Punëtorët shqiptarë. Shembull në punë, për dinjitet e profesionalizëm - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Është bukur të lexosh herë pas here në mediat italiane shkrime mbi shqiptarët që nuk kanë të bëjnë me kronikën e zezë, por që flasin për punën e aftësitë e tyre. Si ai i të përditshmes Il Giornale që sjell në vëmendjen e lexuesve punën e shkëlqyer të kryer nga një skuadër punëtorësh shqiptarë në mirëmbajtjen e disa rrugëve në qendër të Genovas.

Sipas shkrimit, për disa ditë me radhë një skuadër punëtorësh ka punuar në rrugicat e qendrës historike për ndërrimin e tubave të ujit. Prishin asfaltin, ndërrojnë tubat e shumë shpejt mbyllin e asfaltojnë gjithçka duke u thyer banorëve rrugët në kohë rekord.

Dhe “janë të gjithë shqiptarë” thotë disi me çudi shkruesi që vazhdon me “Mrekullia qëndron në faktin se si kanë vënë në vend të vet gjërat me të mbaruar punë: Vico Pece nuk ka qenë kurrë ndonjëherë kaq i pastër, i rregullt… Kam mbikëqyrur gjatë punën e atyre punëtorëve: ditën të vinin në vendin e vet çdo gur antik, pasi i pastruan një e nga një, dhe mes çdo guri hodhën e niveluan me maksimumin e kujdesit çimenton”.

Kush shkruan lavdëron shqiptarët për punën e bërë më së miri, pa fjalë të tepërta e pa mllef. “Shqiptarët ishin seriozë por jo të zymtë, e kur u bëra një lëvdatë, fytyrat e tyre u çelën nga një buzëqeshje e bukur, me dinjitet por edhe të kënaqur e mirënjohës për vlerësimin”.

Shpesh të qëllon të hasësh rrugëve italianë teksa kryejnë punime të ndryshme për mirëmbajtjen e rrugëve por “janë të pakënaqur, me turinj, të sertë e punojnë si të ishin “të detyruar”, duke sharë nëpër dhëmbë”.

Ndërsa për skuadrën e shqiptarëve, vazhdohet me: “i kam parë edhe herë tjetër këta shqiptarë, kur ribënë e dekoruan pallatin mes San Bernardo e sheshit Embriaci. Realizuan një kryevepër të vogël profesionale, dhe kam vërejtur atë që është mënyra e tyre normale e të punuarit, ajo që u lejon që kur mbarojnë gjithçka të sodisin me admirim një punë të kryer siç duhet”.

“E nëse italianët do të arrinin të kuptonin që ekziston një etikë pune, që të punosh mirë diçka është detyrim, dhe nëse do të silleshin me të njëjtin dinjitet të atyre shqiptarëve, gjërat do të shkonin më mirë në këtë vend” mbyllet shkrimi.

Lexo shkrimin në origjinal: Vicoli rifatti a regola d’arte solo dagli operai albanesi