kishës së Firences. Nga janari i këtij viti jam famullitar i Shën Marisë në Kampi, një bashkësi plot gjallëri e bujare, ku nuk mungon as puna baritore, as ajo shpirtërore. Përpiqem t’i shërbej Zotit dhe vëllezërve në gëzimin e në lodhjen e përditshme për të jetuar këshillën e marrë në ditën e shugurimit meshtarak, kur ipeshkvi, duke më dorëzuar Ungjillin, më tha: jeto atë, që u mëson të tjerëve!.

E në mbyllje të rrëfimit të tij, don Bledari dëshiron të falënderojë Papa Françeskun për vizitën e tij vitin e shkuar në Shqipëri:"Vizita juaj inkurajoi jo vetëm Kishën, por edhe mbarë vendin për të fluturuar lart si shqiponjat”.

Këtu gjeni tekstin në shqipdëshmisë së plotë të don Bledar Xhulit para Papës Françesku në Firence (Radio Vatikani)

Video e dëshmisë së don Bledar Xhulit para Papës: