Itali-Shqipëri në Palermo. Të kaltrit u tremben kuqezinjve - Shqiptari i Italisë

Sport
Nga Arbër Agalliu

Dje u bë i ditur vendi ku do të zvillohet ndeshja e pestë e kualifikimeve për Kupën e Botës Russi 2018, që më datë 24 mars 2017 do të shohë përballë Italinë e Venturës kundër Shqipërisë së një tjetër trajneri italian, Gianni De Biasi.
Ndeshja do të luhet në “Renzo Barbera” të Palermos.

Zgjidhje pak e çuditshme kjo.
Përse Palermo?

Shumë e thjeshtë, Italia ka FRIKË ekipin kombëtar shqiptar.
Italia frikësohet nga një trajner që njeh mjaft mirë futbollin dhe ekipin italian si Gianni De Biasi.
Italia frikësohet nga një ekip që falë rezultateve të shkëlqyera të arritura po ngjit Ranking FIFA.
Italia frikësohet, mbi të gjitha, nga tifozët shqiptarë, të njëjtët që në vitin 2014, në Genova, mbuluan stadiumin "Luigi Ferraris" me ngjyrat kuq e zi, duke e bërë atë të dukej si "Qemal Stafa" i Tiranës.
Italia ka frikë, ndryshe nuk shpjegohet se si ajo mund të vendosë të luajë një ndeshje të tillë ndaj Shqipërisë në Sicili, në një nga rajonet e fundit italiane në lidhje me praninë e shqiptarëve.

Në Itali ka rreth 500.000 shqiptarë, vetëm 1,5% (rreth 8.000) e tyre jetojnë në Sicili, një prani shumë e vogël në krahasim me rajonet e veriut apo të qendrës si Lombardia (me rreth 100.000 shqiptarë) apo Toskana (me rreth 70.000 shqiptarë).

Unë jam i bindur se "Barbera", gjithsesi, do të shndërrohet në kuq e zi dhe një rol themelor në këtë rast do ta kenë komunitetet e arbëreshëve në jug të Italisë, sidomos vëllezërit e Piana degli albanesi, në provincë të Palermos.

 

Advertisement