Bashkimi familjar. Ç’duhet bërë kur përgjigjja nuk mbërrin? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Prej disa muajve kam kërkuar nulla osta për bashkimin familjar për të sjellë në Itali time shoqe. Akoma nuk më kanë kthyer përgjigje. Ç’mund të bëj?

15 maj 2016 – Sipas normativës aktuale, autorizimi apo nulla osta për bashkim familjar lëshohet brenda 180 ditëve, pra 6 muajve, nga data në të cilën i është nisur kërkesa Sportelit Unik për Imigracionin. Në rast se autoritetet kërkojnë integrimin e praktikës, numërimi i 180 ditëve ndërpritet dhe rifillon nga data kur i interesuari dorëzon dokumentacionin integrativ të kërkuar.

Pas kalojnë 180 ditët e parashikuara për përpunimin e kërkesës, në rast se Sporteli unik për Imigracionin nuk ka lëshuar nulla osta apo nuk ka hedhur poshtë kërkesën, aplikuesi mund t’i kërkojë zyrës të marrë vendim. Kërkesa për përshpejtim (sollecito) bëhet me një letër që i niset me postë të porositur, në të cilën jepen të dhënat e praktikës dhe kërkohet të kihet një përgjigje lidhur me kërkesën.

Në rastet më urgjente, apo kur kërkesa e mësipërme nuk mjafton, aplikuesi mund t’i paraqesë kërkesë për përmbushje detyre (diffida ad adempiere) Sportelit Unik që ky i fundit të marrë vendim mbi praktikën. Edhe në këtë rast, kërkesa duhet bërë me shkrim dhe duhet nisur me postë të porositur. Nëse edhe kjo nuk mjafton, nuk mbetet tjetër veçse t’i drejtohet një avokati për të hedhur në gjyq Sportelin Unik të Imigracionit.

Në të shkuarën, para modifikimit që iu bë me paketën e sigurisë së vitit 2009 tekstit normativ që disiplinon bashkimet familjare, heshtja e Sportelit Unik kishte për pasojë pranimin automatikisht të kërkesës. Në raste të tilla normativa e asokohe, që parashikonte vetëm 90 ditë për lëshimin e nulla-osta-s, i lejonte familjarit që do të sillej në Itali, të shkonte drejtpërdrejt në Konsullatën italiane e të kërkonte vizë, duke çuar atje kopjen e dokumentacionit të dorëzuar në Sportelin Unik bashkë me kuponin e dorëzimit të kërkesës. Fatkeqësisht kjo mundësi nuk ekziston më.

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

In italiano: Ricongiungimento familiare. Cosa fare se la risposta non arriva?

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)