Saimir Shara: "Fotografia është muzika ime" - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Fotografi 28 vjeçar shkodran ka në portofolin e vet fotografik me qindra personazhe, të panjohur e shumë të njohur

shara-2.gifShpeshherë janë përshtypjet që të lë shikimi i një realizimi artistik, qoftë ky në pikturë, skulpturë, fotografi etj. Ato që të shtyjnë të njohësh autorin. Më ndodh kjo shpeshherë sidomos kur vizitoj ekspozita e më pas kërkoj të kompletoj njohjen me informacion që në atë moment është vështirë të sigurohet. Pas çdo krijimi është njeriu me historinë e tij unike, me përjetimet e tij, me botëkuptimin e tij e një njohje me të është një element më shumë në kuptimin më të saktë të vetë krijimit. Kjo tendencë pothuaj më është kthyer në zakon, e çdoherë përballem me surpriza edhe atëherë kur jam e bindur që kisha gjetur gjithçka. Mbetet gjithnjë diçka e pathënë e pashkruar. Jeta e të gjithëve është një transformim i vazhdueshëm, aq me tepër jeta e një artisti që ndjek një rrugë me një drejtim të vetëm: kërkim i formave të reja të shprehjes artistike. Intervista njihet si mjet mjaft me vlerë për të njohur personazhet, por për vetë natyrën e këtij procesi: transformues çdo detaj i kapur dhe i përshkruar në një intervistë mund të mos konfirmohet në një të ardhme. E uroj të jetë kështu, mbase është denoncim i jetës së procesit, i efektit të tij mbi jetën e artistit.

E bëra këtë hyrje mbasi artisti që mora në konsideratë për këtë intervistë është i ri në moshë, eksperienca e tij po ashtu akoma më e re, por pikërisht për këto dy arsye bëhet interesante dhe ngjall kureshti. Personazhi quhet Saimir Shara dhe ka lindur në Shkodër në vitin 1981. Në qytetin e lindjes ka përfunduar edhe studimet në shkollën e mesme në 2000-shin, e po këtë vit është transferuar në Itali ku dhe jeton e punon. Saimiri jeton mes Aostës e Torinos ku dhe aktualisht punon si fotograf për shumë institute valdostane dhe të krahinës. U njoha me fotografinë e tij rastësisht. Ishte foto-portreti i një miku të përbashkët, bashkëmoshatar i tij. Ishte foto e realizuar mjaft mirë, jo vetëm nga ana artistike në dritë-hijet e saj, por kompozimi përcillte karakterin e personazhit, të cilin e njihja shumë mire. Nuk dëshiroja të isha viktime e një gjykimi arbitrar te ndikuar nga elemente që në njëfarë mënyre më përfshinin nga ana shpirtërore, por gjithsesi e konsiderova autorin e fotografisë një artist me talent. Kërkova të shikoj realizime të tjera dhe aty intuita ime gjeti pohimin. Saimir Shara, ky fotograf i ri kishte në albumin e tij portrete të aktorëve italianë të mirënjohur, kompozime mjaft të realizuara me tematikë të larmishme ku prekeshin me art tema shumë të forta sociale.

Natyrisht, kërkova të mësoj më shumë nga vetë Saimiri. Po ju sjell në këtë intervistë bashkë me fjalët e tij edhe disa nga fotografitë e realizuara që më saktë pasqyrojnë aktivitetin e këtij artisti shqiptar në Itali.

shara3.gifTakimi juaj me fotografinë?

Fotografia krijoi një lidhje direkte dhe të pavetëdijshme me mua. Shpesh mendoj se ishte një rastësi.

Të aplikosh në një fushë arti kërkon para së gjithash një bazë teorike. C'rrugë ka ndejkur formimi juaj e Kush është "guida" juaj ?

Pas disa kurseve fotografie në Itali, vendimtar për mua ishte takimi me fotografin torinez Paolo Ranzani. Unë kisha nisur një e-mail pa shpresuar që të merrja një përgjigje. Takimi i parë me të më la të kuptoj që kontaktin e kishte pranuar nga fotoja që i kisha dërguar unë. Menjëherë kuptova që isha brenda një studioje ku mund të gjeja vetveten.

Ç'është për ju sot fotografia?

Të flasësh për fotografinë sot nuk është e lehtë: por po provoj. Fotografia sot është rinovuar komplet, pra ka lindur një fotografi e re. Dhe unë jam shumë optimist për këtë. Me lindjen e fotografisë digjitale mundësia e një fotografi është shumë më e madhe se sa ishte me fotografinë analogjike. Nuk besoj se duhet të "trembë" besimi që fotografia digjitale e dobëson punën e një fotografi. Unë besoj se do të mbesin ato fotografë që janë të zotë dhe që dallojnë mes të tjerëve.

Cili është modeli i fotografit që ndiqni?

