Itali-Shqipëri. Një ndeshje e fituar në tribunë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Shqiptarët në delir që mbushin stadiumin respektojnë himnin e Italisë. Komenti i Rai Uno: "Vërtet një botë krejt tjetër krahasuar me Itali-Kroaci".
Nga Kevin Sinani

Kombëtarja shqiptare humbi 1 me 0 në përballjen e parë me Italinë, por shqiptarët e fituan ndeshjen në tribuna. Që pa filluar takimi në fakt. Flamujt e dy vendeve të vendosur bashkë, mesazhet përkrah qytetarëve të dëmtuar nga përmbytjet në Itali dhe në fund ngritja në këmbë, këndimi dhe duartrokitja e himnit të Italisë, bashkë me tifozët më të pakët në numër italianë. Diçka që zor të jetë regjistruar më parë. “E mrekullueshme, himni i  Italisë u këndua edhe nga shqiptarët… Vërtet një botë krejt tjetër krahasuar me Itali-Kroaci”, komenton në fund të ceremonisë ku tifozeritë shpërthyen në duartrokitje.

Prej vitesh shqiptarët kanë ëndërruar një ndeshje kundër skuadrës italiane, e cila u realizua më 2014-tën falë edhe ndihmës së trajnerit tonë, Gianni de Biasi. Ndonëse pritej një pjesëmarrje e madhe tifozësh shqiptarë në stadiumin e Genovas, numri i tyre ishte përtej pritshmërive. “Një Ferraris i kuq flakë, plot me shqipoja të zeza”, shkruan ‘Skysport Italia’.

Tashmë për ne shqiptarët është bërë e zakontë që të jemi të shumtë në numër në stadiumet e botës aty ku Kombëtarja luan, por ishte hera e parë që fqinjët tanë perëndimorë përballeshin me këtë situatë. Për lojtarët e Italisë kjo qe një surprizë. Lorik Cana në një intervistë pas ndeshjes tregon se kishte shkëmbyer batuta me një kolegun e tij te Lazio. Ai e kishte pyetur në pushim të ndeshjes: “Kur niset avioni për në Itali”. Avvenire.it u shkruan një homazh shqiptarëve në stadium, duke thënë se ata paraqesin pikërisht atë që ishte futbolli. “Përpara kështu”, mbyllet komenti.

Shqipëria për italianët vazhdon të mbetet një vend i panjohur dhe i shoqëruar me shumë paragjykime për shkak edhe të së kaluarës. Megjithatë, komuniteti shqiptar në Itali, një prej më të mëdhenjve në vend, është përshtatur edhe me vendasit. Vetëm vitet e fundit Shqipëria ka filluar të eksplorohet nga italianët, megjithëse ende ka shumë punë për t’u bërë në mënyrë që vendi ynë të provohet përtej Adriatikut dhe ndeshja Itali-Shqipëri ishte një mundësi e shkëlqyer. Për këdo italian që e ka ndjekur ndeshjen të martën në mbrëmje, është e sigurt që ka hequr disa nga paragjykimet apo hijet e dyshimit që ekzistojnë për Shqipërinë. Dëshira për një bashkëpunim më të ngushtë italo-shqiptar do të shtyhet përpara pas kësaj ndeshjeje futbolli, e cila prezantoi shqiptarët shumë herë më mirë dhe më saktë sesa do ta bënte çdo politikan i yni gjatë vizitave të tij në Itali.

Tifozët shqiptarë

Mbi 21 mijë tifozë shqiptarë ndodheshin të pranishëm në stadiumin “Luigi Ferraris” që ka një kapacitet prej 36,703 vendesh, për të parë nga afër ndeshjen miqësore kundër Italisë dhe paratë e biletave të shitura shkuan në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet në Genova. Megjithatë, surprizuese nuk ishte vetëm numri i tifozëve, por edhe sjellja e tyre në shkallët e të njëjtit stadium, ku ndeshja Itali-Serbi u anulua për shkak të trazirave që u shkaktuan nga tifozët serbë. Vetëm dy ditë kishin kaluar nga ndeshja Itali-Kroaci në Milano, e cila u ndërpre disa minuta prej fishekzjarrëve që hidheshin në fushë nga tifozeria mike, madje u desh edhe ndërhyrja e policisë italiane për të vendosur rregullin në stadium. Por ndeshja e së martës tregoi një stad qytetarie tek shqiptarët. Asnjë fyerje, asnjë flamur i djegur, jo kore raciste por vetëm mbështetje ndaj Kombëtares së tyre dhe mesazhe solidarizimi me Genovan e përmbytur nga uji.

