Roberto Saviano: "Elvira Dones sjell një roman të shkëlqyer" - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Elvira Dones vjen pranë lexuesit italian me librin e saj të fundit “Piccola guerra perfetta”, botim i Einaudi-t. “Piccola guerra  perfetta” është ajo e ndezur nga NATO në qiejt mbi Kosovë më 24 mars 1999, që do të përfundojë më 12 qershor. Duhej të ishte e vogël dhe e përkryer sepse asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehej në shtëpi në arkivol, kështu u premtua. Por e parë nga terreni, qe krejt tjetër gjë.
 

Romani mban një parathënie të Roberto Savianos, që vlerëson romanin e mes të tjerash shkruan: “Elvira Dones nuk na rrëfen vetëm historinë e atyre që vendosën të jenë nga njëra apo tjetra anë, të atyre që morën armët, por mbi të gjitha rrëfen ata që këtë gjë e pësuan, duke u munduar në një situatë ekstreme, të mos humbisnin humanitetin e tyre. … “Piccola guerra perfetta” është një histori grash: janë gratë shqiptare objekt i një dhunë të paparë, e ky është romani i tyre. I tyre, por në emër të çdo gruaje dhe burri, të çdo viktime e çdo vuajtjeje, përtej çdo drejtësie tokësore” "Shqiptari i Italisë" boton të përkthyer një ekstrakt të parathënies së romanit të Donesit.

nga Roberto Saviano

Mëson menjëherë, pasi ke lexuar këto faqe, se nuk ekziston luftë e rrëfyer vërtetë nëse nuk rrëfehen gratë që e kanë jetuar atë. “Piccola guerra perfetta”, romani i shkëlqyer i shkrimtares Elvira Dones, shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe shkruan në italisht, gjuha e saj e adoptuar, është një libër që përfshin e përmban të gjithë tmerrin që mund të shpërthejë nga Vazoja e Pandorës së një komuniteti të shkërmoqur. Një komunitet ku tjetri, më parë fqinj dhe i afërt, për shkak të një politike të çemndur, tanimë është bërë Armiku, E keqja. Ky roman i vogël thur me origjinalitet dhe zotësi dy fijet e rrëfimit – rrethimi dhe kthimi – që ushqejnë letërsinë që në kohët e Homerit. “Piccola guerra perfetta” rrëfen rrethimin e çuditshëm të tre grave të reja, të mbyllura në shtëpi, pa ushqime e as ujë të ngrohtë, deri gati në çmenduri, në qytetin e tyre tanimë në duart e një armiku mizor. E rrëfen njëkohësisht, përpjekjen mbase të pamundur të dy vëllezërve për t’i shpëtuar internimit dhe shtrëngimeve nga më të çnjerëzoret, drejt një shtëpie të re, një atdheu të ri të mundshëm.

“Piccola guerra perfetta” është një libër që kam mbajtur me vete për një kohë të gjatë. Në çantë, në xhepin e palltos, në xhepin e sediles së makinës së eskortës sime, gjithnjë plot me letra. Rrëfen për herë të parë që sot, në të sotmen tonë të mallkuar, në Perëndimin e konsideruar demokratik dhe me të drejta universale të plota, vdekja, arratisja, kthimi ndoshta i pamundur në komunitetin tënd të shpërndarë, nuk janë përvoja aliene e fantazie, por mundësi reale. Sepse kanë ndodhur, në zemër të Europës, pas një paqeje shumë të gjatë. Elvira Dones na thotë se lufta nuk është tjetërkund, por mund të jetë këtu, një frymë larg gjërave më të afërta e që besojmë të sigurta. E mund të jetë çdo herë që një komuniteti i shkërmoqen elementët e tij themelorë, që më parë ishin pjesë të një tërësie dhe papritur  gjenden njëri kundër tjetrit, duke u kërcënuar, e duke njohur njëri-tjetrin vetëm si armiq. Natyrisht që një roman nuk është profeci. Na takon neve, atyre që lexojnë, që të nxjerrin të vërtetën e tyre. Qyteti i romanit të Elvira Donesit është Prishtina, një hije në hartë, kryeqytet i Kosovës, ku një kohë jetonin bashkë kosovarë shqiptarë, me shumicë muslimane, dhe serbë. Në vitin 1999 Prishtina qe teatër i një lufte e cila, megjithëse kaq e afërt në kohë dhe gjeografi, nuk zë vend dhe aq shumë në bisedat tona. Qe teatër i një luftë të frikshme, por cila luftë nuk është; e sa nga ne dinin për shembull gjë për Bengazin përpara se gazetarët të shkruanin për ato gra të vrara nga spajperët nedrsa nga ballokonet mundoheshin t’i jepnin ujë atyre që ishin ngritur kundër regjimit libik? Ta sqarojmë që në “Piccola guerra perfetta” nuk ka asnjë simpati për luftëtarët filo-shqiptarë që u ngritën kundër supremacisë shtypëse ushtarake serbe dhe pastrimit etnik të Milosheviçit. Në roman dhuna fryn mbi viktimat si erë e pashpirt dhe toni mbizotërues është mishërimi ndaj atyre që janë viktima të dhunës, dhe jo indinjata e kollajshme. Por kush do të lexojë, do të gjejë – në mënyrën që i përket një romani, nëpërmjet ngjarjeve të personazheve – pjesë të ndritura se si një qytetar i thjeshtë, një përkrahës jo i dhunshëm i leadërit të moshuar Ibrahim Rugova, mund të përfundonte në realitetin historik duke u afruar me formacionet e armatosura (ndonjëherë të drejtuara nga veteranët e luftës boshnjake) të separatistëve shqiptarë të UÇK-së. E pa i bërë vetes pyetje të tepërta mbi prejardhjen e financimeve të UÇK-së. Pa pyetur veten nëse qe UÇK-ja ajo që filloi fërkimet në Kosovë, me terrorizmin antiserb. Nuk e pyet fare veten burri i Ajkanës, gjinekologe guximtare në spitalin e Gjakovës, i marrë nga milicët serbë sepse kishte vënë një shtëpi në dispozicion të UÇK-së, me premtimin që do përdornin “vetëm natën”. Qenë të shumtë ata që nuk bënë pyetje, por Elvira Dones nuk na rrëfen vetëm historinë e atyre që vendosën të jenë nga njëra apo tjetra anë, të atyre që morën armët, por mbi të gjitha rrëfen ata që këtë gjë e pësuan, duke u munduar në një situatë ekstreme, të mos humbisnin humanitetin e tyre.

