X Factor 4, Dorina Leka mes 12 konkurrentëve - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Nis nesër edicioni i katërt i X Factor, programi i RaiDue-s. Mes 12 pjesëmarrësve të përzgjedhur ndër 80 mijë vetë, edhe vajza shqiptare Dorina Leka

Romë, 6 shtator 2010 – Ashtu si në edicione të ndryshme të një tjetër emisioni të ngjashëm siç është Amici, këtë radhë në X Factor do të jetë mes 12 konkurrentëve edhe një shqiptare: 24-vjeçarja Dorina Leka, që ka lindur në Tiranë e tani jeton në Trieste. Darina vjen nga një familje që ka në gjirin e saj artistë të njohur: është e bija e kantautorit Gjergj Leka dhe mbesë e Zhuljana Jorganxhiut, por ka edhe të ëmën pianiste dhe gjyshen nga i ati dirigjente kori dhe mexosoprano. Dorina, jo vetëm këndon, por i bie edhe pianos dhe harpës kelte.

Për X Factor 4 Dorina u përzgjodh mes 80 mijë vetë në seleksionimet kombëtare, dhe në skenën e këtij edicioni do të ngjiten etëm 12 vetë. Të ndarë në katër kategori, të ndjekur, përveçse nga mësuesit e kantos, edhe nga katër gjyqtarët, – një më shumë se në edicionet e shkuara - Mara Maionchi, Anna Tatangelo, Elio ed Enrico Ruggeri.

Konkurrentët do të nisin nesër garën e tyre, në orën 21.05, në RaiDue, por në të njëjtin kanal televiziv do të prezantohen sot në orën 21.00 në programin me titull “X Factor – la scelta finale”, një tip filmi që rrëfen përvojën e provave gjatë të cilave, nga 100 kandidatët finalistë, u zgjodhën pikërisht 12 fituesit që do të marrin pjesë në X Factor 4.