Shqiptarët e Serie A më pak të paguarit mes kolegëve - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Ndër shqiptarët e Serie A, Hysaj i Napolit më i paguari, Manaj i Interit më pak i paguari

Romë, 11 mars 2016 - Me transferimin verën e shkuar nga Empoli te Napoli, Elseid Hysaj padyshim ka fituar shumë në vizibilitet dhe në mundësi të reja për të luajtur krah lojtarësh shumë të mirë. Mbrojtësi shqiptar është një emër i padiskutueshëm në 11-shen e Maurizio Sarrit duke i rrëmbyer vendin Cristian Maggios, madje shpeshherë është cilësuar si mbrojtësi i djathtë më i mirë i Serie A. Gjatë verës ai nënshkroi një kontratë fitimprurëse për xhepat e tij me 600 mijë euro në sezon, që krahasuar me atë që fitonte te Empoli është disa herë më e madhe por në krahasim me fitimet e lojtarëve të tjerë të Napolit, mund të pohohet që Hysaj nuk “luan titullar” në fushën e financave. E thotë këtë një klasifikim sipas fitimit i futbollistëve të Seria A, i publikuar nga e përditshmja Corriere Dello Sport.

Ndërkohë, në kryeqytet, Etrit Berisha arkëton 100 mijë euro më pak se Hysaj, me saktësisht 500 mijë euro në sezon. Një shumë relativisht e vogël për atë që Berisha, portieri i Lazios, ka treguar gjatë këtyre tre sezoneve. Pas portierit shqiptar në hierarkinë e pagave të Lazios renditen vetëm 4 lojtarë.

Ndër shqiptarët e Serie A, qendërfushori i Chievos Përparim Hetemaj, merr “vetëm” 300 mijë euro, e renditet në mes të renditjes së futbollistëve të skuadrës së tij. Portieri i Genoas, Samir Ujkani, “vetëm” 200 mijë euro e mbyll renditjen e skuadrës së tij duke qenë më pak i paguari nga të gjithë.

Dy shqiptarë të tjerë janë akoma më pak të paguar se të mësipërmit. Rey Manaj, me vetëm 80 mijë eurot në sezon, është i dyti lojtar më pak i paguar në të gjithë Interin, skuadër në të cilën Kondogbia mban vendin e parë me 3,5 milionë ndërsa Dimarco të fundit me 60.000 euro. Po 80.000 euro fiton në sezon edhe Kastriot Dermaku, i Empolit, ku ka edhe disa futbollistë të tjerë që paguahen më pak se mbrojtësi shqiptar.

Në krye të listës së lojtarëve më të paguar të Serie A është zv/kapiteni i Romës, Daniele De Rossi me 6,5 milionë euro në sezon, pas tij renditet bomberi argjentinas i skuadrës së Napolit, Gonzalo Higuain me 5,5 milionë euro në sezon, ndërsa i treti lojtar më i paguar i Serie A është Paul Pogba i Juventusit me 4,5 milionë.