Olen Cesari: “Të nxisim kulturën tonë” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Violinisti gjenial që prej vitesh luan krah artistëve më të mëdhenj italianë, i mëshon rëndësisë që merr promovimi kulturës sonë në Itali nga ana e artistëve që jetojnë e punojnë këtu

 

olen.gifPaganini i ri, e quajnë ekspertët e violinës. Dhe virtuoziteti i violinës së tij u mbërrin mjeshtërisht edhe më profanëve. Olen Cesari është violinisti gjenial që ka shpënë emrin e Shqipërisë në skenat më prestigjoze të muzikës klasike dhe në çmimet më të lakmuara të muzikës botërore. I lindur në Durrës nga një familje artistësh Cesari ka mahnitur Shqipërinë duke filluar debutimin e tij në moshën 5 vjeçare, ndërsa kurorëzimet e suksesit erdhën njëra pas tjetrës në kohë rekord me çmimin më të lartë të muzikës klasike në Shqipëri, e më pas një bursë studimi në konservatorin e Romës Santa Cecilia. Rekordet vazhduan të karakterizojnë karrierën e tij prej të riu fenomenal e madje në moshën 17-vjeçare Cesari përfundoi konservatorin e Santa Cecilias me notën maksimale duke u bërë kështu i diplomuari më i ri në moshë në historinë e shkollës prestigjoze të muzikës. Më pas kërkimi muzikor e ka çuar edhe më lart e në shtigje të reja muzikore duke e shndërruar Paganinin e ri në një muzikant eklektik që lëviz lirshëm mes muzikës kasike, jazz-it, pop-it e muzikës tradicionale të botës. Ndërsa në Itali, vendi ku jeton ndërmjet koncerteve të panumërta, është i famshëm jo vetëm për artdashësit më të rafinuar që i njohin ri-aranzhimet e kolosëve klasikë të violinës apo ekzekutimet e tij që i vlejtën emrin Paganini i ri, por edhe për bashkëpunimet e suksesshme me këngëtarë si Daniele Silvestri, Max Gazzé, apo Carmen Consoli. Ndërsa shpesh herë ka debutuar me emrat më të njohur të muzikës së lehtë italiane në skenën e San Remos.

Ndërsa është pa dyshim një artist me një jetë kozmopolite, po aq sa edhe profil eklektik, në të ardhmen e afërt gjeniu i violinës parashikon t'i rikthehet Shqipërisë, jo skenës shqiptare, ose të paktën jo intensivisht por kulturës shqiptare dhe pasurisë së larmishme të muzikës tradicionale, që mund të shërbejë si lëndë e parë transformimesh dhe aranzhimesh kreative. "Sepse ka ardhur koha të promovojmë kulturën shqiptare, e të tregojmë vërtetë se kush jemi" thotë Cesari duke lënë të hamendësohet përmbajtja e albumit të tij të ardhshëm.

 

Shqiptari i Italisë: Përse vendosët të transferoheshit pikërisht në Itali?

Olen Cesari: Në kohën e komunizmit në Shqipëri nuk kishe mundësi të vazhdoje studimet në konservatorët e botës por unë isha vetëm 13 vjeç dhe kisha mbaruar institutin e lartë të arteve në Tiranë si rast i jashtëzakonshëm kështu që më në fund pas shumë e shumë sakrificash më dhanë një bursë studimesh për në Itali. Në moshën 14-vjeçare erdha në Romë i shoqëruar nga mamaja ime të vazhdoja studimet në konservatorin e Santa Cecilias. E pranova bursën për në Itali edhe sepse kërkesa fillestare ishte për konservatorin e Parisit por përgjigjja m'u dha o kështu o hiç fare

Duke bërë një bilanc çfarë mundësish ju ka dhënë formimi në Itali?

Italia ka një kulturë muzikore mijëravjeçare, ka në traditën e saj fillimet e muzikës. Pastaj natyrisht ka brenda territorit të vet, Vatikanin shtetin që ka investuar në art e kulturë e muzikë gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tij. Për më tepër Roma ka një konservator mbi 400-vjeçar dhe bilanci që unë i bëj vetes nuk mund të mos jetë më se pozitiv

Edhe sepse isha emigrant këtu, Italia mi hapi portat e saj nëpër të gjitha skenat duke filluar nga skenat e konkurseve kombëtare e ndërkombëtare, duke më bërë solist me vite të tëra në RAI, radio televizioni italian, në programet më të rëndësishme artistike të udhëhequra nga Pippo Baudo deri tek skena me 2 milion spektatorë në rastin e koncerti për nder të Papës Gjon Pali II në Bolonja.

olencristicchi.gifSa Shqipëri ka në jetën tuaj sot?

Ka nja dy vjet që ka shumë Shqipëri në jetën time. Më përpara kishte shumë pak, gati aspak madje do të thosha. Më parë bëhej fjalë vetëm për një marrëdhënie profesionale dhe asgjë më shumë se kaq. Shkoja në Shqipëri vetëm për koncerte dhe kthehesha ditën tjetër, të nesërmen e koncertit koncerti. Por të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Shqipëria ka ndryshuar edhe po ndryshon ditë për ditë e më shumë.

Jeni i pranishëm në skenat shqiptare?

