De Biasi vendos të lërë kuqezinjtë: “Ka ardhur çasti të kërkoj sfida të reja" - Shqiptari i Italisë

Sport
Largimi, në tetor, pas ndeshjeve eliminatore për në Botërorin e 2018

Tiranë, 14 qershor 2017 - Gianni De Biasi do t’i japë lamtumirën Kombëtares shqiptare pas përfundimit të ndeshjeve eliminatore. Këtë ka paralajmëruar dje në një konferencë për shtyp në mbyllje të grumbullimit për ndeshjet me Luksemburgun dhe Izraelin.

I fyer ndoshta për kritikat e tepërta të marra kohët e fundit dhe i vetëdijshëm se nuk ka ç’të japë më për Kombëtaren shqiptare, de Biasi merr vendimin e tij: “Në fund të eliminatoreve nuk do të jem më në stolin e Shqipërisë dhe besoj se ka ardhur momenti që të largohem për të kërkuar sfida të reja. Kombëtarja shqiptare është tashmë një makinë me me gjithçka në vendin e vet. Nuk ka nevojë për shumë korrigjime”. Humbja e miqësores me Luksemburgun i kushtoi jo pak komente negative, por fitorja e fundit kundër Izraelit çoi sërish nga anë e tij gjilpërën e bilancës së lavdisë. “Ishin të shumtë ata që më kishin përgatitur tashmë varrimin pas ndeshjes me Luksemburgun. Më vjen keq për ta që i zhgënjeva” deklaroi De Biasi duke lënë të nënkuptohet se e kishte me presidentin e federatës Armando Duka edhe pse nuk përmendi emra.

“Ka disa çaste në jetë kur njeriu duhet të ndiejë besim dhe konsideratë ndaj tij. pas pesë vjetëve e gjysmë këto mungojnë nga ana e ndonjërit. Nëse Federata shqiptare do të donte ta mbante De Biasin, do të kish diskutuar rreth përtëritjes së kontratës më parë, jo sot. Tani është tepër vonë – ka thënë trajneri që nga ana tjetër ka siguruar të gjithë sportdashësit – Unë për sa kohë do të jem këtu do të jap 110% dhe s’ma heq askush dëshirën për të punuar dhe për t’u përfshirë në çështjen shqiptare”.

Lidhur me marrëdhëniet me mediat që duan të dinë më shumë mbi të ardhme e tij, De Biasi u shpreh: “Unë nuk duhet të flas me askënd, aq më pak me mediat. Unë jam këtu prej 5 vite e gjysmë, e di që secili nga ju ka një ide se cila ka qenë sjellja e Gianni De Biasi-t dhe nuk kam pse jap shpjegime. Kur të marr ndonjë vendim, nëse do të marr, atëherë do të shpjegoj. Çfarë mund të shpjegoj sot? asgjë.  Që flitet për lëvizje andej apo këndej, nuk është problemi im”.

De Biasi trajnoi kombëtaren shqiptare për pesë vjet e gjysmë e me të në krye kuqezinjtë arritën në 2016-tën një objektiv historik, kualifikimin për herë të parë në kampionatin Evropian.