Stela Zyberaj: “Falë bursës, u lehtësoj pak barrën prindërve” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Në vit të dytë për Ekonomi dhe Administrim Ndërmarrjeje në universitetin Roma Tre, Stela fiton një nga tre bursat e ofruara nga Moneygram për një student të huaj

Është Stela Zyberaj, vajza shqiptare që bashkë me Shaoting Chen, kineze, dhe Nicoleta Hacina, moldave, ndanë dhjetë mijë eurot e ofruara si bursë studimi nga Moneygram në bashkëpunim me universitetin Roma Tre. Kjo shumë ishte e destinuar për tre studentë të huaj që ndjekin kursin trevjeçar për Ekonomi pranë këtij universiteti.

20 vjeçarja Stela Zyberaj ka ardhur në Romë për të studiuar para një viti e gjysmë, nga Erseka ku ka mbaruar gjimnazin dhe ku jetojnë prindërit e saj. Gjatë vitit të  parë në degën Ekonomi dhe Administrim Ndërmarrjeje në universitetin La Sapienza, ku ajo ka dhënë gjashtë provime. Por vendosi të ndërrojë universitet sepse “La Sapienza është shumë i madh, e i rrëmujshëm, humbet brenda. – thotë Stela për shqiptariiitalise.com – Këtë vit bëra transferimin në universitetin Roma Tre, dhe ndihem shumë më mirë, është më i përmbledhur se tjetri”.

Për shkak të burokracive të pakuptueshme, edhe pse i njihen të gjitha provimet e dhëna në La Sapienza, kreditet që ka fituar me to nuk i njihen, ndaj këtë vit ka humbur të drejtën e bursës shtetërore që marrin studentët për merita. “Mora vesh rastësisht për këtë bursën Moneygram dhe meqë me provimet e dhëna vitin e parë i plotësoja kriteret,  thashë ta provoja njëherë!”. “Jam shumë e kënaqur për këto 3.333 euro që më japin, e më bëhet qejfi edhe për prindërit” thotë Stela, që mendimin e parë e ka për ta.

“Zgjodha të studioja në Itali – thotë ajo –sepse kisha mbrojtur italishten, më pëlqen vendi e sepse këtu kam edhe vëllanë”. Ergi, vetëm tre vjet më i madh se ajo, studion për arkitekturë dhe ka qenë për të mbështetje e rëndësishme. “Më ka ndihmuar shumë, pa të nuk di si do t’ia bëja” thotë Stela. Në fakt, Stela nuk punon, ndërsa  i vëllai po. “Kamarier në darkë, sepse për prindërit tanë është e vështirë të mbajnë dy fëmijë jashtë për studime”. Jetojnë bashkë vëlla e motër në San Lorenzo, lagje pranë universitetit La Sapienza, dhe përpiqen t’u bien sa më pak në qafë prindërve në Ersekë.

Stela çfarë mendon të bësh kur të mbarosh shkollën? “Ende nuk e di nëse do të kthehem në Shqipëri apo do të rri këtu kur të mbaroj universitetin. Në të vërtetë, do të kisha dëshirë të shkoja edhe në ndonjë vend tjetër për të vazhduar më tej studimet”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Studentët e huaj në Itali. Çdo pesë, një është shqiptar