Sokol Ndreko, somelieri më i mirë i Italisë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

37-vjeçari nga Fieri, Restaurant Manager në një ndër hotelet më të mirë të Italisë, u shpall këtë vit Miglior Sommelier Italia, çmim i dhënë nga BIWA (Best Italian Wine Awards), që ka një juri të përbërë nga gazetarë të fushës

Sokol Ndreko, somelieri më i mirë i Italisë

Është fieraku Sokol Ndreko, 37 vjeç, fituesi i çmimit Miglior Sommelier Italia 2015. Sokoli jeton në Massa Centro me bashkëshorten Erikela e dy fëmijët e tyre binjakë, Joeli dhe Enea. Është Restaurant Manager në një ndër hotelet më të mirë të Italisë, Principe Forte dei Marmi.

Për të arritur ku është sot ka  studiuar për shumë vjet. Karrierën si somelier e ka nisur nga zeroja në emigracion, me shumë sakrifica e pasi ka bërë shumë punë të lodhshme filllimisht në Greqi e më pas në Itali. Në fakt, që 18 vjeç ka lënë Shqipërinë e ka emigruar në Greqi ku për katër vjet ka punuar në ndërtim. Në vitin 2000 ka ardhur në Itali të vëllai i tij binjak në Milano. “Këtu filloi eksperienca në fushën e restoracionit, në një restorant piceri familjare. Në drekë prisja klientët e shërbeja në sallë, në darkë punoja në kuzhinë, e jo si kuzhinier, por larës pjatash. – tregon Sokoli për Shqiptariiitalisë.com – Pas tre vjetësh u transferova në Massa Centro dhe nisa të punoja në një restorant në Forte dei Marmi. Fillimisht si përgjegjës salle, më pas si somelier dhe në fund shef somelier. Ndërsa punoja aty nisa të ndiqja një kurs për somelier. Fillimisht nga kureshtja, por menjëherë më pas kureshtja u kthye në pasion e pas kursit të parë bëra të tjerë për perfeksionimin e mënyrës të së shërbyerit. Në vitin 2012 më erdhi një telefonatë nga Hotel Principe Forte dei Marmi. Më pëlqeu projekti i tyre për restorantin Lux Lucis të hotelit (edhe restoranti është ndër më të mirët në Itali), por kishte ardhur edhe koha që të provoja veten, e të vija në praktikë gjithë njohuritë e aftësitë e mbledhura në vite studimi e pune”.

Dhe sot është Somelieri më i mirë i Italisë për vitit 2015, çmim që jepet nga BIWA (Best Italian Wine Awards), që ka një juri të përbërë nga gazetarë të fushës që për të katërtin vit nxjerr klasifikimin e 50 verërave më të mira të vitit, italiane dhe të huaj, dhe jep 10 çmime speciale për kantinat dhe prefosionistët që punojnë në këtë sektor. “Nuk është konkurs – shpjegon Sokoli - vlerësohet puna e përditshme që bën çdo somelier ose profesionist që punon për promovimin e këtij sektori, pak a shumë roli i ambasadorit të verës në restorant”.

Sot jeni “Restaurant Manager” në hotel. Në çfarë konsiston puna juaj?

“Të jesh pjesë e stafit në një Hotel të rëndësishëm është privilegj dhe sfidë në të njëjtën kohë. Përmes standardeve të larta dhe komunikimit të përditshëm duam të transmetojmë profesionalitet e mikpritje për të gjithë ata që zgjedhin hotelin tonë. Puna ime ka të bëjë me organizimin dhe verifikimin e funksionimit të të gjitha shërbimeve në restorantin dhe barin e Hotel Principe Forte dei Marmi. Dita ime e punës fillon shumë herët  me organizimin e shërbimit të mëngjesit, për të vazhduar me shërbimin e drekës dhe organizimin e shërbimit të darkës në restorantin Lux Lucis që është shprehje maksimale e profesionalitetit të punës sonë. Kujdesem personalisht për zgjedhjen e seleksionimin e verërave, të cilat vetëm pasi t’i kem provuar e studiuar, vendos që do të bëjnë pjesë në listën tonë të gjatë të verërave që shërbejmë”.

Si ju lindi pasioni e çfarë shkolle keni ndjekur për të marrë këtë profesion?

