Futboll. Shqipëria fiton 2-0 miqësoren ndaj Luksemburgut - Shqiptari i Italisë

Sport
Në ndeshjen e fundit para kampionatit Evropian, kuqezinjtë fitojnë me gola të Sadikut e Çikalleshit. De Biasi: "Duhet të kishim shënuar edhe më shumë"

Tiranë, 30 mars 2016 - Kombëtarja shqiptare ka fituar të martën në mbrëmje miqësoren e dytë të këtij viti ndaj Luksemburgut me rezultat 0-2. Golat për përfaqësuesën tonë u shënuan nga Armando Sadiku dhe Sokol Çikalleshi.

Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, por vlen të theksohet rasti i Shkëlzen Gashit por portieri Joubert i mohon golin.

Portieri i Luksemburgut, përjashtohet nga ndeshja ne minutat e fundit të pjesës së parë, pasi frenoi në mënyrë të parregullt vrullin e Çikalleshit i cili ishte drejtuar drejt portes së boshatisur.

Në pjesën e dytë De Biasi reagon duke futur në lojë Kaçen në vend të Kukelit.
Kur luhej minuta e 63, një aksion nga krahu i djathtë finalizohet me gol, pasi Sadiku i cili sapo ishte futur në lojë gjendet më së miri në zonë dhe çon topin në rrjetë.

Në të 75-n, Çikalleshi pas një lëvizjeje të bukur në zonë, gjuan dhe dyfishon rezultatin.

Në këtë ndeshje debutoi edhe talenti i Vitesses, Milot Rashica, i cili kërcënoi dy herë portën e Luksemburgut me dy gjuajtje nga larg.

Ndeshja me Luksemburgun, e fundit para kampionatit evropian Francë 2016, vjen pas humbjes 2-1 në Austri më datë 26 mars.

Fjalët e De Biasit pas ndeshjes me Luksemburgun

Në konferencën për shtyp pas fitores me Luksemburgun trajneri Gianni de Biasi u shpreh se kuqezinjtë duhet të bënin më shumë në pjesën e parë, se ishin zëvendësimet e bëra ato që sollën ndryshimin e duhur dhe golat.

“Skuadra jonë në pjesën e parë duhet ta luante më shpejt topin dhe të kërkonte më shumë portën. Në pjesën e dytë zëvendësimet e kryera i dhanë më shumë gjallëri lojës sonë dhe për rrjedhojë erdhën edhe dy golat. Por duhet të kishim shënuar edhe më shumë” u shpreh De Biasi.

Nga ana tjetër, “Luksemburgu kishte një ekip shumë të organizuar” i njohu meritat kundërshtarit trajneri italian i kuqezinjve.