RAI: Sonte Xhilda Lapardhaja, nesër Kledi Kadiu - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

“La mia casa è piena di specchi”, film ku luan edhe Xhilda Lapardhaja, shfaqet sot në orën 21.20 në Rai Uno, ndërsa filmi “Passo a due”, me Kledi Kadiun protagonist, nesër pasdite në orën 17.45 në Rai Movie

Romë, 7 shtator 2011 – Sonte në mbrëmje, në orën 21’40, në kanalin televiziv Rai Uno do të shfaqet “La mia Casa è piena di specchi”.

Filmi televiziv me dy seri, sipas librit me të njëjtin titull i motrës së Sofia Lorenit, Maria Scicolone-s, trajton historinë e tri grave: të mamasë së Lorenit, dhe të dy vajzave të saj, Sofia dhe Maria. Mamanë e luan vetë Sofia, rolin e Sofias kur ishte e re e luan aktorja Margareth Madè ndërsa rolin e të motrës, Marias, e luan aktorja shqiptare Xhilda Lapardhaja.

Punon prej mëse dhjetë vjetësh si aktore. Ka bërë teatër, filma kinematografikë dhe televizivë, me regjisorë e aktorë të njohur. Nga seriali “Un medico in famiglia” kur ishte ende e mitur deri te filmi i fundit me Sofia Lorenin, duke kaluar nëpër punë me Paolo Villaggion apo të Toni Negrit në teatër, apo në pjesëmarrje edhe të vogla në filma të regjisorëve të njohur si Abel Ferrara, apo në filma televizivë të suksesshëm si L'ispettore Coliandro, La squadra, Distretto di Polizia etj. Për L’ispettore Coliandro ka marrë edhe një çmim për Talentin e Ri Italian.

Edhe pse nuk e ka për herë të parë të punojë krah një divi të kinemasë, flet me pasion dhe e emocionuar për dy muajt e xhirimeve të këtij filmi, gjatë të cilëve nuk mund të mbetej indiferente ndaj sharmit të Lorenit. “Ditën e parë më djersinin duart” tregon Xhilda në një intervistë për shqiptariiitalise.com vitin e shkuar kur filmi u shfaq për herë të parë në televizion, që shton menjëherë se me kalimin e ditëve ka mbetur e habitur nga puna e palodhur, thjeshtësia, zemërgjerësia e dashamirësia e aktores së madhe, gjë që ndoshta nuk e priste.

Ndërsa nesër e ka radhën një tjetër shqiptar, për të cilin mjafton edhe vetëm emri, Kledi. Në kanalin tematik Rai Movie, në orën 17.45 shfaqet filmi “Passo a due” ku Kledi luan rolin e Benit, të riut shqiptar që vjen në Italinë e parë në tv, i shtyrë nga ëndrra për t’u bërë balerin.

Shumë shpejt ai do të jetë një nga protagonistët e Rai 5 me sezonin e dytë të “Step – Passi di danza”, emision rreth botës së baletit, të drejtuar prej tij. “Mbrëmja e parë e këtij sezoni  - ka thënë me gëzim e krenari Kledi Kadiu në një intervistë për shqiptariiitalise.com këtë verë – do t’i dedikohet baletit shqiptar: Shkollës së Baletit, Teatrit të Operës dhe Baletit dhe balerinëve më të mirë shqiptarë që na përfaqësojnë jo vetëm në Itali por në mbarë botën”.