Kosova në FIFA. Urimet e autoriteteve kosovare e shqiptare - Shqiptari i Italisë

Sport
Sipas Thaçit, talentet kosovare që luajnë me përfaqësuese të tjera këtej e tutje e kanë vendin në Kombëtaren e Kosovës

Autoritetet e larta të shtetit në Kosovë e në Shqipëri reaguan menjëherë me përgëzime e urime për anëtarësimin e Kosovës në FIFA.

Atë e përshëndeti presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shkruan në Facebook se “Evropa është shumë e vogël për talentet e mëdhenj të Kosovës”.

Duke u kujtuar shumë futbollistëve të talentuar kosovarë, që luajnë me kombëtare të tjera, kryesisht Shqipëri e Zvicës, se tani kanë mundësinë të luajnë për Kosovën thekson: “Anëtarësimi sot në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne u kemi dhënë shumë talentë kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës”.

Thaçi u shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që punuan për pranimin e Kosovës në FIFA, sepse është i vetëdijshëm. Për vështirësitë: “Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovës”.

“2016-ta është, pa dyshim, viti ynë”, shkruan Kryeministri Isa Mustafa. “Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. Kosova është gati”, shkruan në Facebook kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli vlerëson se pranimi në FIFA është një arritje tjetër e madhe për Kosovën. “Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtejshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijoj futbollin e talentëve të panumërt të rinisë sonë”, shprehet ai.

Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala thekson se “anëtarësimi i Kosovës në FIFA është ngjarje madhore dhe kurorëzon aspiratat dhe sakrificën e brezave të shumtë”. Sipas tij, “anëtarësimi në FIFA përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës”. Ai thekson se “pranimi i Kosovës në FIFA është një mundësi e madhe për futbollin e Kosovës, dhe një nxitje e fuqishme për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti, meqë vendi ynë ka shumë lojtarë cilësorë, të cilët mund ta prezantojnë Kosovën dhe vlerat e saj në arenën ndërkombëtare”.

Urime për pranimin e Kosovës në FIFA mbërrijnë menjëherë edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. “Pas UEFA-s edhe FIFA hap dyert për Kosovën. Urime, urime, urime! Forca Kosovë”, shkruan ai.

Lexo edhe: FIFA pranon Kosovën në gjirin e saj