Tomorr Kajtazi, mbreti i shitjeve derë më derë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Gjatë viti të shkuar ka shitur 1331 fshesa me korrent të një prej markave më të njohura, duke merituar nga ndërmarrja çmimin “Shitësi i vitit”. Të qenit i huaj natyrisht nuk e ka ndihmuar: “Gjithnjë ka pak mosbesim ndaj të huajve. Por në fund të fundit, njerëzit shkojnë përtej stereotipeve nëse lidh me ta një marrëdhënie positive”

Në kohë krize familjet kursejnë e nuk e nxjerrin lehtë paranë nga xhepi, veçanërisht për mallra të kushtueshëm siç janë fshesat me korrent Folletto. Por Tomorr Kajtazi, 32-vjeçar nga Bajram Curri, prej vitesh në Mezzolombardo të provincës së Trentos, prej dy vitesh shitës derë më derë e kësaj pajisjeje elektroshtëpiake, di si t’ua prishë mendjen disa zonjave në ditë. Në fakt, vitin e shkuar ka shitur 1331 fshesa me korrent, më shumë se çdo shitës tjetër derë më derë në Itali (janë rreth 4 mijë) i ndërmarrjes gjermane që i prodhon. E po të mbash parasysh ndonjë ditë pushim që bën në javë, i bie që të shesë mesatarisht të paktën katër pajisje në ditë.

Tomorr ka mbërritur në Itali në vitin 1996. “Isha një ndër mijëra të dëshpëruarit që u suleshin brigjeve puljeze” tregon ai për mediat lokale. Është kthyer në Shqipëri për të sjellë këtu edhe Kadrien, vajzën që dashuronte, me të cilën martohet në vitin 2003 e sot ka tri vajza.

Dashuria për punën nuk i ka munguar asnjëherë. Nga viti 1997 deri në 2013-shin ka punuar si zdrukthtar, zanat që la për t’u bërë shitës derë më derë i ndërmarrjes gjermane. E duket se për këtë punë - që bën me përkushtim e pasion, nga ora 7 e mëngjesit deri në darkë vonë - ka talent të lindur, zotësi të të mbushë mendjen, buzëqeshje, ëmbëlsi e aftësi të veçantë adaptimi në çdo situatë e me çdo karakter. “Si shitës derë më derë duhen aftësi personale por edhe dëshirë për të punuar, pa u shkurajuar nga portat që të mbyllen në fytyrë”. “E fitohet goxha. Arrij të mbaj shumë mirë familjen, gruan e fëmijët,” tregon ai pa problem.

Sekreti i suksesit të tij? “Nuk kam ndonjë sekret të veçantë. Jam i qeshur, i ëmbël, i qetë me të gjithë klientët e mundshëm” thotë. Por Tomorri është edhe tip që nuk dorëzohet lehtë e sheh anën pozitive të gjërave: “Nëse në shtëpinë ku trokasim ka miq, nuk duhet të ligështohesh e të ikësh, përkundrazi, mund të bëhen klientë të rinj”.

E nëse zanati i shitësit derë më derë në përgjithësi nuk është i lehtë, për një të huaj duhet të jetë akoma më i vështirë. “Nuk ka qenë e lehtë – pohon ai – gjithnjë ka pak mosbesim ndaj të huajve, gjithandej njësoj është. Por në fund të fundit, njerëzit shkojnë përtej stereotipeve nëse lidh një marrëdhënie positive me klientët”. Receta e tij duket e thjeshtë: “Ditë për ditë duhet të mësosh të adaptohesh me çdo lloj karakteri, por duke treguar personalitet të fortë pa u bërë asnjëherë arrogant”. 

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)