Sajmir Pirgu, tenori të cilit i buron drita nga buzët kur këndon - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Saimir Pirgu, tenori 32-vjeçar, në mantelin e Dukës së Mantovës në operën "Rigoletto" të Verdit, korr duartrokitje e vlerësime të larta në operën e Cyrihut.
Një sfidë e re e pret në mars kur Pirgu është thirrur të luajë në krah të tenorit me famë botërore Placido Domingo në skenën e madhe të Metropolitan Opera të Nju Jorkut

Për të hapur vitin e Giuseppe Verdit, në 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit emblematik italian, lindur në tetor të vitit 1813 në provincën e Parmës, "Rigoletto" ishte në krye të afisheve të programit të vitit 2013 për Operën e Cyrihut, me një koncept krejt të ri regjisorial e modern, vënë në skenë nga Tatjana Gürbaca, nën drejtimin muzikor të Fabio Luisi-t. Tre solistët protagonistë të kësaj shfaqjeje, që ngjalli interesimin e madh të medieve dhe publikut të gjerë, ishin tenori Saimir Pirgu (Duka i Mantovës), sopranoja Aleksandra Kurzak (Gilda) dhe baritoni Quinn Kelsey (Rigoletto).

Me një zë të bukur, herë të fuqishëm e herë melodioz, tenori Saimir Pirgu shpalos nëpërmjet një loje aktoriale të rrallë, tiparet e një Duke arrogant, më të paskrupullt, më mizor e më imoral se kurrë. Epshet e papërmbajtura të këtij padroni të ri duket se nuk kanë më asnjë kufi. Të duket sikur Pirgu e njeh mirë këtë personazh dhe loja e tij rrjedh natyrshëm, duke mos e lënë indiferent spektatorin në sallë. Si në aktrim, ashtu edhe në nuancat më të holla vokale, shpaloset oreksi i madh i një diktatori në pushtet për aventura të shfrenuara, të cilat e implikojnë gjithnjë e më shumë në ndërmarrje të mynxyrshme e imorale, të mbështetura nga vartësi i tij Rigoletto. Zëri i Pirgut kapërcen me mjeshtëri regjistra të ndryshëm emocionalë, duke nisur nga lirika e arieve, duetit dhe kuartetit, në elegancën e këngës "La donna è mobile" e deri në tonet më të larta të aktit të dytë.

Shfaqja u duartrokit gjatë për lojën brilante të treshes Pirgu – Kurzak- Kelsey. Solistët ishin në një formë skenike dhe vokale të shkëlqyer, e cila u dallua edhe në duetet dhe kuartetin final, një nga faqet më të bukura të muzikës operistike botërore, për të cilin Viktor Hygo është shprehur: "Edhe unë, po të kisha pasur mundësi t’i bëja të flisnin në të njëjtën kohë katër personazhet, që publiku të kuptonte fjalët dhe ndjenjat e tyre të kundërta, ashtu si Verdi në këtë kuartet, do të kisha korrur të njëjtin sukses”.

Duartrokitje frenetike e shoqëruan përfundimin e premierës së "Rigolettos" në 3 shkurt të këtij viti në operën e Cyrihut. Duartrokitje, mes të cilave u ndjenë aty-këtu edhe zëra kundërshtarësh, që më pas u mbytën nga ovacionet e publikut.

Pas shfaqjes, patëm kënaqësinë të takohemi me miq, të shumtë që kishin ardhur nga larg për të duartrokitur tenorin Saimir Pirgu. Ishte violinisti i njohur shkodran Paçalin Pavaci (koncertmaester ne orkestrën e teatrit Petruzzelli në Bari) dhe bashkëshortja e tij, pianistja Karmen Santoro, që kishte punuar për vënien në skenë të "Rigolettos" në krah të dirigjentit Fabio Luisi. Më pas u bashkuan me ne sopranoja e njohur Inva Mula me bashkëshortin, që këtë muaj do të këndojë në të njëjtën skenë rolin e Mimi-së (La Bohème), sopranoja më e re Evis Mula, gazetarja e BBC në Londër Mirela Shtëmbari, studentë shqiptarë në Universitetin e Zurih-ut dhe miq të tjerë. Desha të veçoj, me këtë rast, edhe takimin me tenorin e njohur italo-francez Roberto Alagna, i cili e vlerësoi maksimalisht lojën e Saimir Pirgut, si një tenor "të cilit i buron drita nga buzët kur këndon".

Saimir ju korrët suksesin e radhës me premierën e prodhimit më të ri të operës së Cyrihut, “Rigoletto-n” e Giuseppe Verdit. Pati shumë artikuj, emisione televizive ku interpretimi juaj është vlerësuar maksimalisht si për anën vokale, interpretimin aktorial, ashtu edhe për frymën e re që i dhatë rolit të Dukës, në kuadrin e një regjie moderne, të konceptuar krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim më parë. Çfarë mund të na tregoni për këtë përvojë të re?

