Shqiptarët e Serisë A zbresin në fushë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në kategorinë më të lartë të futbollit italian, që nisi fundjavën e shkuar, edhe shtatë shqiptarë.

Serie A. Sërish futboll: katër fitore për skuadrat vendase, katër për të ardhurat, dhe dy barazime, 18 gola të shënuar, shumë emocione për tifozët dhe po aq polemika mbas ndeshjeve. Është ky kampionati italian i futbollit që sapo ngriti siparin.

E në dhjetë ndeshjet e luajtura, mes lojtarëve të zbritur në fushë edhe 7 shqiptarë. Me përjashtim të njërit, të gjithë të tjerët fituan të paktën një pikë, ndaj kush më shumë e kush më pak, kanë festuar pas ndeshjeve. Nuk shënoi asnjëri, por njëri prej tyre, portier, mori plot tre gola. Pikërisht Samir Ujkani, portieri i Palermos, nuk duhet të ketë kaluar një natë të mirë mbrëmë. Në ndëshjen kundër Napolit të Blerim Xhemajlit dhe Valon Behramit skuadra e tij u mund me rezultatin e thellë 3-0.

Të kënaqur nga rezultati i djeshëm Lorik Cana dhe Igli Tare (drejtor sportiv i klubit) të Lazios. Shkuan në Bergamo dhe fituan ndaj Atalantës me rezultatin 1-0. Po ashtu edhe kosovari Përparim Hetemaj i Chievos së Veronës që në fushën e saj fitoi 2-0 kundër Bolognas. Ndërsa në barazim pa gola përfundoi ndeshja mes Sienës së Erjon Bogdanit dhe Torinos së Migjen Bashës.

Lorik Cana, i lindur në Gjakovë më 27 korrik 1983, prej vitit të shkuar vesh fanellën e Lazios. Sot është edhe kapiten i skuadrës përfaqësuese shqiptare.
Në çdo skuadër që ka luajtur duket se i ka fituar zemrën tifozëve dhe prej kohësh është ambasador i UNICEF-it. Është konsideruar lojtari më seksi në Francë mes lojtarëve të Ligës 1.
Përveç se aftësisë dhe talentit të tij në fushë, vlerësohet nga shqiptarët  për patriotizmin e spikatur. Në një ndeshje Shqipëri-Biellorusi, me një mikrofon në fushë ai bëri thirrje: “Thojini të gjithëve nuk ndërrohet Kombësia… Nuk shitet Shqiptaria…”. Episodi i disatë që e ktheu në një personalitet shumë të dashur për shqiptarët kudo në botë, qofshin sportdashës apo jo.

Erjon Bogdani ka lindur më 14 Prill 1977 në Tiranë, dhe nga viti 1996 luan me kombëtaren shqiptare. Bogdani e ka nisur karrierën e tij në skuadrën e Partizanit (1994-1998) e pas një periudhë në kampionatin kroat, në vitin 2000 ka kaluar në kampionatin italian, ku gjatë këtyre viteve ka ndërruar disa skuadra, Reggina, Salernitana, Verona, Siena, Chievo, Livorno, sërish Chievo, Cesena e nga janari 2012 luan sërish me Sienën.

Valon Behrami i lindur në Mitrovicë më 19 prill të vitit 1985, është transferuar gjatë adoleshencës së bashku me familjen në Zvicër. Fillimet e karrierës së tij janë në skuadrën e të rinjve të Chiasso-s deri në vitin 2000 kur kalon tek Lugano. Në Itali ka veshur fanellën e Lazios, Fiorentinës e tashmë të Napolit. Sot luan me përfaqësuesen zvicerane të futbollit, në të cilën ka arritur të hyjë fare i ri. Ishte vetëm 19 vjeç në vitin 2006 kur shënoi një gol vendimtar kundër Turqisë. Ishte ndeshja e tij e parë dhe goli i tij, që kontribuoi për kualifikimin e skuadrës në Kampionatin Botëror 2006, e bëri Behramin një lloj heroi kombëtar në Zvicër.

Përparim Hetemaj, i lindur më 12 dhjetor 1986 në Skënderaj (Kosovë), është me pasaportë finlandeze dhe bën pjesë në kombëtaren e futbollit të vendit nordik. Në Itali ka ardhur në vitin 2010 kur ka veshur fanellën e Brescias e ka shënuar golin e parë në Serinë A kundër Romës (22 shtator 2010), ndërsa nga viti i shkuar luan me skuadrën e Chievos.

Samir Ujkani, lindur më 5 korrik 1988, kosovar me pasaportë shqiptare është edhe portier i kombëtares shqiptare të futbollit. Ka luajtur me Palermon, Novarën e këtë vit është kthyer sërish te Palermo. “Jam i lumtur që u riktheva në skuadër. Palermo është një klub i madh, me histori të madhe. Unë kam mësuar shumë këtu dhe dua ta tregoj në fushë se sa potencial kam” është shprehur Ujkani këtë verë kur u kthye në skuadrën siciliane. Idhulli i tij? “Buffon është më i miri dhe të gjithë e admirojnë” ka deklaruar.

Migjen Basha, i lindur më 5 janar 1987 në Lozanë të Zvicrës nga një familje kosovare, luan me Torinon nga viti 2011. Ndeshja e djeshme kundër Sienës së “veteranit” Bogdani ishte debuti i tij në Serinë A. Në futbollin italian i ka futur këmbët në vitin 2006 e ka veshur fanellat e klubeve Lucchese, Viareggio, Rimini, Frosinone, Atalanta, para se të vishte atë të Torinos që mban sot.
Edhe pse ka luajtur me kombëtaren zvicerane të të rinjve, Migjeni Basha ka shprehur dëshirën të luajë me kombëtaren kuqezi, për këtë arsye ka marrë së fundi edhe pasaportën shqiptare. Por deri tani duket se kjo gjë nuk po i lejohet nga FIFA. 

Blerim Xhemajli nga Tetova, i lindur më 12 prill 1986, ka shtetësinë zvicerane e luan me kombëtaren e Zvicrës. Është mesfushor që në Itali ka luajtur me të rinjtë e Juventusit  e më pas me Torinon, Parmën e nga viti i shkuar me Napolin. Këtë verë edhe Milan i vuri sytë mbi të por deri këto ditë, të fundit të tregut veror të futbollistëve, vazhdon të qëndrojë me Napolin. Më 20 maj 2012 ka fituar edhe trofeun e parë italian, kupën: në ndeshjen finale kundër Juventusit luajti si titullar.

Shqiptari i Italisë