Shabani, promotor i artit dhe kulturës shqiptare në botë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Në veprimtarinë “Sulle tracce di Luca Giordano...” në San Giorgio a Cremano, piktori Artan Shabani nderohet me çmimin “Promotor i Artit dhe i Kulturës shqiptare në Botë”. Në kuadrin e këtij evenimenti, organizohet edhe një ekspozitë pikture ku janë të pranishëm me veprat e tyre Artan Shabani e Alfred Milot Mirashi

ShabaniRomë, 27 shtator 2010 - Piktori nga Vlora, Artan Shabani, u nderua dy ditë më parë në San Giorgio a Cremano (NA), me çmimin "Promotor i artit dhe i kulturës shqiptare në botë".
Ky çmimi iu dha atij në evenimentin kulturor “Në gjurmët e Luca Giordano-s”, zhvilluar në qytetin e Napolit,  me pjesëmarrjen e 26 artistëve nga 10 vende të botës, mes të cilëve edhe shqiptarët Artan Shabani dhe e Alfred Milot Mirashi, ku u evokua krijimtaria dhe vepra e piktorit të madh italian të stilit barok.

Në një intervistë për ATSh-në, piktori Artan Shabani tregon të veçantat e këtij çmimi, por ndalet edhe te krijimtaria e tij e viteve të fundit. Ai shprehet se çmimi përbën një vlerësim për të jo vetëm si artist, por edhe për kulturën shqiptare.

“Është një kënaqësi e dyfishtë, fillimisht si artist, por edhe si përfaqësues i komunitetit artistik shqiptar në Itali. Çmimet në vetvete janë vlerësim i një pune të gjatë dhe shpesh të mundimshme. Në momente të tilla, kënaqësia e mirënjohjes nga institucionet dhe kritika, i shtohet kënaqësisë së komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun”, thekson Shabani.

Ndër elementet që ndikuan në dhënien e këtij çmimi, piktori i artit bashkëkohor nga Vlora veçon natyrën e krijimtarisë së tij si dhe pjesëmarrjen në mjaft veprimtari ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës. “Natyra shprehëse e punëve të mia, të cilat mund të konsiderohen në një farë mënyre “barok bashkëkohor”, por edhe aktivitetet e viteve të fundit, si pjesëmarrja në bienale, muze  dhe galeritë e ndryshme, përfshi edhe bashkëpunimet që kam ndërtuar në sistemin e artit bashkëkohor dhe prezantimin e artistëve të ndryshëm ndërkombëtarë, përbëjnë edhe disa nga motivet që u vlerësova në Napoli”, shprehet Shabani.

Harmony sistersAi sqaron se pjesëmarrësit në aktivitete të tilla të ngjashme përfaqësojnë lidhjen harmonike me artin e së kaluarës dhe vazhdimësinë e tij në të tashmen, pavarësisht ndryshimeve të natyrshme që ka sjellë me vete çdo epokë.
Në këtë aktivitet të kuruar nga Marco Di Mauro, Shabani u prezantua me punën “Harmony Sisters”, një punë me teknikë mikse në letër, pjesë e një cikli të trajtuar në dy vitet e fundit.
Sipas tij, aktualisht arti bashkëkohor zë një vend të konsiderueshëm në Itali e gjetkë.

“Unë i përkas një brezi artistësh të ndjeshëm dhe të lidhur pashmangshmërisht me fenomenet komplekse dhe ngjarjet që kalon shoqëria në epokën e sotme postindustriale”, thekson ai, ndërkohë që shton se “arti bashkëkohor, casino edhe në rastin e kësaj ekspozite të përfaqësuar me pikturën bashkëkohore, është një përgjigje ndaj këtij realiteti të ri, i cili shkon përtej artit klasik që bazohej tek imitimi i realitetit apo tek teknika e arrirë. Për Shabanin, gjuha dhe forma ekspresive e artit që bën, vjen pa sforcime.

“Marrëdhënia ime me pikturën është një dashuri e konsoliduar. Nëpërmjet penelit dhe ngjyrave tipike të natyrës te Mesdheut arrij të përcjell  gëzimet dhe trishtimet, iluzionet, ëndrrat, misteret e jetës. Me pak fjalë, evidentoj shpirtin tim në këtë formë, e cila është forma ime më e natyrshme e komunikimit”, thotë ai.

Shabani tregon se aktiviteti i radhës do të jetë një projekt në Pragë, ku Shqipëria do të përfaqësohet me dy artistë dhe më pas, në fund të tetorit, do të ekspozojë në Paris një cikël me kolazhe. Gjithashtu, në fund të muajit nëntor do të jetë i pranishëm në San Giovanni Valdarno, në "Casa Masacio Arte Contemporanea", me një ekspozitë të kuruar nga Andi Tepelena dhe Valerio Dehò.

Lexo edhe: Artan Shabani në portat ku rrugëtojnë delfinët