Futboll. Kosovë-Shqipëri për herë të parë - Shqiptari i Italisë

Sport

Në Prishtinë do të luhet në orën 14.00 miqësorja mes dy përfaqësueseve shqiptare të futbollit

 

Tiranë, 13 nëntor 2015 – Kjo e sotmja është një ditë feste për futbollin e shqiptarëve. Për të parën herë, përfaqësueset e futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillojnë sot në orën 14.00 në Prishtinë një ndeshje miqësore.

Të dy skuadrat tashmë janë gati për këtë takim dhe në radhët e tyre kanë ftuar lojtarët më të mirë, për të zhvilluar ndeshjen e parë ndërmjet tyre, që kur Kosova mori të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore.

E veçanta e këtij takimi do të jetë se, Shqipëria në këtë ndeshje do të luajë si kombëtare e kualifikuar në Euro 2016, për herë të parë në histori të saj. Nga ana tjetër, kjo ndeshje pavarësisht pavarësisht karakterit festiv që ka, për Kosovën do të jetë testi më i madh, pasi kjo është edhe ndeshja më e rëndësishme që ka zhvilluar deri më tani.

Ashtu edhe siç e meritojnë, stadiumi në Prishtinë pritet të jetë i stërmbushur me tifozë, të cilët do të përkrahin dy kombëtaret tona.

Gjatë një takimi mbrëmjen e djeshme me lojtarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, kryeministri Mustafa i cilësoi ata krenaria e kombit. “Po i themi kombëtare, por jemi një komb. Po i themi vëllazërore, pra jemi vëllezër. Por, ajo që është me rëndësi është që ne t’i nxjerrim në pah cilësitë tona, vlerat tona, të cilat janë shumë të mëdha, ato që i keni treguar, i keni vërtetuar. Ju uroj shumë për lojën dhe veçmas ju uroj për Evropianin e vitit të ardhshëm, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për ne, këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Suksese”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ndërsa në konferencën për shtyp të mbajtur po mbrëmë, trajneri i kombëtares kuqezi, Gianni De Biasi, theksoi se miqësoren me përfaqësuesen e Kosovës e mendon test të mirë për Evropianin Francë 2016. Sipas tij, çdo ndeshje miqësore duhet të shfrytëzohet sa më mirë në mënyrë që skuadra shqiptare të jetë sa më e gatshme për sfidat e mëdha që e presin në Euro 2016. (Sipas ATSh-së)