Këtë herë, për mua ka qenë tepër e vështirë të interpretoj rolin e Dukës së Mantovës, të cilin unë e njoh prej vitesh dhe e kam interpretuar shpesh në skena të mëdha. Kjo vështirësi vinte për shkak të një regjie të re dhe eksperimentale të konceptuar nga regjisorja Tatjana Gürbaca. Të luash një rol që e ke kënduar dhe aktruar disa herë, në një skenë pothuajse të boshatisur, të ftohtë, vetëm me një tavolinë e disa karrige, shton përgjegjësinë e solistit për të dhënë shumë më tepër se ç’është mësuar më parë. Desha të shtoj se kostumet e reja, të cilat na dhanë një identitet të ri në skenë, e vështirësuan edhe më shumë interpretimin e rolit. Më është dashur të ndryshoj çdo lëvizje konvencionale të Dukëve të mëparshëm, për t’iu përshtatur vizionit të ri.

Çfarë përfaqësoi viti 2012 në karrierën tuaj dhe kush janë bashkëpunimet më të rëndësishme dhe eksperiencat më unike të vitit që latë pas?

Ka qenë vit shumë i suksesshëm, me shumë interpretime të reja e bashkëpunime me dirigjentë të rëndësishëm, nga të cilat dua të veçoj: “Requiem-in” e Berlioz-it, me të madhin Riccardo Muti në Festivalin e Salisburgut. Po ashtu, koncertet me Nikolaus Harnoncourt në Styriarte Graz. Pastaj suksesin e operës “Bohème” të Pucini-t në Barcelonë me sopranon Angela Gheorghiu, debutimin tim në Arenën e Veronës me operën “Don Giovanni” të Mozartit, me regji të Franco Zefirellit; përsëri me Riccardo Mutin në teatrin gjigant të Buenos Aires, duke mbyllur vitin në teatrin “La Fenice” të Venezia-s, me koncertin tradicional të Vitit të Ri, të transmetuar me mondovizion në 47 shtete të botës.

Pra, mund ta quaj një vit tepër të ngjeshur me punë, por njëkohësisht edhe me kënaqësi të mëdha.

Keni bërë shumë përpara në dhjetë vjet ...

Saimiri i vitit 2003 ishte student me ëndrra e shpresa të mëdha për jetën, që sapo kishte fituar 2 konkurse të mëdha operistike, të cilët i mundësuan autofinancimin për të ndjekur audicionet e teatrove të ndryshëm, të cilat do ta çonin më pas në dyert e operës shtetërore të Vienës, ku më 30 prill 2003 do të debutonte për herë të parë me operën “Elisir d'amore” të Donizetti-t. Pra, 10 vjet më parë, Saimiri këndonte në operën e Vjenës, si i riu më premtues. Ndërsa sot, Saimiri kthehet në Vjenë mes publikut të tij që e pret me kuriozitet, për të parë se çfarë të rejash do të sjellë këtë vit.

Si e prisni bashkëpunimin e muajve mars-prill 2013 me një nga ikonat e lirikës ndërkombëtare, Placido Domingon në Metropolitan Opera të Nju Jorkut? A është e rastësishme që ai ju ka zgjedhur pikërisht në krah të tij si “Alfredo” (rol të cilin e ka interpretuar dikur me shumë sukses), duke kënduar përballë jush rolin e Germonit plak?

Këtë herë nuk kam qenë i zgjedhur drejtpërdrejt nga Domingo, por ka qenë Metropolitan Opera e Nju Jorkut si dhe ideja e drejtorit te saj Peter Gelb, e cila ka bërë zgjedhjen dhe ka mundësuar këtë kast solistësh. Domingo në këtë prodhim të ri të Traviatës ndodhet në pozicionin e solistit, ashtu si dhe unë. Sigurisht, pa miratimin e tij kjo gjë nuk mund të ndodhte. Placido Domingo ka qenë drejtor i operës në Los Angeles dhe më ka ftuar disa herë të këndoj në atë teatër, por kënaqësia ime e veçantë është se kësaj here, do të jemi koleg në të njëjtën skenë me të, aq sa nuk me besohet! Më duket ende e çuditshme, që do të këndoj në krah të të madhit Domingo, edhe pse nuk është hera e parë.

Edlira Dedja, Shekulli (këtu artikulli i plotë: "Rigoleto", Pirgu një Dukë ndryshe i kohëve moderne)

Lexo edhe: Saimir Pirgu. Eliksiri i suksesit