Violinisti Olen Cesari, muzikë falas në sheshet e Shqipërisë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Hera e parë që një artist i nivelit kaq të lartë, zhvillon një tur në Shqipëri: Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë e Shkodër. Oleni, që jeton prej vitesh në Romë: “Jam shumë i lumtur që m’u dha rasti të zhvilloj këtë tur nëpër sheshet e Shqipërisë, çka e prisja prej vitesh. Kërkova që ta zhvilloja këtë tur nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër”

“Kisha kohë që e prisja momentin që të luaja për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata që nuk duhet të mendojnë për çmimin e biletës”. Kështu u shpreh gjatë konferencës për shtyp më 31 korrik violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Cesari.

Nga Tirana e nxehtë dhe e etur për aktivitete kulturore, violinisti nisi të martën një tur koncertesh në disa nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Tiranës. Cesari nuk preferoi skena të mëdha si ajo e Pallatit të Kongreseve apo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por e ngriti skenën bash në qendër të ish-Bllokut, e cila çdo mbrëmje gëlon nga të rinjtë që kalojnë aty disa orë, në mungesë të çdo aktiviteti tjetër të shëndetshëm, kulturor apo sportiv. Por më 31 korrik ata kishin një motiv më shumë për të mbushur rrugën kryesore të ish-Bllokut. Të ndjekësh një koncert live dhe falas të violinistit Olen Cesari është një rast që nuk të jepet gjithmonë.

Një europian i vërtetë

Përpara se të pushtonte skenën, violinisti Olen Cesari doli në një konferencë për shtyp në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian, e cila ndodhet pikërisht shumë pranë vendit ku u mbajt koncerti. Në prezantimin e kësaj ngjarjeje kulturore, Cesari shoqërohej nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Ky i fundit e quajti këtë tur të violinistit një rast të shkëlqyer, jo vetëm për të shijuar muzikë të mirë, por edhe harmonie e gëzimi. Sequi prezantoi programin që Cesari do të interpretojë në koncertet e tij, çka përfshin këngë të krijuara në vende të ndryshme të botës, duke sjellë kështu copëza nga kultura të ndryshme. Kjo sipas tij e bën Olen Cesarin një qytetar të gjithë Europës. “Me talentin e tij Oleni i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe është kthyer në një europian i vërtetë”, u shpreh Sequi, duke ftuar njerëzit të marrin pjesë në koncertet që violinisti do të zhvillojë në disa qytete të mëdha në Shqipëri. Me violinën e tij Cesari sjell tinguj nga e gjithë bota, që nga kalinka ruse, te dervishët e Turqisë, tek sambat braziliane, deri te burimet e Përmetit.

Në sheshe, për të gjithë

Ndërsa është ngjitur vazhdimisht në skenat prestigjioze shqiptare, Olen Cesari ka zgjedhur kësaj here sheshet e hapura, për të vendosur komunikimin me publikun shqiptar. Pas koncertit të Tiranës, i shoqëruar nga banda e tij, Cesari do të udhëtojë drejt Durrësit, Vlorës, Sarandës e Shkodrës, qytete këto që popullohen më shumë gjatë stinës së verës nga pushuesit dhe turistët shqiptarë e të huaj.

Ndërsa pranon se është më i zoti në violinë sesa të flasë për gazetarët, artisti që jeton prej vitesh në Romë, shprehu kënaqësinë e të qenit sërish në Shqipëri. “Jam shumë i lumtur që m’u dha rasti të zhvilloj këtë tur nëpër sheshet e Shqipërisë, çka e prisja prej vitesh. Kërkova që ta zhvilloja këtë tur nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër. Ndaj e kam me kënaqësi të bëj këtë gjë me ndihmën e Bashkimit Europian, të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Jam i lumtur që me muzikën time të bëj një xhiro nëpër vendet e botës dhe t’u jap njerëzve një vizion të lirisë, dhe të heqjes së kufijve. Një lëvizje që muzika e mundëson, pasi ajo fluturon dhe mbledh njerëz pa dallim besimi fetar apo përkatësie politike. Përpara muzikës të gjithë janë njësoj”, tha Cesari, duke shpresuar që të kënaqë sadopak publikun shqiptar. I njohur më shumë në skenat italiane, Cesari vitet e fundit ka filluar të jetë më i pranishëm në skenat shqiptare, megjithatë një ftesë për një koncert mirëfilli në Tiranë nuk i kishte ardhur, ndërsa nuk i numëroheshin ftesat nga e gjithë bota. Ëndërronte një koncert jashtë kornizave. “Do të doja të dilja nga ajo rutina e Pallatit të Kongreseve apo edhe e Teatrit të Operës dhe Baletit. Natyrisht jam i mendimit se muzika i përket të gjithë popullit dhe jo vetëm elitës”, do të shprehej në një intervistë dy vjet më parë violinisti, çka duket se po e realizon vetëm tani.

Alma Mile, Panorama

Lexo edhe: Olen Cesari, virtuozi i violinës