Bashkimi familjar. Mund të jetojmë në shtëpi të ndryshme? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Jam bashkëpunëtore familjare dhe jetoj në shtëpinë e punëdhënëses. Mund të kërkoj bashkim familjar me burrin e djalin edhe pse nuk do të mund të jetojnë me mua por në një shtëpi tjetër?

Bashkimi familjar mund të kërkohet edhe nëse aplikuesi tregon se ka në dispozicion një banesë tjetër (dhe jo atë ku jeton vetë) për familjarët e tij, me kusht që edhe kjo të përmbushë kriteret higjienike sanitare, që dëshmohet me certifikatën e përshtatshmërisë së strehimit.

Kriteri i të pasurit të një strehimi të përshtatshëm konsiderohet i përmbushur qoftë në rastin kur aplikuesi ka ndërmend të transferohet në banesën e re kur të mbërrijnë familjarët, qoftë në rastin kur aplikuesi u siguron familjarëve strehim të ri të ndryshëm nga i veti.

Veç strehimit, një tjetër kriter i rëndësishëm për bashkimin familjar janë të ardhurat. Kur paraqitet kërkesa, aplikuesi duhet të ketë të ardhura vjetore nga burime të ligjshme që nuk duhet të jenë më të ulëta se shuma e çekut social (€ 5.825 për vitin 2016) plus gjysmë çeku për çdo familjar që do të sjellë në Itali.

Është mirë të mbahet parasysh, gjithashtu, që mund të kërkojë bashkim familjar për bërthamën e vet familjare i huaji që ka një lejeqëndrim të vlefshëm me kohëzgjatje të paktën njëvjetore, që mund të jetë kartë apo leje qëndrimi për punë të varur apo të pavarur, për azil, studime, për motive familjare apo fetare.  

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

In italiano: Ricongiungimento familiare. Possiamo vivere anche in case diverse?

Lexo edhe: Bashkimi familjar – Udhëzues i përditësuar

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)