Deri në sulmin e NATO-s, në luftën nga qielli, pati një fazë të parë të luftës në Kosovë, nga viti 1996 deri në 1999, kur forcat e sigurisë së Milosheviçit kryen një shtypje dhe një pastrim etkik aq mizor sa shkaktuan një politikë largimi të Natos ndaj Serbisë. Kjo politikë arriti më në fund një sukses formal me fillimin e negociatave të Ram¬bouil¬let, të cilat nuk u ratifikuan kurrë ama nga UÇK-ja. Negociatat patën përfunduar me njohjen e autonomisë së Kosovës, por jo të pavarësisë së saj të plotë. As Milosheviçi nuk e pranoi kurrë atë pavarësi të plotë të maskuar si autonomi. E pra kështu, në vitin 1999, kur fillon romani, Aleanca atlantike i vuri zjarrin qiejve të Serbisë, më avionët gjuajtës të Nato-s, përfshirë Tornadot italianë që u ngritën në futuri nga aeroporti i Avianos. Ishte “La piccola guerra perfetta”, që natyrisht nuk qe kurrë as e vogël dhe as e përkryer. Në fund u numëruan 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë. 20 mijë gra u përdhunuan e u dhunuan në çdo lloj mënyre nga ushtarët e kryesosht nga milicët serbë. Një milion kosovarë shqiptarë u strehuan në Shqipërinë e shkundur, për t’i shpëtuar genocidit.

“Piccola guerra perfetta” rrëfen gjithçka që kemi harruar, por edhe gjithçka që mbase nuk kemi ditur kurrë. “Piccola guerra perfetta” është një histori grash sepse është pikëvështimi i tyre, i ndërtuar imtësisht, nëpërmjet të cilit vëzhgojmë ç’ka autorja ka vendosur të na tregojë. E ajo që shohim na tërheq. Rea dhe Nita janë dy gra të rrethuara.Duke rrëzikuar jetën shkojnë në shtëpinë e Besës, ku ka një telefon të regjistruar me emrin e një serbi, prandaj akoma në funksion. E që andej i telefonojnë botës dhe japin alarmin mbi atë që po ndodh përpara syve të tyre. E që andej mund të mendojnë se sa është e çnjerëzuar ajo që po jetojnë. Të mos mund të lahesh, të jetosh papritur në një kohë që kurrë s’ishte menduar se mund të kthehej. E gjithçka anulohet, edhe ajo ideologji e nënshtrimit, sipas të cilës një grua ballkanike duhet gjithnjë e gjithsesi, edhe si shoqe, edhe si motër, të merret me burrin, të kujdeset për të. Në atë situatë të tjetërsuar, në ato kushte çnjerëzore, gruaja dhe burri gjejnë në marrëdhënien e tyre një modernitet që në jetën e zakonshme ishte i pamendueshëm. “Piccola guerra perfetta” është një histori grash: janë gratë shqiptare objekt i një dhunë të paparë, e ky është romani i tyre. I tyre, por në emër të çdo gruaje dhe burri, të çdo viktime e çdo vuajtjeje, përtej çdo drejtësie tokësore.