“Gjatë kohës që punoja tek Osteria del mare vëreja që klientët kishin nevojë për më shumë informacion e fakti që mund të gjendeshe i papërgatitur përballë kërkesave të ndyshme që arrinin më terrorizonte, por edhe më zgjonte kureshtjen për të mësuar më shumë e në të njëjtën kohë për të pasur një kualifikim profesional. Në vitin 2005 nisa kursin për somelier me AIS, Associazione Italiana Sommelier. Në fund të kursit kuptova që ai do të ishte vetëm fillimi sepse nuk kisha perfituar akoma njohuritë për të cilat unë isha regjistruar dhe se gjatë tij më kish lindur një pasion për gjithçka që ka të bëjë me botën e verës, shërbimit, mikpritjen, shkencat e traditat gastronomike. Më pas ndoqa kurse të ndryshme si teknikat e shërbimit, kurs për shampanjë, puro, djathërat, prova të gjithanshme për shijimin e verës. Një faktor shumë i rëndësishëm në formimin tim ishte shkolla e AIS Toscana të cilën e ndoqa për disa vjet me radhë për perfeksionimin e mënyrës të së shijuarit të verës.  Kam frekuentuar edhe master në nivel kombëtar si Master of sangiovese, Nebbiolo, Sagrantino dhe sot jam edhe Degustatore Ufficiale i AIS-it”.

Sokol Ndreko, somelieri më i mirë i ItalisëA ndiheni sot i realizuar? Çfarë dëshironi të bëni apo të arrini?

“Në një moment kur gjithçka shkon përpara me ritme frenetike, për të qenë gjithnjë i mirinformuar mbi më të rejat është një sfidë e vazhdueshme, ndaj nuk mund të ndihesh asnjëherë i realizuar. Jam i kënaqur me atë që bëj, më pëlqen profesioni im dhe për arritjet e deritanishme më duhet të falënderoj edhe familjen që ka përkrahur çdo zgjedhje timen. Falënderoj nga zemra edhe drejtorin e Hotelit, Vascellari Cristina, për bashkëpunimin e mbështetjen e përditshme dhe gjithë stafin me të cilin punoj”.

Të qenit i huaj në Itali ju ka hapur ndonjëherë probleme?

“Pasi mbarova kursin për somelier, për të marrë pjesë në gara kombëtare ishte e madhe por rregullorja për pjesëmarrjen në konkurse si Miglior Sommelier i Toskanës e më pas i Italisë dell’Italia nuk lejonte pjesëmarrjen e kandidatëve pa shtetësinë italiane. Kështu unë nuk munda, por jam i kënaqur që kërkesat e ndryshme që bëmë në ato vite shërbyen për ndryshimin e rregullores e sot është e mundur të konkurrojnë kandidatë që kanë studiuar në Itali edhe pse nuk janë shtetas italianë. Përveç këtij episodi nuk kujtoj të kem pasur probleme se jam i huaj”.

Shkoni shpesh në Shqipëri, Fier a Tiranë? Çfarë mendoni për verërat shqiptare? A do të futnit ndonjë prej tyre në kartën e restorantit?

“Nuk shkoj shpesh në Shqipëri sepse puna dhe angazhimet nuk me lënë shumë kohë të lirë. Restoracioni në Shqipëri po kalon një fazë tranzicioni sepse shumë të rinj që punonin jashtë po kthehen e po sjellin me vete kuturën e teknikat e mbledhura nga përvojat në vendet ku kanë jetuar e punuar.
Vreshtaria shqiptare si dhe ajo e gjithë vendeve të Ballkanit ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për disa lloje hardhish. Sipas studiuesish të njohur ka qenë origjina e bimëve si Chardonnay që sot është një nga varietet më të njohura të vreshtarisë botërore. Por si në gjithë vendet e ish bllokut komunist edhe në Shqipëri u shkatërrua kultura e verës dhe e vreshtarisë.
Kam pasur rastin të provoj verëra të disa Kantinave që i kam sjellë edhe në Itali për të provuar të futnim ndonjë në kartën e restorantit, por mund të them se në këtë moment ka vërtet disa verëra interesante por jemi larg nga ajo që ne quajmë cilësi e lartë. Megjithatë, do të pëlqente jashtë mase të kisha ndonjë verë shqiptare në kartën e verërave të restorantit”.

Sokol, çfarë do t’i këshillonit një të riu shqiptar për të çarë në Itali?

“Përkushtim, angazhim e pasion në atë që bën. Këto janë elementet kryesore për të realizuar çdo ëndërr”.

Keti Biçoku / Shqiptari i Italisë

In italiano: Sokol Ndreko, il miglior sommelier d’Italia viene dall’Albania