Pistoia nderon Nikolin Gjeloshin me çmimin më të lartë qytetar - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Më 9 dhjetor, kryetari i komunës Renzo Berti ka nderuar 16 qytetarë të Pistoiës, që janë shquar në fusha të ndryshme, me statujën e vogël të Micco-s, simbol i qytetit

“Micco" – siç quhet ariu simbol i qytetit, me skulpturën e vogël të të cilit, Pistoia nderon qytetarët e saj më të shquar, – u ishte dorëzuar vetëm nëntë personave nga viti 1995. Ndërsa kësaj radhe në ceremoninë e së premtes, 9 dhjetor, u shpërndanë plot 16 skulptura me simbolin e qytetit, po aq personazheve për kontributin që ata kanë sjellë  në fushën e paqes, solidaritetit, kulturës, arkitekturës, punës, ekonomisë, kërkimeve shkencore të historisë ndërkombëtare, në rritjen e famës së Pistoiës dhe të qytetarëve të saj. Ka merituar mirënjohjen e qytetit, mes të tjerëve, edhe sipërmarrësi shqiptar prej vitesh në Pistoia, Nikolin Gjeloshi.

Sipas kryetarit të bashkisë, Renzo Berti, veçantia e këtij viti e çmimeve Micco qëndron në faktin se ky vlerësim është menduar si pjesë e një procesi që ka për qëllim të forcojë ndjenjën e integrimit dhe të përkatësisë së qytetarëve në shoqërinë e Pistoiës. Në këtë aspekt, dorëzimi i këtij çmimi për herë të parë një personi që nuk ka lindur në Pistoia, dëshiron të theksojë kështu se integrimi i burrave dhe grave me prejardhje të ndryshme pasuron strukturën e qytetit në kapitalin social dhe njerëzor.

Çmimi dhënë Gjeloshit –  i prezantuar si model integrimi, përfaqësues i mijëra shqiptarëve që në qytet ndërton përditë të ardhmen, – ka këtë motivim: “Pas një jete të kaluar në Shqipëri nën regjimin diktatorial, Nikolin Gjeloshi ka ardhur në Itali me valën e parë të emigrimit të paligjshëm nga ai vend, për të ndërmarrë rrugën e vështirë të karrierës profesionale dhe emancipimit shoqëror. Objektiv ky, tashmë i arritur plotësisht, në sajë të angazhimit këmbëngulës  dhe ndershmërisë shembullore, që e kthejnë atë në emblemën pozitive të shumë e shumë  e historive bashkëkohore. Nikolini ishte shqiptari i parë që u bë sipërmarrës në Itali. Ky sukses, megjithatë, nuk ka errësuar kujtesën e shumë vështirësive të viteve të para, apo të mosbesimit, por edhe të solidaritetit të përjetuar. Madje e kthen atë sot në një dëshmitar efikas të atij mesazhi themelor që shfaqet edhe në titullin e librit që rrëfen aventurën e tij: të jesh qytetar i botës! Ndaj Pistoia është e lumtur të ketë Nikolinin dhe familjen e tij, mes banorëve të saj”.

Nikolin Gjeloshi , duke falënderuar kryetarin e Komunës për vlerësimin e lartë, ftoi qytetarët e Pistoiës të përfytyronin vitet ’90,  vitet e vuajtjeve morale e fizike që përjetonin emigrantët që vinin nga Shqipëria. Ata njerëz që kapërcyen detin plot shpresa dhe me vullnet të mirë, shumë prej të cilëve humbën jetën rrugëve, në kërkim të një jete të re. “Prandaj – thotë Gjeloshi – dua t’ua kushtoj këtë vlerësim vuatjeve atyre që ia arritën qellimit por edhe të gjithë atyre që për atë qëllim humbën jetën”. Nga ana tjetër, ai thotë se gjysma, në mos më shumë, e vlerësimit shkon për gruan e tij  “që është rrënja e të gjitha rezultatet të arritura dhe që edhe sot, e ulur me lot në sy, vazhdon të mbajë dritën në rrugën e familjes sonë”.

Personalitetet e tjera të vlerësuara me Micco-n  janë Aurelio Amendola, ndër më të shquarit fotografë italianë në botë; Francesco Arena e Simone D’orazio nga Kazerma Marini, ushtarakë parashutistë me shërbim në Afganistan; Qendra kulturore Il Funaro; Anna Maria Michelon Palchetti kryetare e shoqatës italiane MO.I.CA. (movimento italiano casalinghe); Motër Gertrude Magnani presidente CEIS (centro italiano di solidarietà); Adolfo Natalini, arkitekt pistoiez, themelues i ashtuquajturës “arkitektura radikale"; Giancarlo Niccolai, ish viktimë e brigatistëve dhe president i Qendrës studi "Donati" në Pistoia (që në vitin 2010 i dha çmimin e paqes presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit); Renzo Benesperi, ekpert i fildanishtes dhe pemëtarisë; Renzo Corsini, simbol i sportit të Pistoiës; Paola Bellandi, për një jetë kushtuar punës vullnetare dhe ndihmës ndaj imigrantëve; Tebro Sottili, figurë e shquar në edukimin dhe formimin e të rinjve; Giorgio Petracchi, historian i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Udines dhe themelues i revistës "Storia Locale"; Luca Citi, kërkimtar shkencor në inxhinieri elektronike në Universitetin Essex, në Angli; Maurizio Monti, personazh i rëndësishëm i Shoqatës Kombëtare të drejtuesve  të shkollës.

Afërdita Shani

Lexo edhe: Nikolin Gjeloshi, sipërmarrësi i parë shqiptar në Toskanë