Nuk di ta përcaktoj tani. Por mund të tregoj se cila është rruga që po ndjek sot: kërkoj më shumë personazhet dhe realizoj portretet e muzikantëve dhe artistëve të kinemasë apo teatrit.

shara1.gifNdër portretet tuaja edhe aktori tashmë i mirënjohur Alessandro Gassman, James Galway. Një privilegj ky për një artist të ri shqiptar apo jo? Diçka nga kjo eksperience...

Alessandro Gassman erdhi në Aosta për shfaqjen me titull "Parola ai Giurati" për t'i thënë "jo" ligjit me vdekje. Shfaqja u dha në Teatrin "Giacosa" të Aostës dhe unë isha i ngarkuar të bëja një fotografi për seksionin e kulturës së Aostës. Kështu takimi me të nuk ishte një rastësi, por duhej një foto e tij. Që në çastin që iu afrova e kuptova që është tip praktik dhe jashtë skenës. Menjëherë u tregua i gatshëm të pozonte. Kur e mori vesh që jam shqiptar më "bombardoi" me pyetje (besoj se s'kishte takuar nga afër asnjëherë një shqiptar. Këtë nuk ma konfirmoi, por arrita ta kuptoj nga interesi i madh me të cilin më pyeste për vendin). I interesonte të dinte mbi kinematografinë shqiptare, por dhe perspektivën e Shqipërisë në Europë. Gjatë gjithë kohës që e fotografoja më pyeste mbi Shqipërinë. Besoj se kam arritur të "kap" karakterin e tij në foto-portretin e dedikuar.

Ndërsa James Galway personazh simpaticissimo!

Në momentin që shfaqja mbaroi takohem direkt me Galway në dhomën e tij. Ai u tregua i përzemërt që në momentin e parë, duke më kërkuar të dinte se i çfarë marke ishte aparati dhe nëse mundej të bënte foto dhe ai vetë: siç dukej ishte i pasionuar pas fotografisë. Këto janë disa nga episodet. Po të tilla kam në çdo rast që fotografoj një personazh.

Portreti zë një vend të veçantë në krijimtarinë tuaj e kryesisht aplikimi i bardh e zi. E ndieni që këtu shpreheni më mirë? Kjo përzgjedhje është e sugjeruar apo e rastësishme?

Në momentin kur fotografoj kuptoj direkt ngjyrat që duhet të kenë fotot. Nuk kam një preferencë mes fotografisë bardh e zi dhe asaj me ngjyra.

Cila është tematika e punimeve e nëse keni preferenca e pse?

Tematikat e fotove të mia janë shpesh sociale, ashtu si jam munduar edhe me ciklin "Velipoje" , por anoj nga portretet e shpesh mendoj, për faktin që jam i huaj në Itali është më e lehte të fotografoj personazhet (duket sikur lidhjet me to janë më natyrale).

Cilët janë personazhet e kulturës shqiptare që keni fotografuar e cilët do të dëshironit të fotografoni?

Fotografitë e realizuara në Shqipëri nuk janë të shumta. Kam fotografuar Cesk Jubanin, shkrimtarët e rinj Erion Temali, Astrit Cani, por kam një listë të gjatë me artistët si: Ndricim Xhepa, Mirush Kabashi, Koço Devole... duke mos harruar dhe shkrimtarët e mirënjohur si Shpëtim Kelmendi, Ridvan Dibra por dhe Kadarenë etj. Ndër personazhet, do të dëshiroja të fotografoja Ramiz Alinë, dhe pse arkivi fotografik i tij është shumë gjigand, do doja t'i shtoja dhe një timen.

Njohjet me fotografë të tjerë me siguri kanë nxitur kureshtjen për Shqipërinë, vendlindjen tuaj. Sa e njohin Shqipërinë e fotografinë shqiptare?

Po kanë nxitur kureshtjen për Shqipërinë, por kjo shuhet shumë shpejt... sapo e kuptojnë që nuk kemi treg për foton. Në përgjithësi fotografia italiane transportohet jashtë Italisë nëpërmjet agjencive të publicitetit. Interesi mbi Shqipërinë është akoma i dobët (unë flas gjithmonë mbi bazën e fotografëve italianë dhe të huaj që kam njohur).

Përveç fotografisë keni ndonjë pasion tjetër në fushën e kulturës dhe të arteve?

Muzika klasike! Dhe njoh shumë muzikantë shqiptarë që ndodhen në Itali.

Cili është projekti i ardhshëm i ekspozimit? Me çfarë tematike?

Kam një ide-projekt të diskutuar me ministrin e kulturës pranë Ambasadës shqiptare në Romë, poetin e mirënjohur Visar Zhiti për një ekspozim nga cikli " Velipoja the beach of north Albania" në ambientet e Ambasadës, e shpresoj të mundësohet sa më parë. Po kështu projekti me ekspozitën mbi muzikantët e Valle d'Aostës, për të cilin jam në pritje të përgjigjes nga rajoni.

Albana Temali

Shqiptari i Italisë i muajit shtator 2009