Shqiptarja e Grande Fratello-s në Visto - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Erinela Bitri, konkurrentja shqiptare e edicionit të fundit të Grande Fratello-s, jep një intervistë për të përjavshmen Visto, ku rrëfen dashurinë e saj me Davide Baroncinin, të njohur brenda shtëpisë së famshme

Jo të gjithë ata që dalin nga reality show Grande Fratello arrijnë të mbajnë gjallë interesin e mediave dhe të lexuesve pas daljes nga shtëpia e famshme. Kjo nuk po ndodh me çiftin e Davide Baroncini dheErinela Bitri, konkurrentja shqiptare e edicionit të 11-të të këtij emisioni.

Tanimë ata kanë filluar të zënë kopertinat e revistave, kryesisht ato që merren me gossip. Në numrin e fundit të revistës Visto ata rrëfejnë se tani “u mungon vetëm një shtëpi, një qen dhe një fëmijë”.  Në një intervistë të gjatë dy të dashuruarit tregojnë se si po jetojnë lidhjen mes tyre. Një lidhje e lindur nën dritën e telekamerave, që tani po vazhdon, me sa duket nga intervista, shumë e fortë dhe e lumtur. Me gjithë moshën e re, çifti i premton dashuri të përjetshme njëri-tjetrit. E deri  sa në plan kanë dhe një fëmijë, me sa duket shuarja e dritave të skenës nuk ka shuar dashurinë e tyre.

Erinela Bitri, në moshë fare të vogël ka ardhur në Itali me familjen. Ka lindur në Berat në vitin 1986, e pas mbarimit të shkollës profesionale për turizëm, ka punuar si shitëse në Bologna. Por pas pjesëmarrjes në reality duket se jeta e saj ka ndërruar rrjedhë dhe tani ajo thotë se do të ishte gati të ndiqte të dashurin e saj kudo qoftë, në Romë apo Bologna, “rëndësi ka që të jemi gjithnjë bashkë”.