Një prej tifozëve i pranishëm në stadium ndodhej në të njëjtin vend ku Ivan Bogdanov dogji katër vjet më parë flamurin shqiptar, por ndryshe nga dhuna që pezulloi ndeshjen Itali-Serbi, tifozi shqiptar mbante pranë tij flamurin kombëtar me mbishkrimin: “Urrejtës, jam kthyer. Më i fuqishëm se kurrë” (I’m back haters. Stronger than ever), duke ironizuar kështu serbin që dogji flamurin shqiptar në ndeshjen e 2010. Të nxitur sigurisht nga atmosfera shqiptare në stadium, tre tifozë hyjnë në fushën e lojës gjatë kohës që po luhej ndeshja për t’u përshëndetur me lojtarët e tyre. “Pushtimi më paqësor i fushës” e komentonte gazetari italian i ‘Rai1’ veprimin e shqiptarëve. Edhe pse kjo u teprua. Ashtu siç tha edhe trajneri Gianni de Biasi, edhe pse nuk fituan në fushë, Shqipëria e fitoi ndeshjen në tribunë. Kjo ndeshje duket sikur ka ardhur në momentin e duhur. Edhe pse u mundëm 1-0, skuadra jonë tregoi se është tashmë në një nivel të ri loje. I tregoi gjithashtu UEFA-s se diferenca me tifozeritë e tjera të Ballkanit është dukshëm më e lartë dhe shumë më civilizuese, ndryshe nga sa mendohet.

Reagimi italian

Paraqitja e tifozerisë shqiptare është vlerësuar maksimalisht nga komentatorët sportivë por edhe nga qytetarët italianë. Komentet e shumta në rrjetet sociale tregojnë se shqiptarët në fushë dhe tribuna kanë bërë një prezantim të shkëlqyer përpara një populli që di shumë pak për ta.

Kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavechio, gjatë takimit me homologun shqiptar, Armando Duka, përpara fillimit të ndeshjes e konsideroi këtë përballje si një “ndeshje historike mes dy popujve miq” dhe ashtu rezultoi vërtetë. Pas përfundimit të ndeshjes, duke vlerësuar fair-play-n në fushën e lojës dhe në tribuna, Federata Italiane e Futbollit me anë të një fotoje e ka konsideruar tifozerinë shqiptare dhe atë italiane si “vëllezër të futbollit”.

Edhe mediat italiane në artikujt që i kishin kushtuar ndeshjes midis dy kombëtareve nuk kanë lënë pa i kushtuar një vëmendje të veçantë sjelljes së tifozerisë shqiptare. “Shqiptarët në Liguria, me pankarta dhe me kore që i afronin me italianët, demonstruan një civilizim inkurajues, duke shoqëruar gjithashtu me duartrokitje himnin tonë. U lumtë”, shkruante ndër të tjera e njohura “La Gazzeta dello Sport”.

Gjithashtu në rrjetet sociale ka pasur një dyndje komentesh nga qytetarët italianë, të cilët vlerësonin shqiptarët në stadium por edhe lojën që zhvilloi Kombëtarja jonë. Pankartat e solidarizimit që mbanin në duar shqiptarët kanë pasur një ndikim pozitiv tek italianët, të cilët nuk nguronin të shprehnin habinë dhe falenderimet e tyre për këtë veprim.

Mediat italiane i rikthehen takimit me Serbinë

Paraqitja e shqiptare në tërësi dhe vetë ndeshja e së martës ka pasur ndikim në mediat italiane. Një ditë përpara ndeshjes, televizioni ‘Italia 1’ gjatë një emisioni sportiv ka pasqyruar pjesë nga dhuna e ushtruar në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Jo vetëm analistët e pranishëm në studio por edhe opinioni publik u shokua nga ngjarja edhe pse ka më shumë se një muaj që ka ndodhur. Madje një rikthim në fushën e lojës në ato kushte është konsideruar si e pakuptimtë nga analistët italianë. Megjithatë, pas ndeshjes Itali-Shqipëri në disa media italiane si ‘Tgcom’ kanë pasqyruar akoma më gjerësisht incidentet e ndodhura në stadiumin e Partizanit të Beogradit, vendimin e UEFA-s, gjithashtu dhe mënyrën se si Shqipëria do të mbrohet në Komisionin e Apelit apo edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.