Do të më pëlqente të ekzekutoja më shpesh por ftesat për koncerte më vijnë nga gjithë bota por jo nga Shqipëria dhe nuk e kuptoj përse. Po kërkoj të gjej një strukturë organizative që realizon koncerte në Shqipëri të them të vërtetën. Këtë e synoj sepse do të doja të dilja nga ajo rutina e Pallatit të Kongreseve apo edhe e Teatrit të Operës dhe Baletit. Natyrisht jam i mendimit se muzika i përket të gjithë popullit dhe jo vetëm elitës. Jo të gjithë mund të vijnë në këto struktura dhe të paguajnë biletat për shembull, sa për të përmendur vetëm një prej kufizimeve që sjell ky monopolizim i kulturës nga këto institucione. Për më tepër unë parapëlqej, e prirem natyrshëm të lëviz nëpër të gjitha gjinitë e muzikës kështu që do më pëlqente shumë të organizoja koncerte nëpër sheshet e qyteteve në Shqipëri ose nëpër vendet arkeologjike me grupin tim.

E ndiqni pak a shumë artin shqiptar? Ç'mendim keni për të?

Që kur kam vënë Digitalb-in në shtëpi jam i lidhur më shumë me artin shqiptar. Dhe mendoj që shteti shqiptar duhet të investojë më tepër për artin. Edhe ne artistët shqiptarë duhet të marrim përsipër një funksion ndërkombëtar e kulturor, për t'i hapur një dritare botës së huaj mbi Shqipërinë. Nuk po flas vetëm për muzikën. Për shembull një aspekt po aq i rëndësishëm do të ishte të promovoheshin filmat shqiptarë. E kam fjalën për manifestime nëpër vendet e botës të organizuara nga ambasadat shqiptare me artistë shqiptarë dhe me temën "Shqipëria". Jam i bindur se kjo do t'i bënte shumë mirë Shqipërisë. Kërkoj ndjesë nëse e teproj me këtë lloj këmbënguljeje, por kemi vuajtur shumë gjithë këto vite për të mbrojtur dinjitetin e këtij kombi.

Dhe tani sipas mendimit tim tani ka ardhur momenti të promovojmë Shqipërinë nëpër gjithë botën.

Bën pjesë disi Shqipëria në projektet tuaja?

Bën pjesë patjetër, e madje pa diskutim. Tirana është vetëm një orë fluturimi larg nga Roma, pra është njësoj sa Romë- Milano! Kam shumë miq italianë që po fillojnë të mendojnë të vijnë dhe të vizitojnë por edhe të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Si ka ardhur eklektizmi juaj artistik?

Mbasi mbarova konservatorin në Romë shkova të bëja një konservator tjetër në Austri. Pasi mbarova edhe këtë shkova në Amerikë dhe atje m'u hapën horizonte krejtësisht të tjera. Kuptova thellësisht faktin që nuk ekziston vetëm muzika klasike por të gjitha llojet e muzikave botërore të japin njohuri dhe pasuri dhe muzikanti duhet t'i njohë të gjitha zhanret .

olen2.gifCilin zhanër preferoni më shumë?

Zhanret janë të ndryshme. Do të përmendja Pop, Hip pop, jazz, R&B. Në të vërtetë nuk jam në gjendje të vendos një zhanër sepse më duket se secili prej tyre ka diçka të mrekullueshme brenda. Mirëpo në gjithë këtë mori zhanresh nuk ka diskutim se baza sidoqoftë është muzika klasike të cilën unë e vendos në vendin e parë. Dua të them me këtë se pa një njohuri të thellë të muzikës klasike nuk është e mundur të notosh në oqeanin e thellë të muzikës botërore.

Ju keni punuar edhe me grupet që lëvronin muzikë etnike si Meridia apo më vonë Ogila. Çfarë e shtyn një violinist të merret me muzikë të këtij lloji?

Meridia ishte një grup muzike popullore italiane dhe trajtonte muzikën nga 1400 deri në ditët e sotme. Merreshin kryesisht me valle tarantele këngë napolitane e shumë të tjera të këtij lloji. Kurse grupi Ogila ishte një grup që merrej me muzikë cigane ruse, hungareze, sllave në përgjithësi edhe ishte një eksperiment social, sepse ishim të gjithë nga Ballkani. Kjo ishte e veçanta dhe e bukura e grupit por që solli edhe shpërbërjen e tij. Pikërisht kur filloi lufta në Kosovë grupi u prish. Gjithsesi kurioziteti për të njohur të gjitha zhanret do të ishte përgjigjja ime më e saktë për gjithë këtë eksplorim që më vjen natyrshëm si prirje gjatë marrjes sime me muzikë viteve të fundit.

Ka disa artistë që riorkestrojnë e përpunojnë muzikën tradicionale shqiptare duke ia ofruar atë një publiku ndërkombëtar. Ju jeni i tunduar nga një mundësi e tillë? Si e vlerësoni në këtë prizëm muzikën tradicionale shqiptare?

Pikërisht në këtë periudhë jam duke punuar për realizimin e një albumi të ri me muzikë nga bota. Dhe jam i bindur se në këtë album do të ketë dy këngë popullore shqiptare të riarranzhuara. Edhe për këtë aspekt mendoj dhe citoj sërish atë që thashë më parë. Muzika shqiptare popullore është një perlë, është një thesar, por nuk ka vitrinën e duhur për momentin. Ka ardhur koha t'i kallëzojmë botës kush jemi me të vërtetë dhe nga vijmë me të vërtetë. Këtë mund ta bëjmë shumë mirë nëpërmjet kulturës sonë. Bota është me rrota!!!

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit nëntor 2009